Prodhuesit i kërkojnë qeverisë të përmirësojë klimën e biznesit

52

Bashkimi i Prodhuesve shqiptarë në një takim me ministren e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, kanë diskutuar rreth përmirësimit të klimës së biznesit, si dhe fokus të bisedës ka qenë edhe ulja e informalitetit.
Kërkesat e parashtruara ministres Sonila Qato, nga Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, në kuadër të përmirësimit të sektorëve të ndryshëm të prodhimit vendas ishin:
– Përmirësimi i klimës së biznesit nëpërmjet përforcimit të mekanizmave të dialogut publik-privat, duke kërkuar përfshirjen e këtij organizmi në grupe punë, tryeza teknike, komitetet dhe këshillat që do të marrin në shqyrtim ekonominë dhe çështjet e sipërmarrjes prodhuese. Si një masë paraprake u kërkua ndërhyrja në Ligjin për Konsultim Publik, duke kërkuar vendosjen e penaliteteve për nëpunësit ose zyrtarët publik, të cilët nuk e respektojnë këtë ligj.
– Ulja e informalitetit nëpërmjet shtrirjes së inspektimeve edhe te subjektet informale. Mbështetja e futjes së skemës së TVSh-së dhe në tregun e shitjes në pakicë. Rishikimi i legjislacionit për Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor, duke formalizuar dhe përsosur më tej strukturën organizative, në nivel lokal dhe kombëtar. Hartimi dhe implementimi i regjistrit elektronik të fermës, kartës elektronike të fermerit, si dhe krijimi i Qendrës Kombëtare të Agrobiznesit.
– Rritja e standardizimit dhe konkurrueshmërisë si faktor kyç për sfidën Evropiane dhe atë Ballkanike. Analizë të situatës aktuale të ekonomisë në krahasim me rajonin dhe për të parë avantazhet krahasuese. Propozim për ngritjen e një grupi pune me ekspertë nga ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes dhe me përfaqësues nga Bashkimi i Prodhuesve shqiptarë ku të diskutojnë dhe të japin zgjidhje problematikave të hasura nga sipërmarrësit prodhues vendas në sektorë të ndryshëm. Nxitja e eksporteve me vlerë të shtuar, rishikimi i tarifave për shërbimet portuale etj.