Shoqata e Bashkive kundër qeverisë për taksën e pronës

213

Shoqata e Bashkive ka kundërshtuar vendosjen e taksës së pronës në bazë të vlerës. Kreu i shoqatës, Agron Haxhimali, argumenton se qytetarët tashmë do të paguajnë trefish më shumë, ndërsa ngre si shqetësim faktin se të dhënat e bashkive nuk korrespondojnë me ato të hipotekave. Haxhimali bën me dije se kjo taksë do të aplikohet në të gjithë njësitë vendore. Mbledhja e taksave në bazë të vlerës së shtëpive do të rëndojë më shumë xhepat e qytetarëve dhe kjo do të vështirësojë mbledhjen. Ky ka qenë argumentimi i kreut të Shoqatës së Bashkive, Agron Haxhimali. “Database e pronave në bashki ka nevojë të harmonizohet me të dhëna që ka zyra e regjistrimit të pronave pranë secilës bashki, marrëdhëniet e të cilave nuk janë shumë të mira. Ka probleme me mbivendosjen e pronave me pronarët e rinj apo pronarët e vjetër dhe të gjithë këto elementë e vështirësojnë punën e bashkisë”, thotë Haxhimali.
Ai thotë se pushteti vendor nuk është i përgatitur për të vjelë këtë taksë. Ndërsa pritet që më 2018 kjo taksë do të aplikohet në të gjitha bashkitë. “Do të paguajë dyfishin, trefishin apo katërfishin e kësaj shume që paguan tani. Do të thotë, një shtëpi në Tiranë që ka vlerën 100 mijë euro, një qytetar sot ka paguar 10-15 euro në vit, në vitin 2018 do të paguajë 50, 70-100 euro në vit”.
Qytetarët shqiptarë do të paguajnë 0,05% të vlerës së banesave taksë në buxhetin e shtetit. Ky nivel është përcaktuar në draftin e paketës fiskale për vitin 2018 dhe vlera e banesave do të përcaktohet në bazë të çmimeve të referencës që miratohen nga qeveria. Sipas kësaj takse një banesë me vlerë 100 milionë do të paguajë 5 mijë lekë në vit. Ndërkohë për godinat që përdoren për aktivitete ekonomike kjo taksë është parashikuar 0.15% e vlerës. Qeveria ka vendosur që mbledhjen e kësaj takse do ta bëjë nëpërmjet agjentit tatimor, i cili do të marrë 2% të totalit të të ardhurave. Por ende nuk është përcaktuar se nëpërmjet cilit institucion do të realizohet arkëtimi, ndërsa është përfolur se kjo mund të bëhet nëpërmjet faturës së energjisë elektrike. Aktualisht taksa e banesës mblidhet në faturën e ujit dhe është fikse. Por ndryshon në bazë të vitit të ndërtimit para dhe pas ‘93, si dhe në bazë të qyteteve. Shqipëria është një ndër vendet me nivelin me të ulët të mbledhjes së taksës së pronës dhe mendohet që projekti i ri do të zbatohet fillimisht në Tiranë për të vijuar më pas edhe në qytetet e tjera të vendit.
Ngritja e kadastrës fiskale, fillimisht për 2018 pritet të bëhet funksionale kadastra për katër bashki vetëm mbi taksimin e ndërtesave. Ky plan përcaktohet në projektbuxhetin e vitit 2018. Bashkitë që do të aplikojnë taksimin e ndërtesave sipas projektit të ri janë Tirana, Durrësi, Fieri dhe Korça.
Në vitin 2019 synohet realizimi i një databaze kombëtare të centralizuar për të gjitha pronat dhe mbulim tërësisht të territorit të Shqipërisë. “Synimi i këtij plani është ngritja e një sistemi të integruar të të dhënave mbi pasuritë e paluajtshme. Ky sistem do të shërbejë për të përmirësuar administrimin dhe performancën e taksimit të pasurisë, si dhe krijimin e bazës së nevojshme për të kaluar në një metodologji moderne llogaritjeje të taksës kalimin në sistemin e taksimit ku baza e taksës të jetë vlera e pronës”, shkruhet në relacionin e projektbuxhetit 2018.