Skema 100 milionë euro me Rrugën e Arbërit

400

Lulzim BASHA

Duhet theksuar se formulat e koncesioneve të Rama njëshit jo vetëm ndryshojnë në mënyrë rrënjësore nga koncesionet e dhëna nga qeveritë e mëparshme, por ato në fakt nuk kanë asnjë lloj ngjashmërie as ligjore dhe as teknike me skemat e njohura ndërkombëtare të koncesioneve apo partneriteteve publiko-private. Janë shpikje origjinale e dyshes Rama-Ahmetaj, sharlatanizëm ekonomik, por klientelizëm i kulluar, për të marrë borxh indirekt, duke favorizuar në proces edhe klientët.
Skema është e thjeshtë: në vend që qeveria të marrë borxh vetë për investimet që nuk i financon dot, dhe pastaj të kontraktojë kompani private për të kryer investimin apo ofruar shërbimin, qeveria Rama dyshi nënshkruan fillimisht një kontratë afatgjatë me një privat për t’i paguar çdo vit koston e investimit apo shërbimit nga paratë publike. Pastaj privati me këtë kontratë garancie nga shteti merr hua të shtrenjtë në sistemin bankar dhe me anë të tij kryen investimin publik. Kështu, edhe sepse qeveria ka një borxh afatgjatë ndaj privatit, kjo nuk regjistrohet si borxh publik. Ndërkohë, rreziku i privatit është zero dhe fitimi i madh. Me këtë skemë, privati fryn koston e investimit dhe ul cilësinë, pasi në fund të fundit të gjitha do të paguhen nga buxheti i shtetit.
Shikoni projektin e Rrugës së Arbërit: Rama njëshi e përzuri qeverinë kineze që jepte edhe kredinë, bënte edhe zbatimin e ndërtimit dhe ia dha një privati shqiptar. Veçse privati e bëri koston e rrugës nga 150 milionë në 250 milionë menjëherë, të së njëjtës rrugë dhe qeveria përveç kësaj do të bashkëfinacojë direkt edhe me 90 milionë euro.
Programi konfirmon planin e Edi Ramës për kalimin e të gjithë ekonomisë kombëtare në pronësi dhe kontroll të pak oligarkëve të lidhur me të. Kjo gjë do të sigurojë pushtetin ekonomik të kësaj kaste për shumë dekada në vijim dhe me pushtetin ekonomik do t’i sigurojë asaj edhe kontrollin e pushtetit politik.
Pasi gjatë mandatit të parë, Edi Rama u dha oligarkëve të tij gjithë bregdetin për projekte private vilash, pasi çmontoi gjysmën e sistemit të shëndetësisë për t’ja transferuar klientëve, pasi konsolidoi pasuritë minerale sidomos në naftë dhe gaz tek klientët, pasi filloi kalimin e pasi sanksionoi përdorimin e parave publike për universitetet private, tani Edi Rama ka vendosur t’u kalojë klientëve të gjithë infrastukturën arsimore dhe shëndetësore tek privati.
Të gjitha shkollat e reja dhe ato që kërkojnë rikonstruksion do t’i kalohen privatit. Të njëjtin sistem do ta shtrijë tek spitalet e reja dhe të rindërtuara, duke filluar nga ai i Fierit. Natyrisht në fakt të gjitha bëhen me paratë publike, por pronësia i jepet privatit.
Përmes gjoja zbatimit të reformës në drejtësi, Edi Rama do të shtijë në dorë sistemin e drejtësisë. Në program thuhet se qeveria do të zbatojë reformën në drejtësi edhe pse qeveria nuk ka asnjë kompetencë për zbatimin e saj dhe sistemi i drejtësisë është tashmë i ndarë nga ekzekutivi. Por kur e thotë këtë në programin e tij, Edi Rama zbulon se në fakt drejtësinë do e komandojë ai me të gjitha mjetet.
Shqiptarët do të vazhdojnë të paguajnë nga xhepi për shëndetësinë, por tani të paktën Edi Rama nuk do të shtiret më për shëndetësi falas. Për ata që besuan tek shëndetësia falas programi i qeverisë ka një surprizë: objektivi i Rama Dyshit është që në fund të katër viteve të ardhshme shteti të paguajë 60 për qind të shpenzimeve shëndetësore dhe 40 për qind të vazhdojnë t’i paguajnë shqiptarët nga xhepi.
Programi nuk ka asnjë masë për investimet e huaja, të cilat duket se nuk do të jenë prioritet as në këtë mandat. Është një veprim i qëllimshëm që lidhet me faktin që fola më parë: interesi i Edi Ramës është që ekonomia e vendit të vihet nën kontrollin e plotë të oligarkëve të lidhur me të. Investimet e huaja e pengojnë këtë skemë dhe e ekspozojnë Edi Ramën dhe qeverinë e tij përballë trysnisë së qeverive të huaja. Pa investime të huaja, çdo gjë ndahet mes oligarkëve. Është kjo qasje që shpjegon faktin që nga të gjitha koncesionet fitimprurëse që dha Rama njëshi asnjë prej tyre nuk iu dha ndonjë kompanie të huaj, edhe pse fituesit vendas ishin të gjithë në çdo rast pa asnjë përvojë dhe dije në fushën e koncesionit.
Gjendja ekonomike e shqiptarëve do të vazhdojë të mbetet e keqe. Edi Rama ka vendosur që do ta “rrisë” ekonominë 5,5 për qind në katër vitet e ardhshme, por nuk thotë si do ta arrijë këtë gjë. Asnjë nga faktorët që ndikojnë rritjen ekonomike nuk është përfshirë në program. Madje në kushtet e emigrimit të popullsisë, përfshi popullsinë e shkolluar, nga mjekë tek inxhinierë dhe specialistë të tjerë, një nga faktorët kryesorë të rritjes ekonomike, do të vazhdojë të jetë negativ. Nga ana tjetër, investimet e huaja të siguruara gjatë qeverisë së PD-së, që kanë qenë burimi kryesor i rritjes ekonomike do të mbarojnë në dy vitet e ardhshme dhe kjo do të çojë në rënien drastike të investimeve të huaja që janë mënyra kryesore që çon në rritje ekonomike.

