Vjedhja e “Armos” nga Rama dhe Beso, naftëtarët e Ballshit në protestë

254

Qindra naftëtarë të Kombinatit të Përpunimit të Naftës në Ballsh kanë dalë sot në protestë. Për këtë ngjarje ka reaguar edhe ish-Kryeministri Berisha, i cili ka publikuar një video të protestës së naftëtarëve. “Viktimat e vjdhjes së Armos nga Rama dhe Beso i tij në proteste!”, shkruan Berisha në një postim në Facebook. Protesta është zhvilluar për të kërkuar ndërhyrjen e shtetit për pagën e papaguar të muajit nëntor dhe për mbylljen e përkohshme të punës për shkak të mungesës së lëndës së parë.
Rreth 1000 punonjës prej 15 ditësh janë të pa punë, pasi Inspektoriati Shtetëror Teknik Industrial ka pezulluar punën për të kryer remontin në repartin e Koksit, ku rreth 15 ditë më parë ndodhi një avari dhe u plagos një punonjës.
Sot punonjësit kërkojnë ndërhyrjen e shtetit për të furnizuar me lënd të parë uzinën për fillimin e punës sipas premtimit të kryeministrit Rama që nafta shqiptare të përpunohet në Uzinën e Ballshit. Kryetari i Sindikatës, Kamber Iljazi tha se, i kërkon shtetit të marrë masa, në të kundërt do të përshkallëzojnë protestat në ditët në vazhdim.
“I kërkojmë shtetit të marrë masa. Do të përshkallëzojmë protestat nëse nuk merren masa. Po kështu, nëse nuk na japin pagesën do t’i vëmë flakën uzinës”, thonë protestuesit. Për shkak të defektit, rreth 1 mijë punonjës të Uzinës së Naftës në Ballsh kanë mbetur pa punë prej 2 javësh.