Memushaj në formacionin e dështimeve të Serisë A

34

Janë luajtur vetëm 7 javët e para në Serinë A, por megjithatë, “La Gazzetta dello Sport” ka ndërtuar formacionin me futbollistët e dështuar deri në këtë moment në kampionat. Mes emrave si Bertolacci, Cerci, Douglas Costa është edhe mesfushori i Kombëtares shqiptare Ledian Memushaj.
Një sezon më parë ishte kapiteni dhe një ndër futbollistët më të mirë të Pescara-s. Por edhe pse skuadra e tij ra në Serinë B, Memushaj u transferua në fundin e merkatosë së verës te Benevento.
Megjithatë, kur janë luajtur 7 javët e para, vlonjati ende nuk ka arritur të tregojë më të mirën e tij, ndoshta edhe për pasojë të lojës së dobët dhe pa rezultate të të gjithë skuadrës ku ai bën pjesë, pasi deri tani kanë koleksionuar vetëm humbje dhe mbajnë vendin e fundit në renditje me 0 pikë.
Edhe në Kombëtaren shqiptare, në dy ndeshjet e fundit ndaj Spanjës dhe më pas Italisë në Shkodër, Memushaj nuk arriti të ngrihej në nivelin e treguar në sezonin e kaluar.