Përmbytjet, 55-vjeçari nga Novosela kërkon ndihmë me lot në sy

238

55-vjeçari Kujtim Kapaj, mes lotëve kërkon nga qeveria jo thjesht një vlerësim dëmi, siç dhe ka ndodhur në vitin 2015, por dhe një dëmshpërblim të drejtë, që siç shprehet ai nuk e ka marrë në vitet e shkuara. Tashmë i kthyer në shtëpinë e të atit, pasi banesa e tij është dëmtuar tërësisht, ai shprehet se i ka mbetur vetëm preshi në fushë, ndaj dhe mbështetjen ai e kërkon për rimëkëmbjen e aktivitetit që ka pasur më parë.
Janë lotët dhe dhimbja, e njeriu ka humbur gjithçka që ka ndërtuar me punën e një jete. Kujtim Kapaj, 55 vjeç është një nga banorët e Fshatit Fitore të Novoselës, të cilit vërshimi i Vjosës i dëmtoi thuajse plotësisht banesën që siç thotë e ndërtoi me punën e 18 viteve në emigrim. “Unë nuk gënjej. Siç e shikoni vetë, këtu ka vajtur afërsisht 1 metër ujë, e tregojnë dritaret”, thotë Kapaj.
Ai është një nga banorët e zonave të prekura që refuzuan ndihmat ushqimore, por përgjërohet me lot në sy për mbështetje të drejtë në fazën e rimëkëmbjes. “Dua të më rregullohet shtëpia, nuk dua as makarona, as oriz, as batanije, asgjë s’dua. Vetëm të rregulloj shtëpinë. Ka dy vjet që shtëpia është katastrofë, s’kam lekë”, thotë ai.
Drama që po kalon e ka detyruar të kthehet në shtëpinë e babait të moshuar! “Po nuk kemi, jemi pa punë. Rri te babai, është pensionist. Më ushqen babai”, thotë Kapaj.
Përmbytja e këtij fillim dhjetori i ka rikthyer kujtimet e trishta të vitit 2015, ndaj këtë herë kërkon dëmshpërblim të drejtë dhe zgjidhje përfundimtare. “Të bëhet argjinatura këtu. Ta bëjnë 1 metër aty lart dhe nuk vjen më uji këtej”, thotë ai.
Uji i dëmtoi shtëpinë dhe i shkatërroi të mbjellat. “I shikon ato? Nga këto do ha unë sivjet, brokulat, këto më ngelën mua tani. Shyqyr që na mbetën dhe preshët”, përfundon Kapaj.