Xhaçka i jep Uzinën e Mjekësit bashkëshortit

821

Ish-Kryeministri Berisha publikoi dje një status në Facebook, ku denoncon një aferë të ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka. Sipas qytetarit dixhital të Berishës, konçesioni i saj i fundit, të cilin ajo e konsideroi si sukses, në fakt është një “bashkëpunim” fitimprurës me bashkëshortin. Sipas qytetarit dixhital, Tan Gaçi fshihet pas PPP-së të Uzinës së Mjekësit.
“Ndrikull Xhaçka dopio lumturim burrit, edhe si bashkëshort, por edhe si biznesmen! Aferim!! Këtij i thonë partneritet publik privat me burrin (PPPB)!
Lexoni mesazhin e qytetarit dixhital”, shkruan Berisha.
“Doktor ju përshëndes! Ministrja e Mbrojtjes e quajti sukses kalimin me PPP Uzinën e Mjekësit një kompanie ushtarake italiane. “Beretta”, thonë. Prapa gjithë kësaj historie është Tan Gaçi, burri i ministres dhe Pelikani Security për aferat e veta, duke lënë me gisht në gojë banorët e zonës! Ky është PPP me burrin, doktor”, shkruan qytetari.

Mjekësi, atje ku bëhet demontimi I municioneve

Në dhjetë vjeçarin e fundit të shekullit të XX, kjo uzinë nuk funksionoi më për prodhimin e lëndëve plasëse, por në vitin 2001 u angazhua në demontimin e municioneve të tepërta që ka vendi. Projekti i parë ka qenë projekti 2001-2002, projekt i minave antipersonel, ku uzina ka demontuar 1 milion e 600 mijë copë. Projekti i dytë ka filluar në vitin 2003-2004, kur është bërë demontimi i granatave me bisht druri, dhe janë demontuar rreth 2 milionë copë. Po në vazhdim të projektit ka qenë dhe ai i demontimit të municioneve të armëve të lehta siç kanë qenë fishekët me model 56, 12.7 dhe 14.5 milimetra. Uzina me këtë projekt ka punuar përreth dy vjet dhe ka demontuar rreth 5 mijë ton. Gjithsej gjatë proçesit të demontimit uzina ka demontuar rreth 8500 ton. Mbas daljes së urdhërit të Ministrisë së Mbrojtjes, Uzina e lëndëve plasëse në Mjekës u angazhua në ngritjen e një linje të re demontimi, pikërisht në ngritjen e linjës së demontimit të predhave të murtajës 160 milimetra, një linjë e ngritur me forcat e stafit të uzinës, me mbështetje të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm. Në vitin 2005 e deri në muajin shtator të vitit 2007, uzina ka demontuar 104.825.354 fishekë të kalibrave të ndryshëm, ndërsa sërisht në vitin 2005 u krye edhe investimi i madh prej 3.000.000 ku u bë e mundur vendosja e furrës së djegies, e cila është më e madhja që ka sot vendi, mundësuar nga N.A.M.S.A.S.

34 mijë ton municione në 2016

Ka përfunduar në tetorin e vitit të kaluar në Mjekës të Elbasanit proçesi i demontimit të 34 mijë ton municioneve.
E pranishme në ceremoninë e rastit, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli tha se, shkatërrimi i municioneve përbën një arritje të rëndësishme për sigurinë kombëtare.
Kodheli: Pas përpjekjeve shumëvjeçare ia dolëm të çlirojmë vendin tonë prej një rreziku me ndikim të drejtpërdrejtë në mbrojtjen dhe sigurinë e popullsisë. Shkatërrimi i municioneve të tepërta është arritje e rëndësishme për sigurinë kombëtare dhe për sigurinë e stabilitetin rajonal.
Këto municione ishin një bombë me sahat, e cila prej dekompozimit apo vetëndezjes një ditë mund të shpërthenin dhe dëmtonin popullsinë dhe mjedisin. Këto armatime rrezikonin të binin në duart e keqpërdoruesve, trafikantëve, krimit të organizuar dhe terroristëve.