S’ka degë ulliri për paqe mes nesh

125

Ndryshimi është i pashmangshëm

Lulzim BASHA

Para 4 viteve erdhe këtu si kryeministër dhe shpalle: 300 mijë vende pune, shëndetësi falas, rend e siguri, ulje taksash për 97 për qind të shqiptarëve, hapje të negociatave për anëtarësim me BE e të tjera jo pak të rëndësishme.
Vjen sot, fiks pas 4 vitesh, në të njëjtin vend pa e mbajtur asnjërin premtim, me shpresën se koha amniston, se do t’ia hedhësh dhe një herë.
Por këto ishin 4 vite ferri për shumicën e shqiptarëve dhe ti nuk bëre kurrë një bilanc, një llogaridhënie.
Nëse zgjedhjet do të ishin të lira, ti dhe ekipi yt nuk do të ishit ulur sot aty.
Qytetarët e kanë jetuar vetë çdo ditë 4-vjeçarin që kaloi, e kanë provuar në lëkurë, por për mua dhe opozitën, është ora të bëjmë bilancin e munguar. Për Shqipërinë dhe shqiptarët ka ardhur ora e vetëdijes.
Ato që nuk u thanë në përshkrimin e qeverisjes së tij katërvjeçare janë disa fakte kuptimplota:
Rama njëshi është qeveria e parë që nuk ka sjellë asnjë arritje në fushën e integrimit europian. Fati i Rama njëshit ishte që Brukseli miratoi kërkesën e bërë nga qeveria Berisha për statusin kandidat, pasi i kishte plotësuar të gjitha kushtet e kandidimit. Katër vjet asnjë zhvillim tjetër në fushën e integrimit. Madje është qeveria e parë që ka bërë hapa mbrapsht, pasi disa qeveri europiane janë duke konsideruar rikthimin e vizave për shqiptarët.
Rama njëshi është qeveria e parë në historinë e Shqipërisë që nuk solli asnjë investim të huaj të ri. Absolutisht asnjë. Në vend të politikave për tërheqjen e investimeve të huaja, Rama njëshi vuri si prioritet promovimin e pikturave të kryeministrit në Hong Kong, Singapor, Kinë, Turqi, Gjermani, Austri, SHBA.
Rama njëshi është qeveria që ka marrë borxhin më të madh publik në historinë e tranzicionit të Shqipërisë: mbi 2,5 miliardë dollarë borxh. Pa llogaritur borxhin e fshehur në formën e koncesioneve me mbi gjysmë miliardë dollarë të tjera. Tre miliardë dollarë borxhe në katër vjet.
Rama njëshi krijoi borxhe të reja ndaj biznesit: Qeveria ka sot borxhe ndaj biznesit gati 300 milionë euro sipas të dhënave të vetë Ministrisë së Financave.
Rama njëshi është e para qeveri që nuk ka bërë pothuajse asnjë investim në infrastrukturën e transportit, duke mbajtur peng zhvillimin ekonomik dhe integrimin ekonomik të vendit në tregjet ndërkombëtare. Nuk arriti dot të mbaronte as punët e mbetura të rrugës Elbasan-Tiranë apo by pass-in e Fierit. Në vend të tyre 600 milionë euro shkuan për fasada, zyra, mobilime dhe udhëtime luksi.

