Koha që nuk ecën!

287

“Monitor”

Nëse do të ktheheshim mbrapsht me kapsulën e kohës në fillim të viteve 1990, kur sapo dolëm nga shteti i centralizuar dhe do të imagjinonim si do ta donim vendin pas 25 vitesh ekonomi tregu, nuk do t’i afroheshim fare realitetit. Pas 25 vitesh do të prisnim minimumi, që Shqipëria, me një natyrë që nuk i mungon asgjë, nga deti te mali, me klimë mesdhetare, pozicion gjeografik kyç, njerëz ambiciozë e të etur për zhvillim, të kthehej në një Zvicër të vogël.
Të kishte një infrastrukturë moderne dhe të përfunduar, të ardhura për frymë pranë mesatares europiane, një ekonomi të qëndrueshme e konkurruese, që të garantonte një jetesë dinjitoze për pjesën më të madhe të popullsisë.
Një zhgënjim për shumëkënd! Koha nuk ka ecur siç do të donim. Vendi nuk ka ende një infrastrukturë për të qenë, duke habitur dhe turistët e huajt që thonë se si ka mundësi që nuk keni zgjidhur ende infrastrukturën bazë. Të ardhurat për frymë janë ndër më të ulëtat në Europë, duke ia kaluar vetëm Kosovës, që është një shtet i ri i dalë nga lufta, Ukrainës e Moldavisë. Natyrën më së shumti e kemi shkatërruar, përmes ndërtimeve të pavend.
Integrimi në procesin europian, që mbart në vetvete shpresën e të gjithë shqiptarëve për t’u ndier realisht europianë, është një proces që ka ngrirë në kohë. Ndaj, njerëzit vetëm duan të ikin. Shqipëria renditet me vendet e luftës për aplikimet për azilantë në BE, ndërsa serveri i Lotarisë Amerikane bie nga aplikimet e panumërta.
Edhe 2018-ta, me valën e re të ndërtimeve, na kthen të paktën 10 vjet pas në kohë, duke treguar që nuk kemi mësuar aspak nga gabimet e së kaluarës. Ndërtimi është sektori që po gëlltit pothuajse të gjitha kapitalet e lira në ekonomi. Vetëm në Tiranë, pritet që investimet në sektorin rezidencial e kulla të arrijnë 300 milionë euro (e matur indirekt nga të ardhurat e pritshme nga taksa e infrastrukturës), apo gati sa 3% e Prodhimit të Brendshëm Kombëtar.
Ndërsa në afatin e shkurtër pritet të krijojë vende pune, të furnizojë me likuiditet sektorët e lidhur zinxhir me të, në afatin e gjatë nuk i sjell vlerë të shtuar ekonomisë. Përkundrazi, thjesht ngrin kapitale, që mund të ishin përdorur më me eficiencë gjetkë. Shqipëria është unike në Europë, teksa në formimin bruto të kapitalit fiks (investimeve të brendshme) rreth 70% i zë ndërtimi, ndërsa në Europë, kjo peshë është më pak se 50%.
Në specialen e përgatitur nga “Monitor” në këtë numër të parë të vitit, bizneset e anketuar ndahen mes optimistëve dhe pesimistëve. Optimistë janë ndërtuesit dhe ata që deri tani nuk kanë pasur lidhje me këtë sektor, por që po investojnë, sepse vetëm ai perceptohet si fitimprurës. Pesimistë janë pjesa më e madhe e sipërmarrësve. Eksportuesit gjenden mes paradoksit që kanë treg, kanë kërkesë, por nuk janë konkurrues, me taksat që janë më të lartat në rajon dhe kostot e tjera të fshehura që u rriten vazhdimisht (më e fundit është nxjerrja e tyre në tregun e lirë të energjisë, që i lë tërësisht të pambrojtur ndaj rritjes së çmimit të energjisë).
Industria përpunuese paralajmëron falimente, pasi e ndien veten të pabarabartë me kompanitë rajonale. Shumë sipërmarrje janë në shitje. Nëse krijohet tregu rajonal, Shqipëria mund të kthehet në një importuese të pastër. Kjo nënkupton mbylljen e shumë fabrikave dhe të mijëra vendeve të punës. Thirrjet e prodhuesve për ndihmë, deri tani kanë rënë në vesh të shurdhër!
Investimet e huaja, që do të sillnin kapital të ri, teknologji, vende të reja pune, njohuri, janë pothuajse inekzistente, përveç projekteve të mëdha si Devolli dhe gazsjellësi TAP, të cilat po mbarojnë. Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë treguan se, nëse hiqen këto dy projekte, investimet e huaja janë në nivele qesharake. Nuk duken projekte të reja në horizont, teksa Serbia dhe Maqedonia po i tërheqin të gjithë.
Në këtë rrugë që kemi nisur, pas 25 vitesh, Shqipëria do të jetë një vend që vetëm importon dhe ndërtesat do të kenë mbetur bosh, sepse të gjithë do të vazhdojnë të duan të ikin. Vetëm nëse qeveria e bën kohën të ecë, reflekton dhe i orienton likuiditetet në sektorë që rrisin produktivitetin e kanë vlerë të shtuar, mund të kemi pak shpresë…