Ushtarët e FA, 2 byrekë në ditë për të shpëtuar të përmbyturit

55

Ushtarët e Forcave të Armatosura, të cilët shpëtuan qindra jetë njerëzore në përmbytjet e fundit në vend, janë shpërblyer me nga dy byrekë në ditë. Faktin e bën publik ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Xhemal Gjunkshi, në një intervistë të dhënë për “Channel One”, ku shton se kjo vlerë është e dietës së përcaktuar me ligj për ta. “Nuk mundet që një ushtarak, të cilit i jepet 20 mijë lekë të vjetra në muaj, 900 lekë të vjetra në ditë sa dy byrekë, të shkojë të qëndrojë gjithë ditën dhe të presësh rezultate shumë profesionale. Ata, sigurisht e kanë bërë, por në kushte shumë të vështira. Ju lutem, kjo punë nuk duhet të vijojë më në këtë formë”, u shpreh Gjunkshi.
Gjunkshi thotë se, Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë lënë në mëshirë të fatit nga qeveria, e cila pas 105 viteve krijim, ka vënë në dispozicion të tyre buxhetin më të ulët ndër vite. “Buxheti nuk është i mjaftueshëm. Është 0.86% e GDP-së, pasi aty janë shtuar tre shërbime: Shërbimet e sigurimeve shëndetësore, shërbimi i shëndetësisë dhe ai i emergjencave civile. Dhe themi pastaj se buxheti i mbrojtjes është 1.16%, jo, kurrë”, tha Gjunkshi.
Sipas Gjunkshit, ky trajtim i pamerituar ndaj ushtarakëve, bëri që edhe katër ushtarë në Londër të dezertonin. “Pagat e ushtarakëve janë minimale. Janë paga që kanë sakrifica të mëdha, përkushtim të madh, obligim i madh, por benefiti që marrim ne nga ushtarët është i madh, megjithëse mbështetja e dhënë ndaj tyre është jo në nivelin që kërkohet”, tha ai.
Për Gjunkshin, imediate është edhe hetimi i abuzimeve të kryera, sipas tij, në Ministrinë e Mbrojtjes gjatë këtyre viteve. “Faktet janë shumë tronditëse, për të cilat Prokuroria shqiptare ka të gjitha materialet e nevojshme për të filluar procedura, për t’i ndëshkuar shkelësit dhe jo për t’i lënë të argëtohen apo gradohen në detyra të tjera të larta shtetërore”, përfundoi Gjunkshi.