Kriza e ujit apo kriza e turpit?

203

“Monitor”

Në Europë, Tirana është kryeqyteti i vetëm i shqiptarëve që me ujë të pijshëm furnizohet rrallë dhe me ndërprerje. Edhe në Prishtinë nuk ka 24 orë ujë të pijshëm, por kufizimet janë vetëm gjatë natës dhe në tarracat e shtëpive në Kosovë nuk ka depozita. Ndërsa në Tiranë, furnizimi është vetëm dy herë në ditë, nga dy orë për çdo herë. Në të gjithë Shqipërinë, vendi që kërkon të hapë momentalisht negociata për anëtarësimin në BE, panorama është më dramatike.
Instituti i Statistikave jep të dhëna se gati 3% e popullsisë nuk ka asnjë mundësi të furnizohet me ujë. Rreth 30% e gjithë popullatës, ose nuk kanë ujë ose në rastin më të mirë kanë vetëm një çezmë jashtë godinës, kurse në fshat jeton në të tillë mjerim rreth 50% e banorëve.
Prej dekadash, uji për shqiptarët është një legjendë dhe qeveritë që prej ish-drejtuesit të fundit komunist Ramiz Alia, kanë udhëtuar me dështimin.
Ditët e fundit, qeveria e fundit e socialistëve, është shprehur e gatshme të fillojë t’i japë përgjigje problemit. Kryeministri, zoti Rama, i tha publikut se qeveria e tij nuk do të lejojë askënd që të mos paguajë ujin që konsumon, duke paralajmëruar një aksion me forcë ndëshkimi të ngjashme si me energjinë elektrike. Ata po përpiqen të na shpjegojnë në këtë mënyrë se nyja e madhe e problemit është dhe do të fillojë të shplekset nga mbledhja e faturave të papaguara dhe ndërprerja e lidhjeve të paligjshme.
Në dukje, çështja është financiare. Por nëse vlerësojmë faktet reale do të shikojmë më qartë se rruga që qeveria propozon ka doza demagogjie që kërkojnë ta damkosin me njollën e turpit popullatën si përgjegjësen e problemit dhe, nga ana tjetër, të krijojë alibinë politike se kriza e ujit lind nga shqiptarët “e paedukuar” që nuk janë mësuar të paguajnë për çka konsumojnë.
Qeveria thotë se, ka argumente, pasi 65% e ujit të lëshuar në tubacione nuk faturohet se vidhet ose një pjesë tjetër nuk paguhet. Por pyesim: nëse i gjithë uji që del nga ujësjellësit paguhet, a do të ketë më pas furnizim pa ndërprerje për çdo familje dhe cilësia e ujita do të jetë e tillë që mund ta pish nga rubineti?
Në Tiranë, çmimi i ujit për familjarë është 45 lekë/metër kub ose 0.045 lekë/litër. Çmimi mesatar në të gjithë vendin (pasi ndryshon në varësi të tarifave të vendosura në çdo njësi të pushtetit vendor) është rreth 0.04 lekë/litër. Nga të dhënat zyrtare rezulton se konsumi mesatar mujor për një familje me katër anëtarë është 12 mijë litra në muaj dhe fatura arrin në rreth 480 lekë në muaj, pa tarifat e tjera dhe taksat.
Por faktet e mbledhura nga e përditshmja e jetës shqiptare dhe beteja e mundimshme me ujin na tregojnë se një familje bën shpenzime të tjera për ujin që përdor për të pirë, të paktën 1500 lekë në muaj, duke konsumuar 150 litra ujë të ambalazhuar. Pra, tre herë më shumë se fatura e ujësjellësit dhe gati 80 herë më pak litra ujë!!! Kaq pa logjikë financiare jemi, sa të paguajmë më shtrenjtë një mall në treg kur mund ta marrim disa herë më shumë dhe disafish më lirë nga ujësjellësit?
Vetë Enti i Ujit ka llogaritur që duke përfshirë shpenzimet për depozita, pompa, konsum energjie, mirëmbajtje (pa llogaritur kostot për kurimin nga sëmundjet që shkaktohen nga uji i depozitave), çmimi i paguar nga një familje arrin deri 250% e faturës së Ujësjellësit.
Këto llogari rrëzojnë etiketimet se shqiptarët nuk paguajnë për ujin e pijshëm. Përkundrazi, paguajnë shtrenjtë, rreth 1 dollar/metër kub ose më shumë se banorët e Podgoricës (0.65 USD/litër) që kanë ujë pa ndërprerje dhe e konsumojnë direkt nga rubineti.
Ka diçka që duket se nuk shpjegohet, pse shqiptarët janë të gatshëm të paguajnë kaq shtrenjtë në treg në krahasim me tarifat shtetërore dhe nuk e paguajnë atë tek entet publike?
Fatura e ujit që nuk paguhet është fatura e refuzimit ndaj paaftësisë së shtetit dhe mospajtimit me gjendjen ku ata jetojnë prej vitesh: ujë 1-2 herë në ditë dhe me cilësi shpeshherë të rrezikshme për jetën e tyre. Jo më kot, edhe shifra e mospagesës përafron me numrin e popullatës që sot s’kanë fare ujë ose kanë një rubinet të përbashkët jashtë ndërtesës!
Ndaj kriza e ujit nuk është kriza e faturës, por kriza e turpit që shqiptarët po vazhdojnë të paguajnë shtrenjtë. Ajo është fatura e besimit të rrëzuar nga vjen bindja shumëvjeçare se veprimi politik për zgjidhjen e problemit duket po aq i amortizuar sa dhe investimet e bëra për ujin.