Heroi i Punës Socialiste

196

Edison YPI

Heronjtë e popullit, të guximit, të vetmohimit, të heshtur (për heronj llafazanë megjithëse kishte plot, kurrë nuk u fol), heronjtë e ditës (heronjtë e natës gjithashtu mungonin), të luftës, të frymëzimit, të kohës sonë dhe të gjitha kohërave, të naftës, të kombinateve, fabrikave, uzinave, të veprave të planeve 5-vjeçare, të veprave letrare, artistike, muzikore, filmike, ku gëlonin heronjtë pozitivë dhe ndonjë negativ që me ndihmën e pakursyer të kolektivit për të ndalur hezitimet dhe ndrequr gabimet edhe ai kthehej në pozitiv, nënat heroina që sipas këshillave të kurvit dhe mësimeve të partisë lindnin dhe rritnin mbi tetë fëmijë, e të tjerë e tjerë, deri tek për merita të veçanta kundër çdo pushtuesi një qytet i tërë shpallej qytet hero – ishin hordhia e derrave dhe dosave bartës të rrenave tepër trashanike.
Fill pas tyre dhe heronjve të panumërt të spiunllëqeve, rrahjeve, burgjeve, që mbanin vendin e parë si sasi, ai që binte më tepër në sy, ishte heroi i heronjve, superheroi, Heroi i Punës Socialiste, rrotull të cilit, si planetët e ftohtë rreth diellit të nxehtë, vërtiteshin gjithë të tjerët. Titullin në fjalë ja jepnin jo vetëm një individi, por edhe një grupi individësh brenda të cilit grup nami dhe nishani i individit humbte si uji në rërë.
Heroi i Punës Socialiste ishte një çudi e madhe me plot çudira të vogla brenda. Ta kuptoje pse ishte, si ishte, sa ishte, heroizmi i Heroit të Punës Socialiste duhet të ishe vetë një hero i durimit të zhbirilimit, fantazisë, hamendjes. Heroi i Punës Socialiste ishte prezent sepse kishte emër, mbiemër, foto të ngërdheshur. Inekzistent ngaqë nuk dilte asgjëkundi i gjallë, i prekshëm, prej mishi, prej gjaku.
Shfaqej vetëm nëpër filma, televizione, revista, gazeta në një mënyrë të çuditshme; Kur shihje në televizion shtylla të tensionit të lartë, lokomotiva, furrnalta, të dilte në përfytyrim Heroi i Punës Socialiste. Kur në televizion shihje surratin e Heroit të Punës Socialiste, përfytyrimi të tregonte një digë hidrocentrali, një traktor që çante arat, një saldator majë një kulle metalike, dhe marrina të tjera.
Në një kohë, kur mund të përfundoje prapa hekurave për hiçgjë, edhe mund të durohej pensionisti që të trokiste te dera për të thënë se duhej të dilje në punë vullnetare për sistemimin e oborrit të pallatit. E kapërdije edhe bezdinë që të shkaktonte zagari që të zgjonte qysh herët për të votuar deputetin e zonës, për shembull Reshat Arbanën. Halli mbi hall, nyja gordiane që s’e zgjidhte dot asnjë inteligjencë dhe s’e priste dot asnjë shpatë, ishte të gjeje me mend se çfarë i bashkonte, një surrat budallai të cilësuar hero me punën dhe socializmin.
A ekzistonin në vende të tjera heronj të punës jo-socialiste, ta zemë, heronj të punës kapitaliste apo heronj të punës revizioniste? Nëse puna lidhej me proletarët ngordhalaqë dhe zhulsa që bënin sikur punonin, socializmi mëshirohej te organizata e partisë së ndërmarrjes, pse dhe si lidheshin këto të dyja me heroizmin? Ndonjëri që shkonte më thellë, duke shtuar një të panjohur të katërt, frymëzimin, e bënte krejt të pazgjithshëm ekuacionin.
