Skema e taksimit progresiv mbi të gjitha llojet e tjera të të ardhurave

66

Sipas skemës së re, paga e një individi dhe të gjitha të ardhurat e tjera që ai merr do të bashkohen në një bazë të vetme, mbi të cilën do të zbatohet taksa progresive. Për ekspertin e Ekonomisë, Selami Xhepa, kjo skemë do të rrisë barrën fiskale veçanërisht për shtresën e mesme të popullsisë, duke reduktuar të ardhurat e tyre. Selami Xhepa: Ajo që është e gabuar është koncepti, sepse në qoftë se paga merret si shpërblim për punën që kryen individi çdo ditë, shpërblimi apo bonusi që dikush merr i dedikohet punës për një periudhë të gjatë kohore. Nuk bën sens që kjo të konsolidohet me të ardhurën e atij muaji dhe për rrjedhojë t’i nënshtrohet normës më të lartë tatimore që është 23%. Nga pikëpamja e mënyrës se si do të realizohet kjo është e gabuar parimisht dhe pa dyshim që do të ketë efekte shumë të mëdha, sidomos te ajo kategori e qytetarëve apo të punësuarve që një pjesë të të ardhurave të tyre i kanë në formën e bonuseve, qoftë nëpunësit e bankave apo punonjësit e kërkimeve shkencore, ata që merren me profesionet e lira. Sipas Profesor Xhepës, edhe skema aktuale e tatimit progresiv ka dështuar, pasi mijëra të punësuar nuk janë të deklaruar me pagat reale. Selami Xhepa: Të gjithë sipërmarrësit, punëdhënësit apo edhe punëmarrësit kanë interes që të shmangin mënyrën e raportimit të të dhënave, duke përfituar nga parashikimet që ka vetë ligji që të ardhurat mund të fragmentarizohen në burime të ndryshme dhe për rrjedhojë të shmangin pagimin e plotë të barrës fiskale. Kjo ka bërë që efektivisht regjimi i politikës së taksimit progresiv të konsiderohet i dështuar në këndvështrimin e efekteve që duhet të prodhonte në ekonomi, që duhet të siguronte më shumë të ardhura për buxhetin. Së dyti, është provuar edhe me studime empirike që kjo barrë ka goditur më shumë të ardhurat e shtresës së mesme të qytetarëve. Në këto kushte, Xhepa pohon se skema e tatimit të sheshtë mbi pagat është më efektive. Selami Xhepa: Mënyra më e thjeshtë është tatimi i sheshtë, sepse pavarësisht se do të mbledhësh së bashku pagën me shpërblimin apo do t’i ndash veç e veç, kjo është thjesht proporcionale dhe shmang çdo lloj devijimi. Së dyti, për të mbrojtur të ardhurat e qytetarëve për atë kategori të popullsisë që mund të ndikohet negativisht nga taksa e sheshtë mundet të rritet pragu përjashtues, për një kategori të ardhurash të ulëta, të cilat mund të përjashtohen fare nga tatimi. Aktualisht, qeveria takson progresivisht vetëm pagat, ndërsa të ardhurat e tjera, si qiraja, shpërblimet, apo e drejta e autorit taksohen me normë fikse, 15 për qind.