Shqipëria, tjetër raund eliminatoresh

83

Në datën 19 tetor, Shqipëria e 17-vjeçarëve do të nisë një tjetër raund eliminatoresh pas suksesit të vitit 2014, ku arriti të kualifikohej në Elite Round. Kuqezinjtë bëjnë pjesë në Grupin 2 kualifikues të Europianit bashkë me Spanjën, Kroacinë dhe Lihtenshtejnin. Një grup shumë i vështirë, por jo i pakalueshëm për trajnerin Xhemal Mustedanagiç, i cili doli përpara gazetarëve në konferencën për shtyp i mbushur me optimizëm dhe me besim se skuadra e tij mund t’ia dalë edhe përballë superfuqive si Spanja e Kroacia. Fillimisht, ai u ndal te puna pozitive e bërë nga Panucci dhe Bushi, duke u shprehur se ndeshjet e zhvilluara nga dy skuadrat e tyre pasqyrojnë një rritje progresive të futbollit shqiptar. Në vijim, trajneri boshnjak i 17-vjeçarëve u ndal te faza eliminatore që starton në datën 19 tetor kundër Kroacisë në “Selman Stermasi” dhe vazhdon më pas me përballjet ndaj Spanjës dhe Lihtenshtejnit po në vendin tonë, pasi e gjithë kjo fazë do të luhet në Shqipëri.
“Ashtu si çdo vit tjetër kemi një grup të vështirë. Kemi luajtur më përpara me Holandën, Zvicrën, Italinë, Maqedoninë, por unë mendoj që ky aktuali është grupi më i vështirë, pasi Spanja është një skuadër me traditë dhe shumë talente. Ata bashkë me Kroacinë janë favoritë, por ne kemi një ekip të mirë dhe mund të bëjmë një surprizë në këto eliminatore. Qëllimi jonë është që të bëjmë një prezantim të mirë dhe të kualifikohemi në Elite Round. Duhet të luajmë mirë dhe do të synojmë të luajmë futboll modern, por duhet parë se sa do të na lejojë ekipi kundërshtar. Gjithsesi, qëllimi jonë është që t’i shërbejmë sa më shumë ekipit të parë. M’u bë qejfi kur pashë Ndojin me ekipin A dhe në të ardhmen duhet ta furnizojmë sa më shumë skuadrën e parë”, u shpreh Xhemal Mustedanagiç.
Me një karrierë të gjatë drejtuese, Mustedanagiç ka punuar edhe në Kroaci dhe ky mund të jetë një avantazh për kuqezinjtë në ndeshjen e parë. Trajneri boshnjak kërkon t’i bëjë një surprizë të hidhur skuadrës rivale, pasi për të kjo ndeshje ka edhe aromën e një derbi. “Kam punuar me U-17 dhe U-19 të Kroacisë, por edhe me Dinamon e Zagrebit dhe e kam vëzhguar Kroacinë, pra dëshira ime është t’i bëjmë një surprizë edhe pse nuk është e lehtë. Kam evidentuar disa pika të dobëta të Kroacisë dhe aty do të tentojmë t’i godasim”, tha ai.
Ka punuar në Kroaci, por e tashmja e tij është Shqipëria. Mustedanagiç e shikon me optimizëm të ardhmen e futbollit shqiptar, madje ai bën një parashikim befasues. “Do ta shikoni që në të ardhmen, Shqipëria do të jetë edhe në Europian edhe në Botëror. Në të ardhmen, Shqipëria për lojtarët që luajnë jashtë do të jetë zgjedhje e parë. Marr si shembull Zvicrën, ku shqiptarët do të mendojnë si zgjedhje të parë Shqipërinë”, tha Mustedanagiç.
Gjatë konferencës së shtypit, ai prezantoi edhe listën me 24 lojtarët e grumbulluar për këtë fazë eliminatore, ku bie në sy prania e një numri të madh emrash që aktivizohen në ekipet shqiptare.