Pensionet, fshati braktis skemën

112

Në vitin 2016, ecuria në skemën e pensioneve u karakterizua nga një seri zhvillimesh të rëndësishme, ku mes të tjerave një tkurrje me 40% e kontribuuesve të fshatit. Referuar raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, për zbatimin e buxhetit faktik, rezulton se vitin e kaluar, kontribuues nga fshati ishin 53,168, duke shënuar rënie në raport me 2015. “Rezultati financiar i degës së pensionit të fshatit mbetet problematik për shkak të numrit të vogël të të siguruarve në bujqësi dhe nivelit të ulët të pagës minimale. Kështu, deficiti financiar i degës së pensioneve të fshatit ka rezultuar 11,593.2 milionë lekë, nga 10,716.3 milionë lekë që ishte një vit më parë, ose 8.2% më shumë se një vit të parë”, thuhet në raportin e KLSH. Kjo situatë ka përkeqësuar edhe raportin e mbulimit, ku të ardhurat nga dega e pensionit të fshatit mbulojnë vetëm 22% të shpenzimeve të kësaj dege, në krahasim me 28% një vit më parë. Situata paraqitet më mirë në qytet, ku kemi një rritje të mbulimit. Në fund të vitit 2016, të ardhurat nga dega e pensionit të qytetit mbulojnë 80.7% të shpenzimeve të kësaj dege, në krahasim me 77.7% një vit më parë. Në total, e gjithë skema duket se ka një ulje të deficitit, i cili ka ardhur si efekt i rritjes së të ardhurave me 10.4% dhe uljes së shpenzimeve me 6.3% në raport me një vit më parë. Efekt pozitiv duket se ka dhënë rritja graduale e moshës së daljes në pension për gratë me dy muaj çdo vit. Në vitin 2016, efekti i kësaj mase llogaritet në 400 milionë lekë.