LSI: Në protestë do sjellim shqetësimin qytetar

40

LSI e mbështetet fuqimisht protestën e forcave opozitare më 27 janar dhe ka premtuar se do të jetë tërësisht e angazhuar për të sjellë më shumë sesa revoltën qytetare. Ishte nënkryetari i LSI, Luan Rama, që bëri të njohur vendimet e mbledhjes së parë të Grupit parlamentar të LSI për vitin 2018, ku natyrisht në fokus ishte edhe protesta e parë e këtij viti: “Në fokusin e diskutimit dhe të debatit në mbledhjen e Grupit parlamentar, tha Rama, ishte i gjithë aksioni politik, axhenda jonë politike për vitin 2018 në të gjithë elementët e saj përbërës, duke shprehur mbështetjen e plotë të Grupit për qëndrimin politik të LSI dhe mbështetjen po ashtu të plotë të Grupit për axhendën politike të LSI për vitin 2018. Grupi vendosi të marrë pjesë në seancën e datës 15 janar të çeljes së sesionit të ri parlamentar të Kuvendit, për të ushtruar me vendosmëri të gjitha përgjegjësitë e përfaqësimit në Kuvendin e Shqipërisë, për të ushtruar me vendosmëri dhe përmbushur rolin tonë si forcë opozitare konstruktive e vendosur për të qenë mbrojtëse dhe zëdhënëse e interesit publik, qytetar dhe për të ridimensionuar të gjithë angazhimin, veprimin tonë politik në luftën parlamentare, në debatin, diskutimin parlamentar dhe e alternuar kjo me të gjitha veprimtaritë masive. Grupi mbështeti qëndrimin e mbajtur nga Kryesia e LSI për organizimin e protestës së madhe të 27 janarit dhe është tërësisht i angazhuar për të sjellë në këtë protestë jo vetëm revoltën qytetare, por edhe shqetësimin qytetar, edhe problematikën e madhe me të cilën ballafaqohen qytetarët tanë në të gjithë vendin me qëllim që viti 2018 të jetë viti i luftës së vendosur kundër varfërisë, kundër korrupsionit, krimit shtetërore dhe papërgjegjëshmërisë shtetërore”. “Ne jemi të vendosur të demonstrojmë përpara qytetarëve këtë vullnet tonin politik, këtë vullnet tonin qytetar, këtë vullnet tonin europianizues për vendin dhe le të jetë procesi i integrimit, le të jetë Reforma në Drejtësi, le të jetë Reforma Zgjedhore, le të jetë qëndrimi ndaj qytetarëve, testi i matjes se kush ka frikë dhe kush është me qytetarët, se kush e do integrimin dhe është kundër integrimit, se kush është për realizimin e Reformës në Drejtësi dhe kush është kundër Reformës në Drejtësi, se kush është për të realizuar Reformën Zgjedhore që Shqipëria të ketë më në fund standarde dhe realitet zgjedhor si çdo vend i Bashkimit Europian dhe kush është kundër. Vija e demarkacionit midis nesh dhe të tjerëve është Integrimi Europian, Reforma në Drejtësi, Reforma Zgjedhore, interesi qytetar, interesi publik, interesi kombëtar i Shqipërisë europiane”, u shpreh Luan Rama. Nga ana tjetër ai tha se: “LSI do të ushtrojë angazhimin e vet, presionin e vet pozitiv mbi mazhorancën për të realizuar Reformën Zgjedhore. Janë këto 3 prioritetet tona, ndaj të cilave ne jemi maksimalisht të vendosur të investohemi me të gjitha kontributet tona. Për çdo gjë që ka të bëjë me integrimin europian, në funksion të çeljes së negociatave me Bashkimin Europian, për çdo gjë që ka të bëjë për të realizuar Reformën në Drejtësi, sipas frymës me të cilën u realizuan ndryshimet kushtetuese dhe me të cilën u miratua paketa e ligjeve për Reformën në Drejtësi, pra mbi bazën e respektimit të Kushtetutës, në frymë, në përmbajtje, në gërmë dhe në gjithçka, duke respektuar frymën e bashkëpunimit dhe të konsensusit ne do të votojmë dhe do të kontribuojmë pozitivisht për të realizuar Reformën në Drejtësi”.