Asnjë rritje pagash e pensionesh për 2018

111

Ridvan Bode, ish-ministër i Financave të PD-së në 8 vitet e qeverisjes së saj, deklaroi sot se buxheti i vitit 2018 do të rëndojë në xhepat e shqiptarëve rreth 48 milionë euro taksa të reja. Bode deklaroi se, për vitin që vjen qeveria nuk pritet të rrisë pensionet apo pagat e qytetarëve, por t’i godasë ata me më shumë taksa, duke bërë që në linjën e përgjithshme konsumi të pësojë rënie. “Qeveria vjen me një paketë fiskale që në thelbin e saj rrit taksat. 48 mln dollarë taksa shtesë neto. Në total, po t’i marrim këto 5 vite janë 5 mln dollarë taksa shtesë për qytetarët, pasi janë taksa konsumi, që janë shtuar gjatë kësaj periudhe. Qeveria e sheh se nuk ka si të rrisë konsumin. Kjo taksë e re që vendoset godet konsumin, pasi rëndojnë qytetarët e thjeshtë. Kemi rritje po ashtu të disa taksave që cilësohen si taksa mbi konsumin. Qeveria ka deklaruar se do shkojë deri në tavanin poshtë 20 mijë lekë të reja në vit. Qeveria i kontribuon në mënyrë negative konsumit, dhe rritja e pensioneve nuk deklarohet qartë. Shuma e vendosur në buxhet do të jetë e mjaftueshme për shtesat e reja. Nuk mendoj se për 2018 të bëhet rritje pensionesh apo pagash. Mendoj se është vënë në qendër të goditjes nga pikëpamja e taksave. Thesi nga e cila qeveria do të nxjerrë të ardhura shtesë është buxheti i konsumit familjar”, tha Bode, i ftuar në “News24”. Nga ana tjetër, ish-ministri i Financave, u ndal te borxhi që qeveria parashikon të marrë për të kryer investime, por paralajmëron se borxhet e padeklaruara dhe të shtrira në periudha të gjata do të sjellin efektin e kundërt, pra do të dëmtojnë kurbën e rritjes ekonomike. “E kam denoncuar idenë për të filluar marrjen e një borxhi të padeklaruar, me shuma të mëdha dhe me periudha afatgjatë. Mund të përfitojë një rritje të përkohshme, por nuk përfiton dot. Nuk mund të themi se është investim i shëndetshëm që po lufton papunësinë. Këto krijojnë iluzione të gabuara, pasi duket sikur kemi rritje ekonomike. Nuk mendoj se është sektori që mund të mburret që po rrit ekonominë. Janë të tjera politika që japin një rritje të qëndrueshme. Forcimi i barrës së taksave dhe rritja e represionit të qeverisë janë shenja të këqija që i kontribuojnë shtimit të pasivizmit. Burimet hidrike janë në minimumin e tyre, i gjithë rajoni i përfshirë nga thatësira. Kemi rritje të çmimit të energjisë elektrike”, theksoi ai.