Trafiqet dhe ekonomia e drogës si alternativë ekonomike

Në mënyrë djallëzore, gjatë mandatit të parë Edi Rama lejoi kanabizimin e Shqipërisë si alternativë ekonomike të vendit. Programi i tij ekonomik të lë të mendosh se Edi Rama do të kërkojë prapë zgjidhjen ekonomike të vendit tek trafiqet dhe ekonomia e drogës.
Papunësia, që është shqetësim kryesor i të gjithë qytetarëve, nuk është asnjë lloj prioriteti për Rama dyshin. Ajo trajtohet në vetëm një paragraf të shkurtër në program dhe në mënyrë propagandistike pa asgjë konkrete. Ulja e papunësisë kërkon rritjen e investimeve të huaja, shtimin e investimeve të brendshme, sidomos në industrinë prodhuese dhe eksportuese, kërkon ndërhyrjen e qeverisë në infrastrukturë sidomos në teknologji që rrit dhe bashkon tregjet. Por Edi Rama, duke kopjuar nga Google search modën e fundit flet se do ta luftojë papunësinë me “start up-e” dhe me “korsi preferenciale për punësimin e vajzave dhe të djemve”!
Nuk dua të zgjatem më, por dua të përmbledh shkurt tiparet kryesore të Rama dyshit:
1. Kalimin e të gjithë pasurisë dhe pushtetit ekonomik të vendit në pak duar oligarkësh.
2. Financimin e qeverisë dhe ekonomisë me anë të borxhit, që do të çojë në krizë financiare.
Programi reflekton një fjalë të thjeshtë: sot Shqipëria ka një qeverisje krejtësisht private. Edi Rama nuk denjon as të bëjë premtime dhe as të hartojë ndonjë program, nuk denjon as të zbatojë ndonjë procedurë administrative apo institucionale. Çdo gjë vendoset, zbatohet dhe ndodh bazuar vetëm në vullnetin e tij personal dhe në konsultim jo me institucionet, por me një grusht miqsh privatë dhe klientësh të tij. Caktimi i parave publike, investimet publike, politikat publike, kontratat publike, shërbimet publike, të gjitha do të vendosen rast pas rasti në mënyrë private nga Edi Rama dhe klientët e tij.
Tashmë, duke mos patur as edhe ndonjë progam dhe asnjë premtim elektoral, nuk do të ketë as ndonjë bazë për t’i kërkuar llogari.

Qeveria e thellimit të sundimit privat të Edi Ramës

Asgjë e re, vazhdim dhe thellim i së keqes. Kjo është qeveria e thellimit të korrupsionit dhe të krimit. Jo vetëm Edi Rama, por edhe Fatmir Xhafa, Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri e pothuajse të gjithë ministrat e tjerë janë garancia e provuar për korrupsionin dhe krimin.
Kjo është qeveria e thellimit të sundimit privat të Edi Ramës dhe një grushti njerëzish.
Avazi i vjetër vazhdon me tepsi të re. Kësaj radhe tepsinë e ke të gjithën për vete. Me dy garuzhdet e tua Arben Ahmetajn dhe Damian Gjiknurin dhe ministrat e tjerë, si peceta për të fshirë buzët.
Fletushka e programit të qeverisë Rama dy 2017-2021 ka vetëm 25 faqe, nga të cilat 7 faqe ose 30 për qind e dokumentit janë kopertina titujsh, tri faqe i përkasin përshkrimit të arritjeve të qeverisë Rama një dhe vetëm 15 faqe programit të qeverisë, gjysmën e të cilave e zënë titujt e mëdhenj.
Pas gjithë këtyre arritjeve famëkeqe dhe pas sigurimit të një mandati të ri me anë të manipulimit të zgjedhjeve, Rama dyshi ka paraqitur programin qeverisës 2017-2021.
Në fakt nuk është program. Është një dokument pa asnjë përmbajtje, pa asnjë analizë apo argumentim. Është një dokument thjesht i fryrë me fjalë bombastike teknike dhe objektiva të përgjithshme dhe fraza të marra nga Google search. Në fakt, program me Google search do të ishte përshkrimi më i mirë i tij. Në të, lexon banalitete të tilla si “rritje ekonomike inteligjente” apo “integrim europian cilësor”, apo “diplomaci dixhitale”, “luftim të papunësisë me start up-e”, apo vendosjen e prioritetit tek energjia e rinovueshme kur në fakt Shqipëria ka gjithë historinë e saj që prodhon gjithë energjinë e saj nga burime të rinovueshme, nga hidrocentralet.