Zbardhet skema, si u trafikua 2.5 ton drogë nga zyrtarët e policisë

94

Prokuroria bën të ditur se, ka të tjerë zyrtarë policie që me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë ndihmuar kalimin e 2.5 ton kanabis nga Porti i Durrësit në drejtim të Ankonas. Nga hetimet ka rezultuar se janë krijuar kushtet nga zyrtarë publikë, për kalimin lirisht të kamionit me 2.5 tonë hashash nga Durrësi në Ankona të Itali.
Pas arrestimit të nënkomisarit të Fierit, Festim Lelaj, që mendohet të jetë edhe organizatori i trafikimit të ngarkesës me drogë, Prokuroria e Krimeve të Rënda urdhëroi edhe ndalimin e Gëzim Dervishi dhe Agron Kapllani, 2 efektivë të policisë kufitare të Durrësit, doganier e portit, Altin Katundi si dhe agjentin doganor, Mikail Hila.
Nga hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda është evidentuar se, për kalimin e kamionit të ngarkuar me 2.5 ton lëndë narkotike, janë krijuar kushtet nga zyrtarë publikë, të cilët kanë mundësuar kalimin lirisht të kamionit nga Porti i Durrësit deri në Portin e Ankonas në Itali. Zyrtarët fikën skanerin kur kaloi kamioni me 2.5 ton drogë. Kamioni me drogë u kap në Ankona 1 vit më parë dhe më pas hetimet u shtrinë dhe në Shqipëri.
Ditën e djeshme janë ekzekutuar urdhër-ndalimet për efektivët e Drejtorisë së Policisë së Kufirit Durrës, Gëzim Dervishi dhe Agron Kapllani, për doganierin Altin Katundi dhe agjentin doganor Mikail Hila.

Mekanizmi i kalimit të drogës në port

Prokuroria ka zbardhur mekanizmin si u mundësua kalimi në Portin e Durrësit i kamionit me rreth 2.5 tonë drogë në janar të këtij viti. Lënda narkotike ka pasur si destinacion final Gjermaninë, por u kap në Itali.
2.5 tonë kanabis që u kapën nga autoritetet në brigjet e Ankonës në 9 janar të këtij viti, kanë kaluar në kamion nga Porti i Durrësit, të kamufluar si dru. Ngarkimi i lëndës narkotike është bërë në Fier, në bashkëpunim me një kompani që trasportonte paleta druri në vendet e Europës. Në të njëjtën ditë u nisën dy kamionë, i pari që nuk kishte drogë ka hyrë i pari për t’u kontrolluar. Pasi është bërë vulosja e tij, ka dalë në parkimin e portit, ku ndodhej edhe kamioni tjetër ku ishte droga.
Shoferi i tij ka ndërruar rimokorkion, duke marrë atë që ishte me drogë. Gjithashtu, ai ka ndërruar edhe targat. Në këtë mënyrë është bërë dhe shmangia e kontrolleve në Itali, pasi në këtë vend ngarkesat do të kalonin tranzit. Destinacioni përfundimtar i ngarkesës ishte Gjermania.
Prokuroria sqaroi të martën se, për këtë rast ishin ndaluar 8 persona. Arrestimet kanë filluar që në janar dhe kanë përfunduar këtë të mërkurë. Sipas hetuesve rolin e organizatorit e kishte nënkomisari i Policisë së Fierit, Festim Lelaj që garantonte edhe ruajtjen nga aksionet policore.
Lelaj nga janari i 2014 deri në gusht 2016 ka mbajtur detyrën e oficerit në Portin e Vlorës, ndërsa nga gushti i vitit të kaluar deri në mars 2017 ishte oficer policie në Dibër, për të kaluar më pas në Fier.
Prokuroria bën të ditur se, ngarkesa e nisur drejt Gjermanisë, ishte vulosur në Portin e Durrësit si mall tranzit, për të mos u kontrolluar më tutje në portin italian. Ngarkesa ishte zhvendosur drejt Durrësit me dy kamionë të rëndë, ndërsa vetëm njëri prej tyre kreu kontrollin në skaner në Portin e Durrësit
Destinacioni final ishte Gjermania dhe kamioni drejtohej nga Dhimo Koraj. Ndërkohë që mjeti do të imbarkohej në tragetin e linjës, Durrës-Ankona, brenda terminalit të Portit Durrësit, drejtuesi i kamionit, Koraj ndërroi targat e rimorkios së pakontrolluar, duke i vendosur ato të mjetit të kaluar më herët në skaner. E gjithë skena ishte monitoruar nga vetë hetuesit gjerman, të cilët kishin rënë në gjurmët e trafikantëve shqiptarë.
Burima nga Prokuroria, theksojnë se homologët e tyre gjermanë kishin kërkuar që ngarkesa me drogë të mos ndalohej, as në vendin tonë e as në Itali, pasi finalizimi i operacionit do të kryhej vetëm kur droga të shkonte në destinacionin final, që ishte qyteti i Mynihut. Ky mosrakordim ndërmjet gjermanëve dhe italianëve që ndaloi kamionin me drogë, krijoi dyshime për dekonsiprim të operacionit, pasi fillimisht u prangosën vetëm pesë persona dhe jo drejtuesit e vërtetë të trafikut të narkotikëve.