E kapur nga krimi i organizuar

Është qeveria e parë në historinë e Shqipërisë që është akuzuar për kapje nga krimi i organizuar. Madje qeveritë e huaja i vunë ultimatum Rama njëshit të largonte ministrin e Brendshëm të lidhur direkt me qarqet e drogës. Arritjet e Rama njëshit në fushën e krimit në fakt janë historike: Shqipëria u shpall zyrtarisht nga Departamenti amerikan i Shtetit dhe nga Interpoli si vendi kryesor i kultivimit dhe trafikimit të kanabisit në Europë; vend kryesor i kalimit të heroinës nga Azia në Europën Perëndimore; si dhe u fut zyrtarisht nga Departmanti i Shtetit në listën e zezë të vendeve kryesore të pastrimit të parave.
Rama njëshi është qeveria që risolli eksodin masiv të shqiptarëve, duke e renditur Shqipërinë në dy vendet e para për kërkim azili në Evropë gati në të njëjtin nivel me Sirinë e luftës civile. Është qeveria që arriti në rekordin historik më të zi: shumica e shqiptarëve, mbi 56 për qind duan të largohen përgjithmonë nga vendi.
Është qeveria që marrëdhëniet me dy partnerët kryesorë tregtarë, ekonomikë dhe politikë të vendit, Italinë dhe Greqinë, i ka kthyer në nivelin e kohës së komunizmit. Marrëdhëniet me Italinë kanë humbur çdo përmbajtje, ndërsa ato me Greqinë kanë qenë zero, sa për herë të parë në historinë e tranzicionit nuk ka patur vizita kryemistrash Greqi-Shqipëri. Në vend të tyre Rama njëshi vuri si prioritet marrëdhëniet me Serbinë, por që edhe ato përveçse takimeve me batuta Rama-Vuçiç nuk kanë sjellë asnjë efekt, madje as zhbllokimin e linjës së interkonjeksionit të energjisë elektrike me Kosovën, që Serbia e mban të bllokuar.
Rama njëshi ideoi dhe vuri në jetë aleancën me krimin duke vendosur dhjetëra kriminelë si deputetë dhe kryetarë bashkish e qindra të tjerë si zyrtarë të lartë të administratës së tij. Bashkë me kriminelët në pushtet Rama njëshi zbatoi projektin e Shqipërisë në drogë, si shpërblim për ta dhe si projekt politik për të tjetërsuar me drogën dhe paratë e drogës vullnetin e lirë të qytetarëve dhe për të zhbërë demokracinë. Në këtë sallë dhe jashtë saj, Partia Demokratike dhe unë, të vendosur dhe shpeshherë të vetmit, luftuam pa kompromis kundër kësaj sëmundjeje fatale për sigurinë, mirëqenien dhe demokracinë e shqiptarëve. Që Rama dyshi u detyrua ta pranojë këtë ndër dhëmbë dje këtu, nga kjo foltore, nuk është aspak ngushëllim, as shfajësim, për faktin e njohur botërisht se ai dhe klika e tij janë sot në pushtet falë aleancës me krimin dhe drogën.
Rama njëshi e mbushi vendin me drogë: dhe kjo nuk mbulohet dot më nga askush. Rama njëshi e mbushi Parlamentin dhe administratën tonë me kriminelë: dhe as kjo nuk mbulohet dot më nga askush. Rama njëshi i varfëroi dhe pastaj i njollosi shqiptarët duke iu blerë votën: dhe as kjo nuk mbulohet dot më nga askush.

