Si do pastrohen paratë e mafias

284

Buxheti i qeverisë për vitin 2018 është një skemë e pastër e pastrimit të parave të drogës që janë në qarkullim. Rama ka gjetur mekanizmin për t’i futur paratë në ekonomi. Trekëndëshi, krim, qeveri, banka është ai i kthimit të ekonomisë në një ekonomi kriminale.
“Këto janë javët e krimit dhe të drogës dhe buxheti është i krimit dhe i drogës, është buxheti i pastrimit të parave të drogës. Njëkohësisht është buxheti i varfërimit deri në palcë të shqiptarëve. Edi Rama do ta përdorë 2018-ën për të pastruar miliardat e drogës, të konsorciumit politiko–kriminalo-oligarkik.
Pra është një trekëndësh, në qendër është Edi Rama dhe qeveria, është një trekëndësh, shtet i kriminalizuar-narko shtet, karteli i drogës (ata që bëjnë kultivimin dhe trafikun e drogës) dhe ekonomia që po kriminalizohet, e përbërë nga oligarkë që pastrojnë paratë e drogës dhe trafikantë që blejnë bizneset e ndershme me paratë e drogës.
Javën e kaluar ndamë me gjithë shqiptarët nga Kuvendi, fazën ku ndodhet krimi i organizuar në Shqipëri. E nisi me kultivimin e kanabisit. Nuk është më kultivimi i kanabisit, veprimtaria kryesore. Jo. Me paratë e drogës të vitit 2015, 2016, krimi i organizuar ka kaluar në dy fusha të tjera. Fusha e parë që konfirmohet edhe sot nga raportet e BE, është trafiku i heroinës dhe kokainës dhe fusha e dytë më e rrezikshmja për shqiptarët, është kafshimi i ekonomisë publike dhe private të shqiptarëve. Që do të thotë se, krimi po zhvendoset në sheshet e ndërtimit në mes të Tiranës, po zhvendoset në bankat e Shqipërisë, pra në sistemin financiar të Shqipërisë”, është shprehur Basha.

Taksat u hiqen Balilëve dhe u shtohen 20 mijë bizneseve të vogla

Baronët e drogës dhe bizneset që kanë lulëzuar me paratë e tyre nuk do të taksohen. Ato do të jenë në skemën e të privilegjuarve të qeverisë. E kundërta do të ndodhë me 80 mijë bizneset e vogla, të cilave do t’u vendoset TVSH-ja duke i çuar drejt falimentimit masiv. Përfundimi i asaj që synohet nga Rama është që e gjithë ekonomia të kontrollohet nga oligarkët dhe baronët e drogës dhe shqiptarët të kthehen në skllevër të tyre.
“Krimi tashmë nga parcelat e kanabisit në majë të maleve apo në mes të fushave, po zhvendoset në mes të shesheve të Tiranës dhe në të famshmin projekt: “Një miliard euro” të Edi Ramës. Çfarë po ndodh? Shikoni çfarë thotë buxheti. Një biznes që fërgon peshq, që i blen nga peshkatari i zonës në qoftëse kalon xhiron prej 20 milionë lekë të vjetra në vit, do të futet në xhiron e TVSH. Pra biznesi që fërgon, skuq peshqit në zgarë, nëqoftëse bën xhiron 2,1 milionë do të paguajë TVSH. Ndërsa Klement Balilaj, Santa Quaranta dhe dhjetëra Santa Quaranta që do të ndërtohen nga baronët e drogës dhe oligarkët e lidhur me ta, hotelet me pesë yje, për dhjetë vjet nuk do të paguajnë tatim fitimin dhe TVSH do e paguajnë 6%
Nga baronët e drogës dhe oligarkët e lidhur me ta, hotelet me 5 yje për 10 vjet nuk do të paguajnë tatim-fitimi dhe TVSH-në do e paguajë 6%.
Që të hash peshkun e zgarës tek ai biznesi i vogël që mban frymën gjallë duhet të paguash 20% TVSH me këtë buxhet.
Që të hash aragostën apo ngjalën tek Santa Quaranta apo tek hotelet me 5 yje që duan të ndërtojnë oligarkët me baronët e drogës do të paguash vetëm 6% TVSH dhe për 10 vite, ata s’do të paguajnë as tatim-fitimi.
Ky është buxheti që tregon më qartë se çdo gjë tjetër se Edi Rama ka përgjegjësinë dhe është aksioner i drejtpërdrejtë i kartelit kriminalo politik.
Ja çfarë po bën; pasi e mbushi Shqipërinë me drogë, pasi e ktheu në delen e zezë të Europës, pasi mbylli derën e integrimit europian, pasi e zhyti në kolaps ekonominë, duke përfshirë fakir-fukarenjtë që i zhyti në biznesin e drogës dhe që sot e shesin më lirë se çajin. Tani paratë e drogës do t’i pastrojë për veten e tij dhe për miqtë e tij”, u shpreh Basha.

