Bashkitë po bëhen të varura nga ndërtimet

193

Bashkitë e vendit, sidomos kryeqyteti, po bëhen gjithnjë e më të varura nga taksa e infrastrukturës që marrin për lejet e dhëna të ndërtimit, që varion nga 4-8% të vlerës së ndërtimit.
Të ardhurat e veta të bashkive (nga taksat, tarifat, asetet dhe të tjera) për 9-mujorin 2017 regjistruan një vlerë prej rreth 16.7 miliardë lekë, në rritje me rreth 3.7 miliardë lekë ose rreth 28.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave të bëra të ditura nga portali financatvendore.al. Ecuria e kësaj kategorie të ardhurash sinjalizon për vijimësi të përmirësimit të performancës në mbledhjen e të ardhurave vendore në përgjithësi, theksohet në raportin e 9-mujorit.
Analiza e detajuar sipas zërave të taksave tregon se, kjo performancë pozitive është udhëhequr nga rritja e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, e cila shënoi dhe nivelin më të lartë historik gjatë periudhës në analizë (2010 – 2017). Të ardhurat nga kjo taksë kontribuan me rreth 4.4 miliardë lekë në buxhetin vendor (26% e totalit të të ardhurave të veta), në rritje të ndjeshme krahasuar me nivelin e kësaj takse prej 1.7 miliardë lekësh në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Performanca në të ardhurat prej kësaj takse sugjeron për rigjallërim të aktivitetit ndërtues në vend, privat (rritje e numrit të lejeve të ndërtimit nga bashkitë në vijim të miratimit të planeve të përgjithshme vendore) dhe publik (investime publike të ndërmarra nga qeveria qendrore).
Në nivel bashkie, rreth 71.4% e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë u regjistruan në buxhetin e Bashkisë Tiranë (nivel ky rreth 4.9 herë më i lartë krahasuar me nivelin e të ardhurave nga kjo taksë një vit më parë).
Sikurse dhe pritej, të ardhurat nga tatimi i thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, vijojnë të ulin kontributin e tyre në totalin e të ardhurave nga taksat vendore. Gjatë periudhës së konsideruar, të ardhurat nga tatimi i thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël regjistruan një vlerë prej 276.2 milionë lekë, në rënie me rreth 52.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Një tjetër burim i rëndësishëm të ardhurash për buxhetin vendor përfaqësohet nga të ardhurat nga taksa mbi pasurinë e paluajtshme. Gjatë periudhës në analizë, të ardhurat nga kjo taksë regjistruan një vlerë prej rreth 3.4 miliardë lekë, në rritje modeste me 2.5% në terma vjetorë. Në të gjitha vitet e marra në analizë, taksa mbi ndërtesat përbën mesatarisht rreth 85.4% dhe të ardhurat nga taksa mbi tokën bujqësore zënë 14.6%, ndaj totalit të të ardhurave nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme.
Në terma vjetorë, të ardhurat nga taksa mbi ndërtesat rezultuan në rreth 3.0 miliard lekë, në rritje me rreth 6.5% në terma vjetorë. Në të kundërt, të ardhurat nga taksa mbi tokën bujqësore shënuan rënie vjetore të theksuar me rreth 19.7% krahasuar me një vit më parë.
Taksa e truallit nuk rezulton të ketë regjistruar të ardhura në periudhën e konsideruar. Ky nivel mund të lidhet me problematikat e mungesës pothuajse totale të regjistrave të bazës së taksës (dhe taksapaguesve). Gjithashtu mund të jemi përballë edhe të një problemi të raportimit financiar, dhe një vlerësim më i thellë do duhej të bëhej nga autoritetet.