Dy problemet para koalicionit të madh

202

Unioni dhe socialdemokratët duan të përhapin optimizëm lidhur me raundin e parë të bisedimeve për mundësinë e një koalicioni të ri. Por në ditët e ardhshme do të shihet gatishmëria për kompromis. Raundi i parë i bisedimeve të dielën ka kaluar në një atmosferë të hapur, u shpreh Sekretari Përgjithshëm i SPD-së, Lars Klingbeil. Të gjithë e dinë se nuk është më e mundur një “le të vazhdojmë kështu”. Krerët e partive konservatore kristiandemokrate CDU dhe kristiansociale, CSU zhvilluan bisedimet e para të dielën dhe theksuan nevojën e reformave të gjera në Gjermani dhe Europë. “Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë që kemi për të ardhmen e Gjermanisë dhe Europës”, tha politikani socialdemokrat në një prononcim pas takimit.
Në prononcimin e dakorduar me partitë e tjera theksohet se ekziston vullneti i fortë, që deri të enjten të ketë një rezultat të bisedimeve testuese. Gjermania gjendet “në një kohë të re. Kjo kohë e re ka nevojë për një politikë të re”. Klingbeil theksoi se “e shohim që politika duhet të ndryshojë”.
Pavarësisht presionit për reforma dhe dallimeve të dukshme, ndërmjetësuesit shprehen optimistë, se mund të arrihet ujdia. Unioni kërkon një koalicion me bazë të gjerë, por SPD-ja e ka lënë të hapur rifreskimin e koalicionit të mëparshëm.

Refugjatët dhe sigurimi qytetar – tema debati
Sipas ministrit të Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel koalicioni ka bërë gabim në vitin 2013 që u përqendrua shumë më tepër në politikën e brendshme dhe jo tek Europa. Ka ardhur koha që të japim përgjigje për propozimet për reforma të presidentit francez, Emmanuel Macron, tha Gabriel për televizionin gjerman, ARD.
Ndërsa kancelarja Merkel para takimit theksoi, se para një qeverie të re ndodhen detyra të mëdha. Pikat kryesore të debatit janë politika e migracionit dhe sigurimi social qytetar për të gjithë i kërkuar nga socialdemokratët.
Këtë të hënë CDU, CSU dhe SPD vazhdojnë bisedimet për mundësinë e koalicionit në grupet e specializuara dhe ato për Europën. Krerët e CDU, CSU, dhe SPD-së e kanë marrë vetë në dorë temën për Europën. Të hënën, ata diskutojnë për të ardhmen e unionit. Nuk dihet, nëse do të publikohen rezultate, sepse ndërmjetësuesit nuk do të japin hollësi për negociatat. Do të ketë vetëm një deklaratë të përditshme për zhvillimet aktuale lidhur me bisedimet për koalicion.

“Bëhet fjalë për vendin, jo individin”
Edhe zëvendëskryetarja e partisë CDU, Julia Klöckner është shprehur para fillimit të bisedimeve të dielën, se “bëhet fjalë për vendin, dhe jo për partitë apo individë të veçantë”. Ajo që dihet, theksoi Klöckner, është që duhet të ketë gatishmëri për kompromise për të krijuar një qeveri të stabilizuar. Ndërsa politikania socialdemokrate, Malu Dreyer këshillon që “të mos e vendosim në krye të axhendës çështjen e refugjatëve”. Në bisedimet për Xhamajkën tha ajo, tema të rëndësishme si barazia në politikën shëndetësore, kujdesin ndaj të moshuarve, papunësia apo ndërtimi i apartamenteve të reja kaluan në plan të dytë. Kjo nuk duhet të ndodhë tani, tha ajo për gazetën “Frankfurter Allgemeinen Zeitung”.
Deri të premten e javës së ardhshme, partitë kryesore si ajo kristiandemokrate CDU dhe kristiansociale, CSU dhe partia socialdemokrate, SPD duan të krijojnë qartësi, nëse krerët e partisë do t’u rekomandojnë organizmave të partisë futjen në bisedimet e koalicionit. Lidershipi socialdemokrat ka nevojë edhe për miratimin e bazës së partisë për të filluar bisedimet për koalicion me konservatorët. Votimi do të bëhet më 21 janar në Bonn.