Romano Prodi: Problemi i drogës në Shqipëri, i rëndë, duhet reagim i fortë

87

Ish-kryeministri italian, Romano Prodi, e cilëson pushtetin e drogës dhe krimit në Shqipëri si një problem të rëndë dhe serioz për të cilin theksoi domosdoshmërinë e një reagimi të fortë të brendshëm. Pas konferencës së OSBE mbi rolin e ndërkombëtarëve në Shqipëri, i pyetur nga gazetarët për luftën kundër krimit, u shpreh se problemet e drogës janë serioze dhe ka nevojë për reagim të brendshëm. Prodi gjithashtu nënvizoi nevojën e një bashkëpunimi më të mirë ndërkombëtar kundër këtij fenomeni. “Reformat dhe problemet e drogës janë të rënda dhe serioze, por ka nevojë për një reagim të brendshëm shumë të fortë. Bashkëpunimi ndërkombëtar kundër kriminalitetit është një nga kapitujt e mëdhenj që duhet çuar përpara. Është përmirësuar shumë, por ende nuk është e mjaftueshme. Procesi i integrimit në Bashkimin Europian është ende shumë i ngadaltë dhe duhet të përshpejtohet”, tha ai.

Berisha-Prodi

Ish-kryeministri Berisha ka pritur dje në një takim ish-kryeministrin italian Romani Prodi. Gjatë takimit Berisha ka biseduar me Prodin rreth situatës politike dhe ekonomike në Shqipëri ku është ngritur shqetësimi mbi influencën e krimit dhe drogës në ekonominë e vendit çka përbën mungesë besueshmërie tek investitorët e huaj.
“Të dashur miq, sot prita në një takim ish-kryeministrin italian zotin Romano Prodi, i cili ndodhet në vendin tonë për të marrë pjesë në disa aktivitete që organizohen në përkujtim të 20-vjetorit të misionit “Alba” në vendin tonë.
E falenderova përzemërsisht ish-kryeministrin Prodi, si mik i madh i Shqipërisë për ndihmën, mbështetjen dhe miqësinë që ai personalisht, qeveritë dhe populli italian i kanë dhënë Shqipërisë gjatë këtyre viteve. Ndihma e Italisë ka qenë tejet e rëndësishme për zhvillimin e demokracisë dhe të ardhmen e vendit tonë. Ish-kryeministri Prodi ka dhënë një kontribut të çmuar personal në mbështetje të përpjekjeve integruese të Shqipërisë, pasi vendi ynë hapi negociatat për MSA-në në një kohë kur zoti Prodi ishte President i Komisionit të BE-së.
Në takim diskutuam për progresin që ka bërë Shqipëria si dhe raportet ekonomike midis dy vendeve tona, për të cilat vlerësuam se mund të jenë shumë herë më të mëdha. Theksova se investimet e huaja janë jetike për vendin tonë. E njoha zotin Prodi me faktin se në vitet 2008-2013 Shqipëria arrinte të merrte mbi 1 miliard euro investime në vit, ndërkohë që gjatë këtyre katër viteve të fundit investimet e huaja apo ato italiane janë thuajse zero. Theksova se rritja e krimit dhe e kriminalitetit si dhe korrupsionit janë arsyeja kryesore që frenon dhe tremb investitorët e huaj të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri.
Me zotin Prodi diskutuam edhe mbi gazsjellësin TAP, të negociuar dhe firmosur gjatë qeverisjes së mëparshme, rëndësinë e tij të madhe strategjike dhe progresin e tij si dhe mbi projektet e mëdha energjetike të vendit tonë.
Takimi ishte miqësor dhe i hapur”, shprehet Berisha në reagimin e tij.