Maskat terror në Korçë, grabisin 12 milionë lekë

117

Rikthehen maskat në Korçë, duke grabitur miliona lekë nën terror dhe dhunë ndaj banorëve, ndërsa policia ka fshehur ngjarjet. Burimet bëjnë të ditur se, maskat kanë kryer grabitje me armë në disa banesa në fshatin Boboshticë. Sipas të njëjtave burime, persona të maskuar dhe me armë kanë grabitur banesa të ndryshme, duke marrë sasi të mëdha parash. Në banesën e shtetasit K.D janë grabitur rreth 12 milionë lekë të vjetra. Tre persona të maskuar janë futur në banesën e shtetasit K.D dhe pasi kanë terrorizuar dhe dhunuar me armë pjesëtarët e familjes kanë arritur të marrin 12 milionë lekë. Sipas burimeve, maskat kanë ushtruar dhunë barbare ndaj të zotit të shtëpisë, duke e detyruar që të tregojë vendin ku ndodheshin paratë.
Po ashtu, një ditë më parë, maskat janë futur në mesnatë në banesen e shtetasit N.P, duke grabitur një sasi të madhe parash. Policia e Korçës nuk ka dhënë asnjë informacion për rastet e grabitjeve.
Një ditë më parë, tre persona të maskuar dhe të armatosur janë futur në një banesë në Vlorë dhe pasi kanë ushtruar dhunë e terror ndaj një çifti të moshuarish kanë grabitur një shumë parash dhe sende me vlerë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “1 Maji” të qytetit të Vlorës. Dy të moshuarit jetonin vetëm në shtëpi dhe në mes të natës, ata janë përballur me dhunën dhe terrorin e maskave. Nën kërcënimin e armëve, ata i kanë marrë një sasi parash dhe disa bizhuteri 81-vjeçarit Resmi Osmenaj dhe bashkëshortes së tij 75-vjeçare, Sanije Osmenaj. I moshuari ka rrëfyer në polici se dy persona të maskuar iu drejtuan armët dhe u thonin mos lëvizni se do ju vrasim. “Gruan e shtynë dhe e rrëzuan përtokë. E zinin për fyti dhe i kërkonin të tregonte ku ishin lekët. U ngrita ashtu si isha, më dhanë një të shtyrë, rashë dhe unë. Këmbë e duar vajta në krevat. Atëhere e ngritën gruan dhe e përplasën aty. Na thonin mos lëvizni se do ju vrasim. Dy persona të maskuar ishin që na torturonin. Ndërsa jashtë ishte njëri që na ruante. Ishin 3 ose 4 grabitës. Kishim rreth 200 mijë lekë të pensionit dhe na i morën. I hoqën varësen gruas edhe një unazë dhe i morën”, u shpreh Osmanaj.

Si u masakruan nga maskat 5 punonjës të HEC në Bulqizë

Pesë punonjës të HEC-it të Valikardhës në Bulqizë janë dhunuar gjatë ditës së martë nga disa persona me maska. Ata janë dhunuar tek vendi i quajtur Liqeni i Bardhë. Dy prej punonjësve kanë marrë plagë të shumta dhe janë dërguar në spital për mjekim të specializuar. Duke reaguar për ngjarjen, drejtori i HEC-it, Lulzim Lalosha thotë se, kanë qenë të përfshirë rreth 20 persona. Lalosha dhe punonjësit e dhunuar thonë se 10 prej autorëve kanë ushtruar dhunë ndaj tyre, ndërsa shtojnë se 10 persona të tjerë qëndronin të fshehur. Lalosha thotë se, ata ishin të maskuar dhe të armatosur, ndërsa punonjësit thonë se autorët kanë qëlluar me armë në ajër.
Punonjësit e dhunuar thonë se autorët, pasi i kanë goditur me gurë, mjete të forta dhe qytën e armëve, kanë dëmtuar të gjitha mjetet e firmës. Dyshohet se shkak për ngjarjen mund të jetë konkurrenca, ndërsa policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Ilir Rusi tha se, na dhunuan 7 persona të armatosur. Ai rrëfen se personat i kanë goditur me qytën e automatikut, duke i dhunuar për rreth 2 orë.