Mazhorancë ilegjitime

PD do të jetë opozita ballore, pa kompromis kundër kësaj mazhorance ilegjitime. Ne do të jemi në krah të njerëzve, do të luftojmë për t’ua dhënë pushtetin atyre dhe jo një grushti politikanësh.
Kjo mazhorancë fiktive sot përpiqet të lahet nga të gjitha këto; në fakt e kundërta do të vërtetohet çdo ditë.
Ne do të luftojmë edhe më të vendosur për kauzën tonë për t’ua dhënë pushtetin njerëzve dhe jo një grushti politikanësh që i trajtojnë shqiptarët si plaçkën e tyre me të cilët, bëjnë ç’të duan dhe kur të duan.
Prandaj, beteja për zgjedhjet e lira dhe të ndershme është beteja më jetike për vendin. Ky Parlament nuk është shprehja e fitores së kësaj beteje, por kushtrim për vazhdimin e saj.
Ky Parlament nuk shpreh vullnetin e qytetarëve, por tjetërsimin dhe vjedhjen e vullnetit të tyre. Raporti paraprak i OSBE-ODIHR sikundër edhe ai i ministrave teknikë faktojnë shitblerje masive të votave, përdorim të grupeve të strukturuara kriminale, skedimin dhe matrikullimin e shqiptarëve, duke i shantazhuar, intimiduar, frikësuar dhe terrorizuar për t’u blerë varfërinë dhe mjerimin e thelluar nga kjo qeveri.
Thelbi i marrëveshjes së 18 majit, ishin zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ndaj, dhe zgjedhjet e 25 qershorit shënuan edhe vdekjen e kësaj marrëveshjeje. Aleanca e pandërprerë asnjë çast e Rama njëshit me krimin dhe shitblerja e votave me paratë e drogës dhe të korrupsionit e vranë marrëveshjen dhe rikonfirmuan problemin numër 1 të Shqipërisë: vjedhjen dhe tjetërsimin e vullnetit të shqiptarëve për hir të pushtetit personal dhe privat të Edi Ramës.
E vetmja gjë që arriti 18 maji është që 450.000 shqiptarë përfaqësohen sot këtu në këtë sallë nga opozita, nga Partia Demokratike. I vetmi sukses i 18 majit është që ti nuk arrite ta emërosh opozitën tënde siç e kishe nisur dhe siç doje ta bitisje.
Opozita përfaqëson sot, votën më të pastër në historinë e pluralizmit, votë morale, që i rezistoi joshjes me para, presionit qeveritar, dhunës së grupeve kriminale!

18 maji vrau marrëveshjen, 9 shtatori e varrosi

Nëse 25 qershori e vrau marrëveshjen e 18 majit, 9 shtatori e varrosi atë përfundimisht. Jo vetëm zgjedhja në krye të Kuvendit e Gramoz Ruçit, të cilit i është ndaluar përjetësisht hyrja në SHBA për shkak të lidhjeve të tij me krimin dhe trafiqet, por edhe akti mafioz i blerjes apo tjetërsimit të 2 votave opozitare, është shprehja më e qartë se në vend të bashkekzistencës demokratike me kundërshtarin, ti zgjedh gjithmonë shitblerjen dhe manipulimin.
E ardhmja e Shqipërisë dhe fëmijëve tanë kurrë nuk ka qenë më në pikëpyetje se sot. E ardhmja e tyre na ndan, nuk na bashkon. Ne nuk jemi konkurrentë. Ti ke zgjedhur të bësh aleancë me krimin dhe drogën që po e fundosin çdo ditë e më shumë këtë vend, që janë më të rrezikshme se çdo kërcënim i jashtëm apo i brendshëm. Në këtë betejë, unë dhe partia ime, jemi me njerëzit; ne jemi kundër teje, ne do të luftojmë kundër teje dhe kundër kësaj aleance që po e shkatërron Shqipërinë.
Unë nuk kam zgjedhur të jem këtu për të ardhmen e familjes sime, unë jam në këtë betejë sepse e di se; sa më të pasur të bëhen politikanët, aq më të varfër janë qytetarët; sa më të fuqishëm të bëhen kriminelët, aq më të dobët do të jenë njerëzit e thjeshtë; sa më të fortë drogmenët, aq më kokulur njerëzit e thjeshtë, aq më të pasigurta do të jenë familjet shqiptare.

