Këshilltarët e djathtë apel Veliaj të tërhiqet nga rritja e çmimit të ujit

252

Kreu i këshilltarëve të djathtë në Bashkinë e Tiranës, Kreshnik Çollaku, i bëri thirrje Erion Veliajt të reflektojë dhe të tërhiqet nga vendimi për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm, pasi Autoriteti i Konkurrencës, kërkon anulimin e këtij vendimi. Zoyi Çollaku thotë se rrija e çmimit të ujit do të ndikojë në buxhetin dhe ekonominë familjare, do të shtojë varfërinë, do të mbyllë bizneset. “Opozita kishte të drejtë – shkruan Çollaku në Fb. – Autoriteti i Konkurrencës i jep të drejtë këshilltarëve të opozitës në Këshillin Bashkiak Tiranë. Rritja e çmimit të ujit është e papërligjur. Ftoj Kryetarin e Bashkisë Tiranë, të rellektojë këtë vlerësim të Autoritetit të Konkurencës në anullimin e taksës së rritjes së çmimit të ujit për banorët e Tiranës. Rritja e çmimit të ujit do të reflektohet rëndë në buxhetin, ekonominë e çdo qytetari të Tiranës dhe do të shtojë varfërinë, mbyllë biznese e përkeqësojë jetesën. E ftoj Kryetarin e Bashkisë të tërhiqet nga ky akt i papërgjegjshëm dhe i papërligjur”. Vendimi i Bashkisë Tiranë për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm në gusht 2017, është marrë i pabazuar në studime ekonomike, argument ligjore dhe në mungesë të marrjes së vlerësimit paraprak nga Autoriteti i Konkurrencës. Këto janë përfundimet kryesore të raportit vjetor të AK, në përfundim të kontrollit dhe vlerësimit të procedurës së ndjekur nga Bashkia Tirana dhe Entit Rregullator të Ujit (ERRU) për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm. Raporti përfundimtar i AK thekson: Bazuar në relacionin shpjegues të ERRU për miratimin e tarifave të reja për vitin 2018, nuk gjejmë të detajuar strukturën e kostos mbi bazën e së cilës është miratuar tarifa. Në faqen zyrtare të UKT, Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe ERRU, në të cilat është publikuar Vendimi Nr. 47/2017 i ERRU mbi miratimin e tarifave për periudhën 01/01/2018 e në vazhdim, nuk gjenden bashkëlidhur relacioni me argumentet ekonomike dhe ligjore mbi të cilat është bazuar kjo vendimmarrje. Lidhur me këtë vendimmarrje nuk është marrë vlerësimi paraprak i Autoritetit të Konkurrencës, në zbatim të neneve 69 dhe 70 të Ligjit Nr. 9121. Në fund të raportit, Autoriteti i Konkurrencës i rekomandon institucioneve lidhur me këtë vendim se: Rritja e tarifave duhet të jetë graduale dhe në përputhje me kriteret e performancës, në mënyrë të veçantë të orarit të furnizimit me ujë. Gjatë procesit të marrjes së këtyre vendimeve duhet të ketë më tepër transparencë, analiza e studime dhe gjithnjë duhet kërkuar vlerësim ligjor nga Autoriteti i Konkurrencës për çdo projekt-akt normativ që potencialisht mund të sjellë kufizime të konkurrencës në tregun përkatës. Në gusht 2017, gjatë një seance jo të ligjshme, Bashkia Tiranë rriti çmimin e ujit të pijshëm nga 45 lekë për metër kub në 65 lekë për metër kubë, pra një rritje me rreth 44 për qind. Rritje pësoi dhe çmimi i ujit për klientët publikë e ato privatë: për klientët publikë çmimi u rrit nga 120 lekë metër kub në 140 lekë për metër kub (17 për qind) dhe për klientët privat, çmimi u rrit nga 135 lekë për metër kub në 155 lekë për metër kub (15 për qind).