Drejtësi dhe mbrojtje për gratë që dhunohen dhe trafikohen

144
Deputetja e PD Albana Vokshi, duke folur gjate nje seance parlamentare, ku mazhoranca dhe opozita kane debatuar ne lidhje me vendimet e miratuara dite me pare ne Komisionin e Ligjeve per heqjen e kompetences se Presidentit per te propozuar kryetarin e ILDKP.

Albana VOKSHI

Fillimisht dua të falënderoj të gjithë institucionet qendrore apo vendore, Forcat e Armatosura të cilat i uroj me rastin e ditëlindjes (105-vjetori), falënderoj të gjithë ata që me përkushtim e seriozitet, pa shfrytëzuar fatkeqësinë për pak propagandë, pa shfrytëzuar postin për një foto më shumë në fb, por në heshtje, pa taborë me kameramanë e fotografë, larg showt mediatik, kanë punuar edhe 24 orë për t’i ardhur në ndihmë atyre më në nevojë, atyre që moti i pamërshirshëm ju mori gjithçka, duke i lënë në mëshirë të fatit. Falënderoj qeverinë e Kosovës e çdo qeveri apo institucion ndërkombëtar që na mbështeti në këto ditë të vështira.
Në ditët kur ende gjysma e Shqipërisë është nën ujë, kur një pjesë e mirë e familjeve ende nuk kanë marrë asnjë ndihmë apo mbështetje nga qeveria, kjo e sotmja mund të duket si një temë që nuk përket. Por do të thoja të kundërtën, sot më shumë se kurrë duhet të flasim për ato gra, nëna, fëmijë të vetmuar që prej 3-4 ditësh, presin plot shpresë që qeveria të hedhë sytë e të shtrijë dorën edhe te ata.
Të nderuar kolegë e të ftuar,
Sot po diskutojmë një nismë të rëndësishme të Partisë Demokratike, një Rezolutë për parandalimin e një prej fenomeneve më të shëmtuara, por që për fat të keq po rritet çdo ditë: atë të dhunës (në të gjitha format e saj) ndaj grave e vajzave.
Dua ta falënderoj z. Ruçi që e futi menjëherë në kalendarin trejavor të Kuvendit Rezolutën e Partisë Demokratike si dhe Klajdën e Vasilikën për çdo sugjerim apo kontribut substancial në tekstin e Rezolutës.
Pse kjo rezolutë ishte e nevojshme në këtë moment?
Qeveria dhe pushteti vendor kanë dështuar të marrin masat e duhura dhe të nevojshme, për reduktimin dhe parandalimin e dhunës në familje, si dhe për bashkërendimin e punës për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje. Mekanizmi aktual nuk është efikas, nuk funksionon. Shifrat e rasteve të dhunës në familje ulërasin, duket si një bilanc lufte. Në 2016, janë shënuar 300 raste të dhunës në familje më shumë se 2015. Janë dhjetëra gra të vrara, edhe pse ishin të pajisura me urdhër mbrojtjeje (midis tyre edhe një gjykatëse), duke lënë vetëm dhjetëra fëmijë që sot rriten jetimë. Ndaj, Partia Demokratike e konsideroi emergjente ndërmarrjen e masave të menjëhershme për reduktimin e këtij fenomeni.
Kjo Rezolutë, duhet të shërbejë si një lëvizje për të ofruar mbrojtje për më shumë se 50 për qind të popullsisë në Shqipëri që nëpërkëmben në të drejtat e tyre. Për të ofruar mbrojtje nga çdo formë e dhunës ndaj grave: verbale, psikologjike, fizike, apo dhune ekonomike.
Për fat të keq, edhe sot në Shqipëri, dhuna ndaj grave, fëmijëve dhe të moshuarve është krimi që raportohet nën zë! Pse ndodh kjo? Sepse në Parlament kemi lejuar që të ushtrohet dhunë verbale nga Kryeministri edhe ndaj grave deputete; sepse ne kemi lejuar që në Parlament dhe në institucionet më të larta qeveritare të zgjidhen dhunues dhe trafikantë të grave dhe fëmijëve; sepse ne kemi lejuar që modeli i dhunës verbale, psikologjike, fyerja, nënçmimi, përçmimi ndaj grave deputete, të përhapet më tej në institucione apo edhe më keq, nëpër familje. Kjo është një marrëzi që duhet të marrë fund!!!
Të nderuar kolegë,
25 nëntor – 10 dhjetor janë 16 ditët ndërkombëtare të sensibilizimit kundër dhunës ndaj grave e vajzave.
Në kuadër edhe të këtyre ditëve, Rezoluta për Parandalimin dhe mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje është një thirrje që i bëhet Parlamentit, qeverisë, organeve të drejtësisë, shoqërisë civile, sektorit privat, organizatave ndërkombëtare, dhe çdo qytetari të ngrejë zërin e të veprojë në mbrotje të grave e vajzave!!
Këto janë ditët për të reaguar njëzëri kundër dhunës që fillon nga lart, në Kuvend, e përhapet si epidemi në të gjitha format e saj në çdo institucion!!!
Sot është dita për të gjithë ne të reflektojmë për të gjitha arsyet që çuan në dështimin për të mbrojtur gratë e fëmijët, sepse në këto vite nuk u arrit të mbrohet asnjë viktimë e dhunës në familje, një prej tyre edhe gjykatëse!
Kabinetet gjinore kanë mbetur thjesht propagandë dhe jo angazhim për të zbatuar konventat për të Drejtat e Grave.
Sot gruaja është pjesa më e dhunuar e popullsisë, kur dhuna ekonomike ka gjunjëzuar më shumë se gjysmën e popullsisë, kur papunësia ndër gra është e lartë (në disa rajone shkon edhe 50–70%). Sot, një pjesë e mirë e grave dhe vajzave nuk kanë akses në arsim, në shërbime sociale, shëndetësore. Mungesa e mundësive dhe shpresës, shpesh lë si alternativa të vetme azilimin, trafikimin apo shfrytëzimin në landfillet e vdekjes.
Rasti i nënës së dy fëmijëve që humbi jetën duke punuar në Sharrë (e kurrë s’u mor vesh), rasti i nënës shtatzanë që detyrohet së bashku me fëmijët e saj të mitur të mbledhin krom me kova në Bulqizë për pak cent më shumë, rasti i Fildezit që la pas dy fëmijë, duhet të na bëjnë të gjithë të reflektojmë.. .
Ndaj edhe kjo rezolutë e dakordësuar nga të gjitha palët le të shërbejë për të mbrojtur dhe mbështetur ato që kanë më së shumti nevojë për ne. Le të shërbejë për të ndërmarrë nisma konkrete për të përmirësuar sadopak statusin e tyre në shoqëri, për të nxjerrë sa më shumë nëna nga varfëria.
Në 16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës ndaj Grave, 25 nëntor-10 dhjetor, miratimi i kësaj rezolute duhet të vijë si një zë i shtuar në mbrojtje të të Drejtave të Grave në Shqipëri.
Unë kam një thirrje për Kryeministrin: të ndalë dhunën verbale në Kuvend, të tregojë që e ka seriozisht këtë lëvizje parlamentare për të Drejtat e Grave dhe të Vajzave!
Le t‘ju kthejmë shpresën dhe sigurinë grave dhe vajzave që të krijojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri e jo gjetkë. Le të kërkojmë me çdo çmim drejtësi dhe mbrojtje për gratë që dhunohen, trafikohen dhe shfrytëzohen.