FMN: TAP dhe Devoll të vetmit kontribuues të ekonomisë

523

Investimet në gazsjellësin TAP dhe HEC-et në lumin Devoll kanë kontribuar me 0.8-1.2 pikë përqindje në rritjen e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto për vitet 2015 dhe 2016. Përllogaritjet i ka bërë Fondi Monetar Ndërkombëtar në marrëveshjen e fundit me Shqipërinë në lidhje me perspektivën e rritjes ekonomike të vendit. Fondi sqaron se, efekti i drejtpërdrejte i të dy projekteve kanë qenë 0.4 pikë për qind e PBB-së, por përfitimi që ka pasur ekonomia nga aktivitetet mbështetëse, si ndërtimi i rrugëve dhe nxitja e biznesit të shërbimeve e kanë rritur me tej kontributin e tyre në rritjen ekonomike. Sipas përllogaritjeve të Fondit, efekti total i dy projekteve është sa një e treta e vlerës së shtuar bruto gjatë 2015-2016. Të njëjtin kontribut projektet e kanë dhënë edhe më 2017.
Ulrike Andreas, Drejtoreshë për Tregtinë dhe Marrëdhëniet me Jashtë dhe Menaxhere e TAP për Shqipërinë i ka pohuar “Monitor” se punimet për gazsjellësin TAP, projektin më të madh të realizuar ndonjëherë në Shqipëri, me vlerë totale 1.5 miliardë euro, do të vijojnë edhe këtë vit me intensitetin e 2017-ës. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT rritja ekonomike për vitet 2015-2016 ka qenë respektivisht 2.2 dhe 3.4%, ndërsa kontributi i TAP dhe Devoll sipas FMN ka qenë 0.8-1.2 pikë përqindje. FMN vlerëson se, dy projektet e mëdha të IHD-ve (TAP dhe HEC-et në Devoll) kanë dhënë efekte të rëndësishme në aktivitetin ekonomik të vendit. Kostoja totale për ndërtimin e tyre është sa 14% e PBB-së.
Duke pasur parasysh intensitetin e kapitalit të tyre, importet përbëjnë një pjesë të madhe të kostove (rreth 60-70%) dhe pjesa tjetër korrespondon me pagat, kontraktorët lokalë dhe kompensimin për përdorimin e tokës. Projektet kanë krijuar rreth 3500 vende pune të drejtpërdrejta (6% e totalit të vendeve të reja të punës). Ndërtimi i tyre filloi në fund të vitit 2013 dhe u përshpejtua në vitet 2015-2017. Projektet po përmirësojnë transportin rrugor, pasi rrugë dhe urat e reja janë ndërtuar tashmë. Gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP), i cili do të transportojë gaz natyror nga Azerbajxhani në Itali, do të sjellë një kontribut kyç të energjisë për Shqipërinë edhe pas përfundimit të punimeve.