Drejtorët e rinj të burgjeve, ish-policë që dhunonin studentë e deri tek udhëheqës të PS

356

Ministria e Drejtësisë publikoi dje emrat e drejtuesve të burgjeve, të cilët sipas kësaj ministrie ishin përzgjedhur me konkurs, ku renditeshin drejtorët e burgjeve, që sipas këtij institucioni kanë fituar konkurset. Por çuditërisht nga 24 emra të publikuar 8 prej tyre kanë lidhje direkte me Partinë Socialiste, duke ngritur dyshime të forta për mënyrën sesi është organizuar nga Ministria e Drejtësisë i ashtuquajturi konkurs.
Ilir Aliaj është emëruar drejtor i qendrës së Paraburgimit në Vlorë. Aliaj vjen direkt nga radhët e PS-së, madje ka mbajtur postin e kryetarit të PS në këtë qytet.
Fatjon Kurti është emëruar në krye të Burgut të Burrelit, pozicion që e mbante edhe më parë, por që u largua nga detyra me propozim të ministrit teknik të Drejtësisë, Gazmend Bardhi, pasi shkeli ligjin duke marrë pjesë në fushatat e Partisë Socialiste.
Andis Salla, pjesë e strukturave të FRESSH-it (Të rinjve socialistë) është emëruar drejtori i Burgut të Elbasanit. Mësohet se ai ka qenë aktiv në fushatën e fundit të PS-së në këtë qark, çka duket se është edhe arsyeja kryesore e emërimit të tij në postin shtetëror.
Drejtor i Burgut të Lushnjës është emëruar Judmir Shurdhi. Ky i fundit ka qenë këshilltar i Partisë Socialiste në Këshillin Bashkiak të Lushnjës në 2015-ën. Deri në momentin e emërimit në këtë detyrë, ai ka mbajtur postin e drejtorit në Bashkinë e Lushnjës dhe është koordinator elektoral për Partinë Socialiste në qytet.
Gjithashtu, Nasip Hoxha, i emëruar si drejtues i Burgut të Sarandës, konsiderohet një prej mbështetësve të Partisë Socialiste.
Redi Rama, i emëruar në postin e kreut të Burgjeve në Tepelenë, gjithashtu ka lidhje me PS-në dhe sikundër raportohet ka mbajtur postin e kryekomunarit Qendër në Tepelenë.
Një tjetër emër është ai i Emin Shpata, me përvojë në Policinë e Shtetit. Në fushatën e fundit raportohet se ka qenë aktiv në Qarkun e Elbasanit në mbështetje të Partisë Socialiste.
Apostol Luca, drejtori i Spitalit të Burgjeve “mbyll” listën “e konkurrentëve të pavarur fitues”, me bëmat e tij që kulmojnë në vitin 1998, kur në krye të Forcave Speciale të Policisë, dhunonte në ambientet e grevës, studentët grevistë të urisë. “I harruar” që prej atij viti, ai rishfaqet 20 vjet më vonë si fans i Erion Veliajt.
Ndërkohë një pjesë tjetër e drejtorëve të emëruar mësohet se kanë formimin ushtarak, duke nxjerrë në pah një tjetër element, atë që kjo kategori ka pasur prioritet në atë që Ministria e Drejtësisë e konsideron si konkurs për drejtorët e rinj të burgjeve.