Emri i Vangjush Dakos në resortin e Gjirit të Lalzit dhe dhuna ndaj biznesmenit libanez

76

Më 10 shtator të vitit të kaluar, biznesmeni libanez Faad Mitri u dhunua barbarisht në sy të familjes së tij dhe ndonëse ngjarja nuk u zbardh, dyshimet u hodhën mbi një konflikt që ai kishte me disa persona që pretendonin tokën në Gjirin e Lalzit, ku do të ngrihej një resort me vlerë 450 milionë dollarë.

Konflikti për këtë pronë është rikthyer sërish.
Në redaksinë e Politiko.al është denoncuar sulmi i 15 personave ndaj rojeve të kompanisë ‘Omnix’, e cila ka një kontratë qiraje me qeverinë shqiptare. Personat kanë prishur gardhin dhe pasi kanë larguar rojet, kanë ngritur aty një tjetër gardh.

Policia është njoftuar për ngjarjen, por përgjigjja ka qenë se “nuk i pengojmë dot pasi ata janë pajisur me certifikatë pronësie dhe leje për ndërtimin e gardhit, i firmosur nga kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako”.

Megjithatë, nga kompania sqarojnë se nuk janë njoftuar për ndonjë vendim gjykatë që i njeh kalimin e pronës shtetasit, Pal Selçuni.

Më 22 shtator të 2016-ës, Prokuroria e Durrësit sekuestroi pronën prej 45 mijë metra katrorë në Gjirin e Lalzit, për shkak të vendimeve të dyshimta të gjykatës. Vitin e kaluar, Prokuroria hodhi dyshime se shtetasi Pal Selçuni e ka përfituar pronën me një vendim gjykate në korrik të vitit të kaluar përmes akteve të falsifikuara. Që prej atij vendimi, prona vijonte të ishte në sekuestro preventive.

Por, ditën e djeshme janë shfaqur 15 persona në tokën e kthyer në burim konfliktesh, së bashku me një polic bashkiak dhe një topograf. Ata nuk kanë lejuar përfaqësuesit e kompanisë të afrohen në pronën që kanë me qira.

Ndërkohë, për atë sipërfaqe toke gjenden dy dokumenta zyrtare që janë firmosur nga ish-zëvendëskryeministri Niko Peleshi, leja e ndërtimit të projektit dhe kalimi i asaj sipërfaqeje me ‘VKM’ tek Ministria e Turizmit për ndertimin e resorit.

Nga kompania ‘Omnix’ ritheksojnë se nuk kanë informacion nëse prona e sekuestruar i është njohur shtetasit Selçuni, 72 vjeç, i cili gjithsesi, në një deklaratë për mediat, ka mohuar të ketë pasur konflikte me biznesmenin Mitri dhe pretendime mbi tokën.