Policia e Elbasanit pajis me pasaportë një të shpallur në kërkim

52

Dy punonjës Policie në Elbasan janë pezulluar nga detyra, pasi kanë pajisur me pasaportë një të shpallur në kërkim. Strukturat e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA) Elbasan në bashkëpunim me Prokurorinë, pas një hetimi disa mujor proceduan penalisht 2 punonjës policie në Drejtorinë Vendore në Elbasan me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Nga hetimet rezultoi se, punonjësit e Policisë Inspektor F.B., me detyrë SPZ pranë Komisariatit Elbasan dhe Inspektor K.J., me detyrë SPZ pranë Stacionit të Policisë Belsh, nëpërmjet kryerjes së veprimeve në kundërshtim të hapur me ligjin, lejuan pajisjen me pasaportë biometrike të shtetasit A.D., i dënuar me vendim Gjykate dhe i shpallur në kërkim.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan caktoi ndaj dy efektivëve të Policisë masën e sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga neni 243 i Kodit Procedurës Penale. Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse ka punonjës apo struktura të tjera të përfshirë në aktivitet të kundraligjshëm.