Betejë në të gjitha frontet

Kryetari i PD, Lulzim Basha paralajmëroi dje votën kundër buxhetit të 2018, ndërsa deklaroi se opozita bashkë me partnerët ndërkombëtarë nuk do të lejojnë projektin e nisur nga Rama përmes këtij buxheti, i cili parashikon pastrimin e parave të drogës, pasurimin e oligarkëve pranë Ramës dhe sigurisht varfërimin e mëtejshëm të shqiptarëve.
Basha i kujtoi Ramës se ditët e tij në qeverisje janë të numëruara dhe se ora e fundit të tij po vjen me shpehtësi marramendëse.
“Natyrisht, vota jonë do të jetë kundër, por ky është vetëm fillimi i një beteje, e cila do të zhvillohet në të gjitha frontet dhe do të rrëzojë, siç po rrëzon një nga një gurët e shahut. Tahirët dhe ata që janë pas tahirëve do të përgjigjen përpara drejtësisë dhe ora për këtë po afron me shpejtësi marramendëse”, tha Basha pas mbledhjes së grupit të PD.

Pse Guvernatori s’mund të heshtë

Guvernatori i Bankës duhet të prononcohet mbi rrezikun e përfshirjes së bankave në skemën e pastrimit të parave të qeverisë. Ajo që duhet të bëjë Seiko është ajo që ka bërë edhe FMN, e cila ka deklaruar zyrtarisht rrezikun që i kanoset sistemit bankar nga futja në skemë e Bankës së Linda Ramës, e cila ka si skemë të vetme pastrimin e parave. Guvernatori duhet të kujtojë se është aty për të siguruar bankat dhe depozitat e shqiptarëve dhe jo për ti bërë ato njësh me mafian.

