Betonizimi nuk ndalet, Rama miraton kulla të reja nga 25 kate

831

Nga Vincent Van Gerven Oei

Në heshtje të plotë dhe mungesë transparence, pa asnjë dokument të botuar në faqen e vet zyrtare (e pa rifreskuar që nga korriku), Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) i kryesuar nga Kryeministri Rama, miratoi të premten ndërtimin e një tjetër grupi kullash në qendër të Tiranës, nga studiot e arkitekturës dhe firmat e ndërtimit të lidhura ngushtë me qeverinë Rama dhe me skandale të shumta.
Ndërtesa e parë e miratuar është një kullë “multifunksionale” 24 katëshe-një tjetër qendër tregtare me apartamente në pjesën e sipërme-e cila do të ndërtohet përgjatë rrugës së “Kavajës”, në vendin ku ndodhej ish-Muzeu i Shkencave të Natyrës, pranë kryqëzimit të “21 Dhjetorit”. Ndërtesa, e cila sipas përshkrimit “ruan kujtimin e natyrës”, përfshin pemë në fasadë dhe krijon një imazh të ngjashëm me atë të “pyjeve të varura të Babilonisë”, apo me pyllin vertikal të ndërtuar nga Stefano Boeri në Milano.
Për fat të keq, pretendimet se këto ndërtesa janë “ekologjike” dhe “të qëndrueshme”, aq të ekzagjeruara mediatikisht, janë provuar se janë të tej fryra:
Dëshironi të bëni një kullë shumëkatëshe të duket moderne dhe e qendrueshme? Vendosni një pemë mbi të. Ose më mirë akoma, dhjetëra prej tyre. Shumë projekte për kulla të larta janë të mbushura me pemë. Në tarraca, në ballkone të stërmëdha, në qoshe, në të çara apo në çdo dalje tjetër të mundshme. Praktikisht kudo, në çdo sipërfaqe horizontale dhe disa metra mbi tokë. Por, më duhet të them se arkitektët thjesht i vizatojnë ato dhjetëra pemë, sepse ende nuk kam parë ndonjë nga këto kullat “e gjelbërta” në jetën reale.
Ka shumë arsye shkencore se përse kullat nuk kanë dhe, ndoshta, nuk do të kenë pemë, të paktën jo në lartësitë që propozojnë shumë arkitektë. Jeta është e padurueshme atje lart. Për ty, për mua, për pemët, praktikisht për çdo gjë përveç skifterëve grabitqarë. Është ftohtë, nxehtë, ka erë, shirat përplasen tek ti dhe bora dhe lloha të godasin me vrull. Jeta në qytet për pemët është mjaftueshëm e vështirë. Nuk mund ta imagjinoj se si do të jetë në 150 metra në lartësi, ku çdo ndryshim klimaterik është më i skajshëm se në nivelin e rrugës. Pemët thjesht nuk janë bërë për këto kushte.
Nëse dikush dëshiron të krijojë një pemë që mund të mbijetojë në majë të një kulle, them se mund ta provojë. Por mendoj se ka plot gjëra më të mira, në të cilat duhet të përqendrojmë përpjekjet dhe kohën, si ruajtja e vendeve në tokë, ku ka pemë që rriten ose mbjellja e më shumë pemëve në rrugët që kanë nevojë për to.
Për të mos thënë, që krahasimi mes renderit në kompjuter të ndërtesës së Boerit dhe ndërtesës së vërtetë të realizuar është i madh dhe “pylli” vertikal duket më shumë si ballkone të stërmëdha me disa pemë të vogla.
Duket se studio e arkitekturës Archea Associati thjeshtë po i bashkohet valles së Boerit, sepse në Tiranën e Erion Veliajt çdo gjë që duket e gjelbër është “ekologjike” dhe “e qëndrueshme”, pa menduar për ciklin e plotë të karbonit, i cili përfshin edhe dioksidin e karbonit që prodhohet nga këto ndërtime masive dhe të panevojshme betoni.
Përveç këtij projekti, studioja Arche Associati e italianit të dënuar për korrupsion Marco Casamonti, është gjithashtu studioja projektuese e dy prej projekteve më të korruptuara në Shqipëri. Njëri prej tyre është stadiumi i ri kombëtar, që përfshin shkatërrimin e trashëgimisë kulturore dhe transferimin e dyshimtë të pronës publike në një partneritet publik-privat të përjashtuar nga procedurat e tenderimeve dhe nga llogaridhënia përpara qytetarëve.
Projekti tjetër i Casamontit është Sheshi Veliera në Durrës, i cili ka shkatërruar në mënyrë të përhershme trashëgiminë e lashtë arkeologjike të qytetit, përfshirë vendbanimet bizantine, në shkelje të plotë të ligjeve që mbrojnë monumentet.
I njëjti arkitekt është gjithashtu përgjegjës për një nga sygërvishtësit më të mëdhenj në Tiranë, kulla e pambaruar dhe e falimentuar “4EverGreen Toëer” përballë Katedrales Ortodokse-deri tani e vetmja “kryevepër” e Casamontit në qytet.