A kanë shqiptarët motiv për të protestuar?!

287

Namir Lapardhaja

Mendoj që jo vetëm për të protestuar, por edhe për ta rrëzuar këtë qeveri. Madje, në çdo vend normal, qoftë edhe përreth nesh në këtë gadishullin tonë ballkanik, një qeverisje si kjo e Ramës mandatin e parë do ta kishte përfunduar me paterica, ndërsa në zgjedhjet e radhës do të duhej të dilte forcë e tretë ose e katërt. Mirëpo, një gjë e tillë jo vetëm që nuk ndodhi, por, përkundrazi, shefi i mazhorancës u konfirmua i vetëm në krye të tepsisë së pushtetit dhe i largoi të gjithë të tjerët, disa me lezet e disa me arrogancën që e karakterizon.
Pavarësisht kësaj, sërish shqiptarët, jo vetëm të djathtët, kanë motiv për të protestuar.
Motivi më i madh është se Rama me Rilindjen e tij (çuditërisht ka kohë që nuk e zë më në gojë) u premtoi parajsën dhe në pak kohë i sosi në ferr.
U premtoi rritje të ekonomisë, ndërsa u rrënoi edhe më shumë xhepat e tyre.
Taksat, në vend që të uleshin, u shumëfishuan edhe më shumë.
Rrogat do të duhet të kishin rritje, kurse çmimet ulje, mirëpo çmimet u rritën, ndërsa rrogat qëndruan në vend.
Shëndetësia u premtua se do të ishte falas, mirëpo jo vetëm që asgjë nuk iu ofrua qytetarëve falas, por ata duhet të paguajnë sot edhe më shumë.
Në vend që të investonin në burime dhe rritje të kapacitetit të mjekëve, miliona euro iu dhanë njerëzve klientë të qeverisë, ndërsa, nga ana tjetër, mungesat e mjekëve janë alarmante në spitalet e rretheve, kushtet mizerabël dhe mjekët e rinj që një orë e më parë synojnë të largohen nga Shqipëria.
Premtuan arsim cilësor dhe modern, ndërsa vetëm për cilësi dhe rritje të cilësisë së mësimdhënies nuk flitet në shkollën shqiptare. Cilësia është zëvendësuar me formalizma dhe me fasadë propagandistike dhe burokratike, duke e shndërruar mësuesin në robotë të pavlerë, ndërsa nxënësin në realizuesin besnik të kësaj fasade propagandistike.
Për bujqësi as që bëhet fjalë. Fermeri shqiptar ka kohë që nuk sheh subvensione me sy, ngase ato i marrin 4-5 duar të lidhura ngushtë me pushtetin. Jo vetëm subvensione, por asnjë lloj ndihme tjetër. Asnjë ndihmë përsa i përket dëmeve që kanë shkaktuar përmbytjet apo i ftohti i madh i dy viteve më parë.
Duhet protestuar se u premtua siguri, ndërsa Shqipëria sot është vendi më i pasigurt në rajon.
U premtua luftë e pakompromis kundër bandave dhe njerëzve me rrezikshmëri të lartë kriminale, mirëpo dallimi midis qeverisë dhe mafies në zgjedhjet e fundit ishte, pothuajse i padukshëm.
U premtua përfaqësim me integritet dhe me moral të lartë social dhe shoqëror, mirëpo Parlamenti u mbush me njerëz të dënuar për drogë, për prostitucion, për vjedhje. E njëjta gjë ndodhi edhe me përfaqësuesit e pushtetit lokal në shumë zona.
Duhet protestuar se shteti nuk sillet njëlloj dhe i barabartë me të gjithë. Shtetin e ka zëvendësuar pushteti dhe pushteti përditë rrënon themelet e shtetit për të mbajtur e për të forcuar pushtetin.
Duhet protestuar për veten tonë, që po jetojmë në një vend të mbytur me korrupsion dhe padrejtësi të mëdha.
Duhet protestuar për fëmijët tanë që po rrisim në një vend ku tek dera e shkollës kur e çon është dikush që i ofron, së pari, një cigare hashash dhe më tej drogëra të llojeve të ndryshme dhe ai dikush nuk ka frikën e policisë apo të dikujt tjetër, sepse shefat e tij janë të lidhur dhe kanë miqësi me shefin e Antidrogës, me shefin e Komisariatit dhe, më keq akoma, me vetë drejtorin e Policisë.
Duhet protestuar për talljen dhe arrogancën që tregon kryeminsitri i këtij vendi me qytetarët e tij, i cili, në vend që të merret me punët e shtetit, nga mëngjesi në mbrëmje në televizor tall leshtë me propagandë bajate, me trushplarje dhe gënjeshtra që s’ka logjikë normale që mund t’i bluajë dot.
Duhet protestuar edhe për ministrat e kësaj qeverie, të cilët nën shembullin e atij që i ka emëruar në ato poste, pa kurrfare merite dhe vlerë, ndjekin shembullin e tij, duke u marrë nga mëngjesi në darkë me propagandë dhe aktivitete partiake, mirëpo, kurrsesi, me punët që u ngarkon ofiqi i tyre.
Duhet protestuar edhe për atë se sot niveli i jetesës, në vend që të kishte rritje normale, ka ulje; në vend që të kishte kushte më të mira higjienike e gjithë Shqipëria noton në papastërti dhe në llum; në vend që të kishte më shumë rrugë të shtruara, asnjë kilometër rrugë nuk është përfunduar nën qeverisjen e kësaj mazhorance.
Duhet protestuar ngase kjo qeveri e trajton qytetarin e saj si idiotë, me të cilin ajo mund të tallet nga mëngjesi në mbrëmje dhe ai sërish në ditën e zgjedhjeve do të vejë ta votojë.
Pikërisht për t’u hequr kjo psikozë tek politikanët shqiptarë, jo vetëm duhet protestuar, por ata edhe duhen ndëshkuar që të vënë mend dhe të mos përsërisin gabimet e njëjta, duke i shtuar atyre gabime të reja.
Duhet protestuar edhe për drejtësinë. Duhet të protestojnë për çështjet e pronësisë që zvarriten e zvarriten me vite të tëra dhe sërish nuk gjendet një zgjidhje, duke i çuar shqiptarët në hasmëri dhe në vrasje pikërisht për këtë shkak.
Duhet protestuar edhe për drejtësinë, sepse krimet në këtë vend shtohen edhe si pasojë e asaj që duke mos pasur drejtësi, shkohet tek vetëgjyqësia dhe kështu krimi ndjell krimin, kurse gjaku thërret gjakun.
Duhet protestur edhe atë se drejtësia është “e drejtë” vetëm për pushtetin, ndërsa shpeshherë tregohet e padrejtë për qytetarin e pambrojtur.
Shqiptarët kanë shumë arsye për të protestuar. I takon atyre të tregojnë se janë njerëz të qytetëruar, apo të ngurtë dhe të indoktrinuar, duke mos dalë nga llogoret e partive të tyre politike.
Duhet protestuar dhe duhet rrëzuar kjo qeveri. Duhet zëvendësuar ky Kryeministër me një tjetër. Nëse edhe ai që do të vijë do të bëjë sërish të njëjtat gabime, sërish duhet protestuar e sërish duhet zëvendësuar derisa të vijnë në krye të këtij vendi njerëz të përgjegjshëm, që e kanë frikë ligjin dhe që postin dhe pozicionin e shohin si përgjegjësi dhe jo si mundësi pasurimi dhe abuzimi.