Çmenduria e Bashkisë, 60 milionë euro për 14 shkolla, skema pastrimi

Mjafton të shohësh projektin e Bashkisë Tiranë 60 milionë euro për ndërtimin e 14 shkollave për të kuptuar se kjo është një skemë e mirëfilltë pastrimi parash në vetëm një nga projektet e shpallura për dhënien me koncesion. Me 60 milionë euro do të ndërtoheshin minimalisht 30 shkolla, ndërsa me projektin e Rama-Veliaj do të ndërtohen vetëm 14 shkolla.
“E dyta është projekti 1 miliard euro. Projekti 1 miliard euro i konçesioneve nuk është gjë tjetër, veçse pastrimi i parave tanimë jo vetëm në ekonominë private, por edhe në ekonominë publike, që do të thotë tendera të rrugëve, shkollave, spitaleve, tashmë do të jenë konçesione, ku do të pastrohen paratë e drogës, pa tender, pa konkurrencë, pa transparencë, do t’i jepen disa kompanive, të cilat ose vetë ose përmes marrëdhënieve të nëndheshme, do të pastrojnë paratë e drogës.
Si do t’i pastrojnë? Marrim një shembull. 14 shkolla të Tiranës, 60 milionë euro, është një buxhet i tejfryrë. Me 60 milionë euro, mund të ndërtosh 30 shkolla. Mund të ndërtoheshin minimalisht 25 shkolla të mira. Përse ndërtohen vetëm 14? Dhe përse Bashkia duhet të paguajë dyfishin e interesit që do të paguante normalisht në qoftë se do t’i ndërtonte vetë ato shkolla? Sepse me këtë projekt, sikundër me projektet e kocesioneve në rrugë dhe kudo tjetër, shqiptarët do të paguajnë dyfish çmimin e rrugës, do të paguajnë dyfish qiranë e borxhit dhe do të paguajnë 10 fish pastrimin e parave të drogës. Çdokush tjetër do të humbasë. Më pak para për shtresat në nevojë, në ndihmë ekonomike, më pak para për pensionistët, për buxhetorët. Rritja e rrogave do të jetë minimale, nuk do të plotësojë dot as indeksimin për inflacionin. Më pak para për fermerët, për biznesin e vogël dhe të mesëm, për investimet, për shëndetësinë. Gjithçka tregon që ky do të jetë një buxhet i rrënimit dhe i gërmimit të xhepave për shqiptarët, nga shtresa e mesme deri te shtresat më të varfëra, nga fermerët tek biznesi i vogël. Të vetmit që do të përfitojnë do të jenë lordët, baronët e drogës, sepse me këtë buxhet do të pastrohen paratë.
Skema e parë është skema fiskale, projekti fiskal. Uli taksat për investimet e luksit, për hotelet me 5 yje që në të gjithë botën, mjafton të bëni një kërkim sado modest, në të gjithë botën një nga rrugët kryesore për pastrimin e parave janë ndërtimi dhe tek ndërtimi kategoria kryesore e pastrimit të parave janë hotelet luksoze. Për këta, për pastrimin e parave do të ulë taksat, për të gjithë të tjerët do të rrisë taksat, do të fusi në nivelin e TVSH-së”.

Buxheti të hetohet nga Prokuroria, DEA dhe FBI

Kryetari i PD, Lulzim Basha deklaroi dje se buxheti i shtetit 2018 duhet të hetohet dhe të administrohet ligjërisht nga Prokuroria, DEA dhe FBI si dhe nga organet e akuzës së Italisë e Gjermanisë si një provë e lidhjeve të Ramës me trafikun e drogës. Basha paralajmëroi Ramën se as opozita dhe as partnerët ndërkombëtarë nuk do ta lejojnë atë që të varfërojë shqiptarët, duke pasuruar baronët e drogës pranë tij. “Shqiptarët do të zhyten në mjerim. Baronët e drogës, oligarkët dhe Edi Rama, do të pasurohen marramendshëm vetëm se tani paratë do t’i nxjerrin nga skutat, ku i kanë futur dhe do t’i qarkullojnë në mënyrë të ligjshme nëpërmjet këtyre dy skemave; ndërtimet, ndërtimeve luksoze, turizmit dhe hoteleve të drogës nga njëra anë dhe kalimit të parasë së pisët të drogës për ndërtimin e veprave infrastrukturore me dyfish çmimin dhe dyfish interesa. Projekt-buxheti i 2018-ës jo vetëm politikisht, por edhe ligjërisht, duhet të administrohet nga Prokuroria shqiptare, nga FBI, nga DEA, nga Prokuroria italiane, gjermane, si një provë ligjore e implikimit të Edi Ramës në trafikun e drogës dhe pastrimit të parave të drogës. Një gjë është e sigurt, për këdo që ka bërë hesape që përmes këtij projekt-buxheti të nisë pastrimin e parave të drogës, të mendojë mirë. Themelet e kësaj ngrehine, sapo kanë filluar të shkunden. Nuk do të lejojë as Europa, as opozita shqiptare, as shqiptarët e ndershëm që të vazhdojë varfërimi i tyre me këtë projekt-buxhet, ndërkohë që vazhdon pasurimi i oligarkëve dhe i baronëve të drogës”, u shpreh Basha.

Enton DACI