Atentat në Divjakë, 14-vjeçarja shpëton nga breshëria e plumbave

116

Pamundësia për të qenë me vajzën që dashuronte ka shtyrë një të ri nga fshati Babunjë i Divjakës të ndërmarrë një veprim që mund t’i kishte marrë jetën asaj. Bajram Krasniqi, 22 vjeç, u arrestua pasi qëlloi me pushkë gjysmë automatike në drejtim të një vajze 14 vjeçe pasditen e djeshme. Nga të shtënat nuk pati të lënduar.
Burime thanë se, Krasniqi kishte një pëlqim për vajzën, të cilën e ngacmonte prej kohësh. Por, së fundmi, kishte mësuar se prindërit kishin vendosur ta fejonin 14-vjeçaren me dikë tjetër, pavarësisht moshës së mitur. Ka qenë kjo e fundit që i ka komunikuar vendimin e fejesës 22-vjeçarit, duke i kërkuar mos ta ngacmonte më.
Pas kësaj, ai i zuri pritë adoleshentes këtë të enjte me një armë në dorë dhe sipas burimeve policore, e shkrepi në drejtim të saj. Vajzën fatmirësisht nuk e kapi asnjë plumb. Në vendngjarje, efektivët e policisë gjetën 3 gëzhoja, që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Efektivët e policisë arritën të arrestonin në një kohë të shkurtër Krasniqin. Ai akuzohet për vrasje dhe armëmbajtje pa aleje.