Edi Rama, ajo që na ndan është thelbësore

Kurrë nuk ka qenë më e thellë, më e mprehtë, më e papajtueshme diferenca midis dy forcave në këtë sallë; aleancës tënde me krimin dhe aleancës tonë të vlerave me qytetarët.
Dhe kjo pikërisht në emër të të ardhmes së fëmijëve tanë. Çfarë ju ofron ti fëmijëve shqiptarë? Librat më të shtrenjtë dhe radhët më të gjata në rajon, trafikantin si model suksesi që e ka çuar drogën edhe në shkollë, papunësinë e prindërve të tyre apo borxhin publik që do të rëndojë edhe më shumë në kurrizin e tyre.
E ardhmja e fëmijëve tanë nuk mund të jetë kurrë droga me të cilën ke mbushur Shqipërinë. E ardhmja e fëmijëve shqiptarë nuk mund të jetë kurrë Gramoz Ruçi, Fatmir Xhafa.
Asnjë shoqëri nuk e cakton dot praninë e krimit në radhët e saj. Por çdo popull e ka vetë fajin nëse nuk e gjen forcën për t’u përballur me të.
Dhe në përballjen me krimin e organizuar, me drogën dhe trafiqet, populli shqiptar ka pasur Partinë Demokratike aleate, e ka pasur dhe e ka Rama njëshin dhe Rama dyshin kundërshtar.
Ja pra, që thellësia e papajtueshmërisë midis meje dhe teje, midis Partisë Demokratike dhe aleancës sonë me vlerat dhe Partisë Socialiste të gjunjëzuar nga kriminelët me pushtet, është e pakalueshme.
Unë jam ai që jam. Ti je ai që je. Me të mirat dhe gabimet e mia, unë besoj tek demokracia, tek vota e lirë, tek shteti ligjor dhe e ardhmja e vërtetë europiane e Shqipërisë dhe e kombit shqiptar të bashkuar në qëllime dhe vlera.
Ndaj unë dhe partia ime punuam dhe e futëm vendin në NATO, luftuam krimin dhe hoqëm vizat për të gjithë shqiptarët, ndërtuam Rrugën e Kombit dhe mijëra km rrugë, infrastrukturë kombëtare dhe punuam për integrimin e vendit në Europë.
Ishe ti dhe partia jote që për interesin tënd privat punuat kundër Shqipërisë në NATO, duke prodhuar deri në shfaqje të turpshme alla Griselda.
Ti që kundër vullnetit të qytetarëve dhe vendimit të gjykatave zbarkove në bulevard për të penguar liberalizimin e vizave.
Ti bëre sa munde për të penguar marrjen e statusit kandidat në BE me tre ligjet.
Dhe tani je prapë ti, që prej drogës dhe krimit po rrezikon kthimin e vizave për shqiptarët.

Shkarko Ruçin dhe Xhafajn

Ti beson që populli është bagëti dhe kriminelët janë barinjtë e duhur për të. Unë besoj tek vota e lirë, unë besoj se kriminelët e kanë vendin në burg, ndërsa ti i liron ata para zgjedhjeve.
Unë besoj që shqiptarët meritojnë debatin me ide për ta çuar vendin përpara, ti beson se me shfaqje dhe llogje gjatë ditës mund të mbulosh vjedhjen dhe shantazhin ndaj votuesve në errësirën e natës.
Unë e di që shqiptarët ikin nga ky vend prej mjerimit që ti thellove, prej pasigurisë që ti krijove, ikin nga sytë këmbët, ku të mundin dhe si të mundin të fshehur edhe në bagazhe makinash dhe kamionesh nga Republika jote e krimit dhe e drogës, sepse ti ua mohon mundësinë e ndryshimit me votën e tyre.
Nuk ka degë ulliri për paqe mes nesh. Ajo që ti tund këtu, është dega e kanabisit që ka bllokuar integrimin, shkatërruar ekonominë dhe asgjësuar shtetin ligjor.
Që të bëhesh konkurrenti im është shumë e vështirë për ty, ndoshta e pamundur, sepse duhet të bëhesh ai që nuk je. Të lësh krimin dhe të përqafosh vlerat.
Duhet ta nisësh me shkarkimin e Gramoz Ruçit nga kreu i Kuvendit jo vetëm për të larguar krimin nga politika, por edhe për të shpëtuar imazhin e diskredituar të vendit.
Duhet të arrestosh vëllain e Fatmir Xhafajt dhe t’ja dorëzosh Interpolit që e kërkon për trafik ndërkombëtar droge.
Duhet të shkarkosh Fatmir Xhafajn si njeri të lidhur me krimin.
Duhet të gjesh dhe arrestosh gjithë ata funksionarë policie që kanë favorizuar drogën deri më tani, me në krye kapitenin e tyre, Tahirin.
Duhet të heqësh kryetarët e inkriminuar të bashkive.
Duhet të rikthesh në burg banditët që lirove për zgjedhje.
I bën dot ti këto?
Nëse jo, çfarë ka ndryshuar nga 25 qershori?

