Masakra e radhës në kanionin e rrallë të Dibrës, protestojnë banorët

54

Shqipëria po shndërrohet në një pllakë të vërtetë betoni. Çdo pasuri natyrore, kombëtare e madje edhe nga ato të mbrojtura nga UNESKO po shkatërrohen me firmën dhe vulën e qeverisë me qëllim favorizimin e klientëve pranë tyre.
Lejet për ndërtimin e HEC-ve në kanionin e Setës në Dibër, kanë zemëruar banorët. Ata thonë se nuk janë kundër investimit, por nuk duhet të lejohen projekte të dyshimta, që do të çojnë në shkatërrimin e kanionit më të madh dhe më të bukur në vend. Dy mijë metra mbi nivelin e detit ndodhet Seta, është kanion në Dibër dhe ndoshta nga më të mëdhenjtë dhe më të bukurit në vend. Fillon nga lumi Drin dhe përfundon tek liqenet e Lurës. Denoncimet e banorëve janë të shumta. Ata shprehet se ndërtimi i Hec-ve në këtë zonë do të rrezikojë shkatërrimin e këtyre kanionëve, të cilët aktualisht janë një thesar natyror jo vetëm i Dibrës, por i gjithë Shqipërisë.
Faqet shkëmbore arrijnë deri në pesëqind metra lartësi. Këtu janë me qindra burime ujore dhe ujëvara. Prej tre vitesh është dhënë leja për ndërtimin e disa HEC-ve të vogla në zonë, por banorët po kundërshtojnë fuqishëm projektin Seta 4, i cili sipas tyre shkatërron dhe zhduk kanionin. Bëhet fjalë për një Hec, i cili do të fusë në tubacion për rreth 1,2 km gjithë sasinë e ujërave të kanionit dhe për rreth 800 metra me tunel. “Ju lutemi aman, të gjitha forcave dhe të gjithë njerëzve, nëse doni që ta zhvilloni turizmin malor në këtë zonë, ju lutemi ndaloni”, shprehet një prej banorëve. “Prej tre vjetësh vazhdojnë përpjekjet tona për të ndaluar ndërtimin e një vepre shkatërrimtare për këtë zonë”, shprehet një tjetër. “Ky vend është strategjik, historik, arkeologjik. Në këtë vend janë strehuar gjatë luftërave me serbin afro 12 mijë vetë, 9 fshatra janë strehuar”.
Në të vërtetë, banorët nuk janë kundër investimeve, por janë kundër këtij projekti, i cili nuk është konsultuar me banorët e zonës ku firmat janë mbledhur nëpër kafene. “Qysh atë ditë kur janë vendosur i ka firmosur letrat këshilli i komunës, i ka firmosur në lumin e Setës, matanë komunës, nuk i ka firmosur në Zije”, thotë një banor. “25 fshatarë të këtij vendi jemi të proceduar në organet e Prokurorisë sepse pengojmë zhvillimin e punimeve. Nëse kjo firmë do të vazhdojë ta ndërtojë këtë hidrocentral me këtë tubacion ky vend është i shkatërruar”. Me vendim të qeverisë në vitin 2002, në këtë kanion u shpallën 2 monumente natyre të mbrojtura; shpella dhe burimi i Sopanikës, dhe gryka e ngushtë e Setës.
Vitet e fundit po eksplorojnë grupe studentësh vendas dhe plot turistë të huaj, kryesisht çekë, polakë, gjermanë dhe nga Skandinavia. “ABC News” rastisi në dy turistë gjermanë, të cilët kur kuptuan se në kanion do të ndërtohej një tjetër HEC u shokuan.

Shkatërrimi i lumenjve Valbonë e Vjosë

E njëjta masakër ndodhi edhe nga HEC-et e ndërtuara mbi lumin Valbonë. Lumenjtë e Alpeve, Cemit, Vermoshit, Lëpushes, Shalës, Gashit, Tropojës, ruajnë deri më sot karakteristika të forta natyrore të pacënuara dhe përbëjnë një aset të jashtëzakonshëm për ruajtjen e biodiversitetit dhe zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, por ndërkohë lumi i Valbonës më i madhi mes tyre po e humbet këtë natyralitet për shkak të HEC-ve që kanë nisur të ndërtohen tashmë.
Vlerësuar si mrekullia e alpeve shqiptare, Parku Kombëtar i Valbonës, në rrethin e Tropojës, shtrihet përgjatë Luginës së Valbonës, me një sipërfaqe prej 8000 hektarësh.
Pejsazhi malor, ujërat e lumit të Valbonës dhe ekosistemi i parkut, vitet e fundit po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë vendas dhe të huaj, kjo edhe falë përmirësimit të rrugës automobilistike, furnizimit me energji, dhe investimeve të vetë banorëve për pritjen e pushuesve. Por banorët janë të shqetësuar se, Parku Kombëtar do të dëmtohet nga ngritja e tre hidrocentraleve në luginën e Valbonës.
Në Shqipëri ambientalistët dhe qytetarët janë ngritur kundër ndërtimit të hidrocentraleve të reja në lumenjtë e vendit. Ujërat e fundit natyrore në Evropë janë rrezik, e bashkë me to dhe habitate të rrallë.
Një grup prej 30 shkencëtarësh nga 4 shtete bënë studime në prill të këtij viti mbi lumin Vjosa në zonën e hidrocentralit të Poçemit.
Ata zbuluan në atë zonë 300 lloje gjallesash, mes të cilave edhe 2 lloje të panjohura gjallesash, një lloj të ri peshku dhe një insekt të veçantë, të cilit i vunë emrin e lumit Vjosa. Shkencëtarët e huaj gjetën për herë të parë aty edhe 40 lloje të tjera speciesh të pandeshura më herët në Shqipëri. Por që falë projekteve dhe synimeve të qeverisë mund këto asete të natyrës mund të zhduken.