Paga minimale rrit kostot e veshjeve

78

Prodhimi i produkteve minerale dhe veshjeve është bërë më i shtrenjtë në tremujorin e tretë të vitit për shkak të rritjes së kostove në prodhim. Në sektorin e veshjeve mësohet se ndikim ka dhënë rritja e pagës minimale në gjysmën e parë të vitit me 9 për qind.
Sipas INSTAT në tremujorin e tretë të vitit 2017, indeksi i çmimeve të prodhimit u rrit me 2%, në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2016 dhe nuk ka ndryshim në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2017.
Në tremujorin e tretë 2017, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të prodhimit është 2%. Rritjen më të madhe e kanë shënuar çmimet e prodhimit në seksionin “Industri nxjerrëse” me 12,3%.
Brenda kësaj industrie vihet re rritja e çmimeve të prodhimit të produkteve në nxjerrjen e naftës bruto dhe gazit natyror me 11,8 %. Referuar të njëjtës periudhë krahasimi, çmimet e prodhimit në aktivitetet e industrisë përpunuese kanë shënuar rritje me 1,8 %.
Ndikimin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë çmimet e prodhimit të produkteve në aktivitetin e metalurgjisë me 7,5%, prodhimi i produkteve minerale jo-metalike me 4,3% dhe konfeksionimi i veshjeve me 0,8%.
Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2016, çmimet e prodhimit të produkteve vendase shënuan rritje me 0,5%. Çmimet e prodhimit të produkteve për eksport kanë shënuar rritje me 4,2%, krahasuar më të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
Në tremujorin e tretë 2017 indeksi i çmimeve të prodhimit nuk ka ndryshuar, krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Çmimet e prodhimit në seksionin “Industri Nxjerrëse” shënuan rritje me 0,1%, krahasuar me tremujorin e dytë 2017.
Çmimet e prodhimit në aktivitetin “Nxjerrja e naftës bruto dhe gazit natyror” janë rritur me 0,3%. Çmimet e prodhimit në seksionin “Industri përpunuese” nuk kanë ndryshuar krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
Brenda kësaj industrie ulje kanë shënuar çmimet e prodhimit të produkteve në aktivitetet: përpunimi i tekstileve me 2,0%, prodhimi i produkteve ushqimore me 0,8%, prodhimi i pajisjeve elektrike me 0,8%. Indeksi i çmimeve të prodhimit për produktet vendase arriti 99,4 referuar vitit 2010 (2010=100), duke shënuar një ulje me 0,3%, krahasuar me tremujorin e dytë 2017.
Vlen të përmendet ulja e çmimeve të prodhimit të produkteve në seksionet; “Industri Nxjerrëse” me 2,1% dhe “Industri përpunuese” me 0,1%. Indeksi i çmimeve të eksportit arriti 104,4 referuar vitit 2010 (2010=100), duke shënuar rritje me 0,5%, krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Çmimet e prodhimit të produkteve në seksionin “Industri nxjerrëse” ka shënuar rritje me 1,7%, ndërsa çmimet e prodhimit në seksionin “Industri përpunuese” nuk kanë ndryshuar krahasuar me tremujorin e mëparshëm.