Akuzat penale kundër Kryeministrit Edi Rama

1728

Nga Erl Kodra

Prokurori i Përgjithshëm, ose çdo prokuror i thjeshtë në Republikën e Shqipërisë, mund të proçedojë penalisht Kryeministrin Edi Rama. Në të vërtetë, pavarësisht se kush është sot Edi Rama dhe çfarë fuqie politike përfaqëson ai, kjo iniciativë penale në emër të Republikës së Shqipërisë, është plotësisht e realizueshme. Realisht, unë besoj se kjo është e mundur; madje nuk ka dhe nuk mund të ketë pengesë ligjore që mund ta ndalojë këtë ushtrim të detyrës për ndjekje penale nga Prokuroria, sa kohë që provat e falsifikimit të fakteve ekzistojnë, në disa forma;
1. Prova në formën e Raporteve Zyrtare të Agjensive Ligjzbatuese, SHISH, Prokurori e Përgjithshme në lidhje me përhapjen masive të kultivimit dhe trafikimit të drogave në të gjithë territorin e vendit,
2. Prova filmike televizive, me zë dhe figurë, ku Kryeministri Edi Rama i mohon publikisht ekzistencën e faktit,
3. Prova se Kryeministri Edi Rama nuk ka ndërmarrë asnjë veprim, nuk ka dhënë asnjë urdhër ose nuk ka vënë në zbatim asnjë nga mekanizmat ligjorë për të penguar përhapjen masive të kultivimit dhe trafikimit të drogës në Shqipëri.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e ngarkon Kryeministrin e vendit me detyra dhe përgjegjësi ligjore. Mos përmbushja e këtyre detyrimeve kushtetuese nga Kryeministri i vendit, përbën shkeljen më të rëndë ligjore, të ligjeve kushtetuese dhe Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Pasojat e jashtëzakonshme për jetën e çdo qytetari të Republikës (pasoja të përgjithshme) si dhe pasojat individuale për qindra mijëra persona të kriminalizuar si të përfshirë në kultivimin dhe trafikimin drogave. Për më tepër, krimet kundër jetës (vrasjet, plagosjet) e një numri të konsiderueshëm qytetarësh, si pasojë e përhapjes masive të kultivimit dhe trafikimit të drogave.
Faktet
1. Shërbimi Informativ i Shtetit (SHISH) është Agjensia Kryesore përgjegjëse për Sigurinë Kombëtare, e cila informon me anë të raporteve periodike Kryeministrin dhe Presidentin për çdo rrezik eventual që i kanoset vendit. Sipas informacioneve të provuara edhe publikisht, SHISH ka informuar me anë të Raporteve të njëpasnjëshme Kryeministrin e vendit dhe Presidentin e Republikës për situatën reale në terren lidhur me kultivimin dhe trafikimin e drogës në Shqipëri. SHISH ka hartuar edhe lista me zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit të përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e drogës në të gjithë territorin e Shqipërisë. Këto Raporte përbëjnë faktin dhe provën kryesore, që provon se Kryeministri i vendit ka qenë në dijeni në kohë reale se çfarë po ndodh në të gjithë vendin lidhur me kultivimin dhe trafikimin e drogës.
2. Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, e thirrur nga Presidenti i Republikës ekzaktësisht për këtë çështje të jashtëzakonshme është injoruar publikisht nga Kryeministri Edi Rama. Injorimi dhe denigrimi i një institucioni kushtetues, siç është Këshilli i Sigurisë Kombëtare, si institucioni më i lartë përgjegjës për sigurinë e vendit, mospjesëmarrja në mbledhjen e thirrur nga Presidenti i Republikës për këtë çështje, qëndrimet publike injoruese ndaj çdo raporti, të dhënë, qëndrimit të opozitës, akuzave konkrete për emra konkretë të përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e drogës, informacioni publik dhe mediatik, të vendit dhe të huaj, tregon qartë se Kryeministri Edi Rama me vetë dije të plotë, ka konsumuar veprën penale të “falsifikimit të faktit” nisur nga pozitat e Kryeministrit.
3. Raportet periodike të SHISH si dhe Raportet e njëpasnjëshme të disa shërbimeve të inteligjensës së vendve aleate janë prova të pakundërshtueshme se Kryeministri Edi Rama ka qenë në dijeni të plotë të faktit. Këto raporte janë zyrtare, me numër protokolli dhe faqesh, të sigluara dhe të firmosura nga krerët e këtyre institucioneve. Mbi bazën e këtyre Raporteve duhej të veprohej menjëherë, të hartohen plane operacionale, të përcaktohen detyra dhe prioritete. Në të vërtetë nga ana e Kryeministrit Edi Rama nuk është vepruar, përkundrazi, qëndrimi i tij ka qenë injorues dhe mohues ndaj faktit.
Për këto arsye, Kryeministri Edi Rama duhet të shkarkohet menjëherë nga Parlamenti i Republikës së Shqipërisë dhe të dërgohet për ndjekje penale, me akuzën:
1. Shkelje e rëndë, për qëllime të caktuara e rendit dhe sigurisë publike,
2. Shkelje e rëndë e Sigurisë Kombëtare, në bazë të neneve 213, 214, 215, 217, të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.