Shqipëria në listën e BE për pastrimin e parave

61

Ministrat e Financave të 28 vendeve të Bashkimit Europian ranë dakort që të publikojë një listë të zezë të vendeve që konsiderohen parajsa fiskale, duke i quajtur ato si “jo bashkëpunues në juridiksionin fiskal”. Lista e zezë përfshin ishujt tashmë të njohur të parajsave fiksale të Britanisë, duke shtuar këtu edhe Panamanë, Korenë e Jugut, Arabinë Saudite dhe Mongolinë. Por, ministrat e Bashkimit Europian ranë dakort edhe për një listë gri, ku janë përshirë 47 vende që kanë probleme me pastrimin e parave, por angazhohen të rrisin transparencën dhe të luftojnë këtë fenomen. Mes tyre është edhe Shqipëria. Si vend aspirant për t’iu bashkuar BE-së, Shqipëria ka afat deri në vitin 2019 të ketë rezultate konkrete në luftën kundër pastrimit të parave. I pyetur nga Euronews për këto detyrime, kryeministri shqiptar Edi Rama ka kontestuar listimin e 28 ministrave të BE-së, duke mos marrë përsipër asnjë përgjegjësi. “Ne kemi bërë shumë në këtë drejtim. Është shumë e lehtë të fajësosh të tjerët dhe është shumë më e lehtë të fajësosh vendet e vogla, të cilat luftojnë me kurajë për të ndryshuar dhe për të bërë një të ardhme më të mirë, pasi e kaluara nuk ka qenë shumë e mirë për ta”, është pohimi i Edi Ramës. Deklaratat e Ramës i rrëzon vet një raport i Këshillit të Europës mbi krimin ekonomik dhe pastrimin e parave i publikuar në fillim të nëntorit hedh dritë mbi rrugët që përdorin organizatat kriminale dhe zyrtarët e korruptuar në Shqipëri për të pastruar paratë e pista. Raporti, që i referohet periudhës 2016-2017, thotë se kanalet e pastrimit të parave përfshijnë si sistemin financiar, ashtu dhe investimet në ekonominë formale. Sipas tij, në sistemin financiar dy janë rrugët kryesore, transaksionet brenda sistemit dhe hapja e llogarive bankare në emër të personave të afërm të familjes, ose rrethit shoqëror. Por organizatat kriminale përdorin edhe investimet në ekonomi. Sipas Këshillit të Europës, një pjesë e parave pastrohen, duke bërë blerje të bizneseve të ligjshme, ose duke hyrë në partneritet me to. Paralelisht blerja e pasurive të patundshme si trojet, apartamentet, hotelet dhe stacionet e karburanteve janë po ashtu metoda gjerësisht të përdorura, siç është edhe ajo e blerjes së mallrave të luksit. Sipas raportit, në Shqipëri nuk pastrohen vetëm paratë që burojnë nga aktivitetet e jashtëligjshme brenda vendit, por edhe ato që vijnë nga jashtë kufijve.

Oxfam: Shqipëria, parajsë fiskale

Në një studim të fundit të publikuar nga organizata prestigjioze Oxfam thuhet se Shqipëria mund të jetë një parajsë fiskale. Bashkimi Europian e ka renditur vendin tonë në një nga 35 vendet që bëjnë pjesë në Listën e Zezë për kontrollin mbi parajsat fiskale. Në këtë listë bëjnë pjesë edhe katër shtete anëtare të unionit: Irlanda, Luksemburgu, Malta dhe Holanda, ndërkohë që figurojnë të gjitha vendet e Ballkanit me përjashtim të Kosovës. Sipas Oxfam, Shqipëria nuk përmbush plotësisht një ndër tre kriteret kyçe, atë të implementimit të masave për të luftuar evazionin fiskal dhe shmangien e taksave. Kjo listë vjen në një kohë kur është rritur presioni ndërkombëtar për zbulimin e origjinës së parave që qarkullojnë në ekonomitë botërore në zhvillim.