Vazhduan rrokullisje hamendësuese të tilla, derisa më së fundi u kuptua se para emrit të Heroit të Punës Socialiste (vetë heroin s’kishe ku e gjeje), veprës së tij, lavdisë së tij, gjigantizmit të tij, lypsej nënshtrim, përulje, tkurrje, zvogëlim deri në kokrrizë pluhuri, për të kuptuar sa i vogël dhe i mjerë ishe para atij emri dhe asaj vepre, sa turp duhej të të vinte për tërë ato herezira që bluaje brenda kokës.
Në pamundësi ta shihnin Heroin e Punës Socialiste në realitet, u shfaqej nëpër ëndërra. Dikujt si buldozer që ndërtonte një digë, një tjetri si eskavator që gërmonte kanale në Myzeqe apo Zadrimë, tjetrit si kamion ngarkuar me mineral. Nëpër thashetheme pëshpëritej se Heroi i Punës Socialiste ishte shofer që natë e ditë në zheg e në acar pa u ndalur asnjë çast ngiste një kamion prej të cilit nuk zbriste kurrë, aty gdhihej, aty ngrysej, aty hante fasule në një gavetë ushtari, aty pinte ujë burimi nga një bucelë, ndërkohë që kamioni ngarkohej.
Një ishullar që më vonë doli spiun, tha se për ta zbërthyer misterin se çfarë ishte në fund të fundit Heroi i Punës Socialiste do bënte atë që bëri Martin Luteri, do mësonte përmendësh krejt Biblën, për ta gjetur atje të fshehtën. Për të gjetur sekretin e trekëndëshit hero-punë-socializëm, një tjetër u nis për në gërmadhat e kishave dhe manastireve të lashtë majë shkëmbinjve ku qetësia është e garantuar, meditimi është produktiv.
Ndërkohë që sa më pisk i kishte punët shteti, aq më i largët bëhej viti i ardhshëm për të cilin Heroi i Punës Socialiste punonte pa u lodhur, debate të ashpra u bënë mes ishullarëve për këtë çështje. Problemi vështirësohej nga fakti se kishte plot budallenj që për t’u bërë Hero i Punës Socialiste përmes punës dhe socializmit gdhiheshin e ngryseshin mbi torno, saldatriçe, timon, por nuk u bënë dot kurrë heronj të asnjë lloji.
Nga Shkodra erdhi haberi se një intelektual katolik i heshtur dhe i thellë në vetminë e tij medituese, i ishte futur të kuptonte thelbin e funksionimit të trekëndëshit hero, punë, socializëm, me anë të statistikës matematikore nga këndvështrimi i esencës së ekzistencës. Rropatjet shumëvjeçare për të hedhur sadopak dritë mbi këtë paradoks nuk patën asnjë sukses. Derisa u muar vesh se ta mësoje cili ishte dhe si ishte nga afër Heroi i Punës Socialiste nuk kishte asnjë rëndësi. Ishte si të lodheshe të dije sa kilogram peshon një fjalim, sa metra kub ajër zë një kërcënim, sa gradë celsius është temperatura e mureve ku mbahet një plenium.
Të lodhur nga arsyetimet dhe dilemat, të cfilitur nga pyetjet pa përgjigje, Heroin e Punës Socialiste e pranuan si Zotin, Krishtin, Muhametin, pra si dogmë, si diçka që ekziston dhe pikë, vizë, byrek me gjizë. Pika, viza, gjiza, triumfuan përkundrejt heroizmit, punës, socializmit. Pas këtij zbulimi bajagi lehtësues, Heroi në fjalë u la të ishte çfarë të donte dhe si t’i pëlqente. Vetëm, atëherë u muar vesh se Heroi i Punës Socialiste, në formë ishte një shëmtirë, në përmbajtje një bosh, në rendiment të punës ku e ku më pak se më modesti proletar të sotëm.