Pas Tiranës, Bashkitë e majta nisin rritjen e çmimit të ujit

40

 

Rritet me 15 lekë çmimi i ujit për qytetarët e Korçës. Rritje do të ketë për konsumatorët familjarë dhe institucionet publike, ndërsa për bizneset private nuk ndryshon.
Rritja me 10 për qind është vendosur dje në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak të Korçës. Rritja e çmimit konsiston me 7 lekë për m3 të ujit të pijshëm, ndërsa për ujërat e përdorura me 8 lekë. Propozimi për ndryshimin e planit tarifor është bërë nga Drejtoria e Ujësjellësit, kjo për faktin se treguesit ekonomikë dhe investimet që janë kryer në rrjet duhen shlyer kreditë e marra.
Kjo rritje që do të bëhet ka sjellë shqetësimin e banorëve që e quajnë rëndesë në ekonominë familjare, pavarësisht se janë të kënaqur nga shërbimi. Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, është shprehur se investimet në rrjet janë votuar nga këshilli dhe se rritja e tarifave është parashikuar që në kohen kur u bë ujësjellësi i ri i Korçës, i cili është model në të gjithë Shqipërinë. Ndryshimi i tarifave nuk është mirëpritur nga këshilltarët e djathtë, të cilët nuk e kanë votuar këtë ndryshim. Çmimet e reja do të duhet të miratohen nga Enti Rregullator i Ujit për miratim para se të zbatohen nga shoqëria.
Një muaj më parë, Enti Rregullator i Ujit ka miratuar aplikimin e Ujësjellësit të Durrësit për rritjen e tarifave të furnizimit me ujë të pijshëm për këtë qytet. Kërkesa pati marrë më parë dhe opinionin pozitiv të Këshillit Bashkikak të Durrësit. Vendimi hyn në fuqi me 1 shtator dhe do të zgjasë për 4 vite.
Sipas vendimit të Entit, rritja më e madhe është për konsumatorët familjarë, për të cilët një metër kub ujë do të kushtojë 70 lekë nga 61 lekë që ishte. Ndërkohë për bizneset dhe sektorin publik rritja është 5 lekë për metër kub. Paralelisht fatura e ujit ka pësuar rritje edhe për pjesën e kanalizimeve.
Për familjarët tarifa shkon nga 37 lekë për metër kub në 50 lekë/m3. Rritje më të moderuar ka dhe për biznesin dhe sektorin publik. Njëkohësisht çdo klient do të paguajë 100 lekë në muaj si tarifë fikse. Këto tarifa kanë si objektiv sipas Entit Rregullator të Ujit, uljen e humbjeve, një furnizim për 7 orë e gjysmë në ditë me ujë dhe rritjen e arkëtimeve.