Kur kreu i qeverisë “kazan hashashi”, akuzon median si “kazan”

612

Nga Drenica Qelia

Asnjëherë në historinë e pluralizmit shqiptar nuk ka ndodhur që një kryeminstër të jetë kaq armik dhe imponues ndaj medias së lirë se sa Edi Rama. Një njeri i ardhur në politikë nga kulisat e Byrosë Politike të diktaturës komuniste dhe nëpërmjet medias së lindur e të sponsorizuar nga kjo byro të proklamohej nga këto media si ‘lider’ fuqiplotë e ka zgjedhur këtë strategji edhe për të qenë prezent gjithmonë në aktualitetin mediatik, por edhe si një mjet të pastër kërcënimi ndaj fjalës dhe njerëzve të lirë.
Akuza të ashpra për media “kazan” kur kazani i tij qeveritar i mbushur me hashash vjen erë e po qelb gjithë Evrupën. Një qeveri e akuzuar dhe e korruptuar deri në palcë, por që sipas kryeministrit për këtë e kanë ‘fajin’ mediat dhe gazetarët. Megjithëse një pjesë të madhe të drejtuesve të mediave i ka kthyer në shërbim të tijin akoma ai mendon se, duke i mbajtur nën presion jo vetëm pronarët, tender mbledhës, por edhe gazetarët e terrenit të mund të bëjë të plotë dhe funksionale linjën e presionit, duke mos i lënë të vetëm pronarët në luftën e tyre me gazetarët e pabindur, por t’i mbështesë hapur ata. U jep në këtë mënyrë një ndihmë jo të vogël për të mposhtur edhe ndonjë rebel të heshtur nga terreni. Me dhjetëra herë kreu i qeverisë ka sulmuar mediat, duke cënuar rëndë kështu njërën nga liritë themelore të bashkëpunimit të mendimit të lirë e pluralist dhe ndërgjegjes liberale të qytetarëve.
Kazani mediatik, e përdor ai shpesh shprehejn e tij sikur të ishte ndonjë bahçevan që po del në cepin e oborrit për të zjerë raki e aty ka vënë kazanin e pret vetëm të provojë prodhimin e tij që del nga ai tubi i stërgjatë. Aty është ai kazançiu që e mban ndezur e me gradë të lartë, forma më e mirë është zjarri, presionin e hapur publik ndaj medias dhe ballë për ballë saj si një “trim” kundër kësaj lirie universale qëndron në këmbë me propagandën e sporvuar e stërvitur nga “Byroja”.
“Media kazan” thotë kreu i qeverisë, duke i shpallur një luftë të hapur inatit qytetar që pasqyrohet nga mediat dhe duke u përgatitur të përballet së shpejti edhe me revoltën e tyre që do ta ja zënë në grykë edhe kazanin edhe kapakun.
Liria nuk mund të kërcënohet në këtë mënyrë. Por edhe reagimi rrogtarëve gazetarë të terrenit është larg të qenit të plotë. Asnjë prej tyre nuk ju përgjigj ashtu siç e meritonte, një banditi politik. Vetëm me të qeshura ironike nuk mund të mposhtet inati dhe vreri i tij për median dhe lirinë. Prandaj organizatat që mbrojnë gazetarët, por që janë të kapura në kreun aktual të qeverisë duhet të reagojnë. Po a reagojnë dot, sepse këta njerëz janë bërë tashmë pjesë e kazanit qeveritar që po ndot Evropën. Kjo është pyetja që nuk merr përgjigje. Mediat përveçse të kërcënuara nga pushteti ekzekutiv janë edhe të pambrojtura nga ata, të cilët i kanë zgjedhur për t’i përfaqësuar dhe mbrojtur. As edhe një deklaratë nuk kanë nxjerrë në mbrojtje të gazetarëve dhe kundër sjelljes së kreut të qeverisë që me arrogancën e një bllokmeni fyen pa limit njerëzit e medias dhe dhunon lirinë e tyre.
Vetëm kreu i opozitës Basha dhe ish-kryeministri Berisha kanë reaguar hapur kundër sjelljes së Ramës. Për Bashën, fjalimet e Ramës kundër gazetarëve janë fjalime kriminale. Me fjalime të tilla, ai është duke nxitur përditë urrejtjen dhe dhunën ndaj gazetarëve. Gazetarët janë ndër njerëzit më të rrezikuar në botë, shënjestër e shpeshtë e krimit dhe e politikanëve të korruptuar, është shprehur kryetar i PD dhe klima që krijon Edi Rama inkurajon pikërisht kriminelët që të sulmojnë gazetarët që raportojnë dhe hetojnë krimin dhe korrupsionin.
Ndërsa ish-kryeministri Berisha në një shënim të tijin shkruan, duke ju referuar qëndrimeve të Ramës, se “Noriega përshëndet gazetarët me fyerjen më poshtëruese”! Edvin Kristaq Rama fyen dhe poshtëron gazetarët shqiptarë më shumë se sa askush tjetër në histori në botë, shkruan Berisha, duke dalë kështu në mbrojtje të medias dhe të lirisë së shprehjes së cënuar brutalisht nga qëndrimet edhe deklarimet e hapura të kreut të qeverisë. Ish-kryeministri Berisha, në shënimin e tij të pak ditëve më parë, u bën thirrje gazetarëve të vendit të reagojnë me guximin dhe dinjitetin e njeriut të lirë ndaj kryehorit të vendit që përdor ndaj tyre fyerjen e të gjitha fyerjeve.
Kjo është situata e shtypit në Shqipëri. Kemi një qeveri që përflitet në të gjithë botën për trafik droge, korrupsion dhe nxitje të largimit të qytetarëve nga vendi, statistikat e fundit që vijnë nga Franca tregojnë për një ikje nga ‘lufta’ e shqiptarëve, pasi i kalojnë edhe Sirinë e Afganstanin. Këtu kemi një kryetar qeverie që u turret mediave me ‘kazan’ vetëm e vetëm që të bindë shqiptarët të harrojnë të këqijat e mëdha që po i bën vendit. Presioni ndaj mediave do të shpërthejë një ditë bashkë me revoltën qytetare e do ta marrë me vehte atë dhe kazanin e tij që po ndot me hashash gjithë botën.