Programi “Rama” vdes integrimin

Është një skandal i madh që programi nuk përfshin asgjë në lidhje me procesin e integrimit europian. Asnjë veprim, asnjë politikë, asnjë projekt, asnjë program, me përjashtim të fjalës së përgjithshme “intesifikim të procesit të integrimit” pa asnjë detaj. Në vend të integrimit europian, Rama dyshi ka vendosur prioritet integrimin e Shqipërisë në Ballkan dhe për në Europën Adriatike, për të cilin pyeta shumë vetë, shqiptarë dhe të huaj, po nuk e ka idenë njeri se çfarë është. Prioritet janë gjithashtu edhe idetë megallomaniake të Edi Ramës për rolin e madh që do të luajë Shqipëria jonë e vogël për sigurinë në botë dhe të gjitha çështjet globale.
Ka një arsye të rëndësishme braktisja e integrimit europian nga Edi Rama: ai nuk ka interes për integrimin europian sepse kjo gjë kërkon që ai të plotësojë një sërë kushtesh që kanë të bëjnë me mirëqeverisjen dhe demokracinë, veçanërisht të luftojë krimin, drogën, korrupsionin. Dhe ai nuk mund ta bëjë këtë gjë. Zgjidhja që ka gjetur është ta lërë mënjanë procesin e integrimit dhe këtë braktisje ta justifikojë duke akuzuar nesër Europën që nuk e pranon Shqipërinë për shkak të paragjykimeve të saj.
Rama dyshi do ta zhysë Shqipërinë në një krizë të pashmangshme financiare për shkak se ajo e ka kthyer borxhin në instrumentin kryesor të financimit jo vetëm të investimeve, por edhe të shërbimeve. Sikurse e përmenda më parë, Rama njëshi mori 3 miliardë dollarë borxhe në katër vitet e para. Duket se e njëjta gjë do të vazhdojë. Përveç marrjes së detyrueshme të borxhit nga institucionet financiare, Edi Rama ka përgatitur një skemë dinake të marrjes së borxhit të fshehur, përmes të ashtuquajturave skema të partneritetit publik privat. Në program ai thotë se do të investohen 1 miliard euro me anë të kësaj skeme.

Zgjidh para se të jetë vonë

Pasojat që mund t’i vijnë vendit nga ky pushtet janë të mëdha, veçanërisht në kushtet e një individi si Edi Rama me probleme të thella të vetëdijes dhe të kthjelltësisë së tij mendore.
Por një gjë është e vërtetë në këtë rast, siç ka qenë e vërtetë kudo në situata të ngjashme: Edi Rama dhe oligarkët nuk janë të fuqishëm: fuqia e tyre buron vetëm nga indiferenca apo apatia e njerëzve, nga përçarja e tyre, nga manipulimi i tyre prej propagandës.
Sot është koha të zgjohemi të gjithë bashkë para se të jetë vonë. Duhet vetëm pak kurajo dhe pak besim tek vetja. Mbi të gjitha duhet vendosmëri për të mbrojtur të ardhmen e përbashkët.
Dua t’u premtoj qytetarëve një gjë: opozita do të bëjë gjithçka për të kufizuar dhe kontrolluar pushtetin, për të informuar dhe vetëdijësuar njerëzit, për të mbështetur çdo përpjekje për të drejtat dhe mirëqenien e tyre. Ne do të përdorim çdo mjet parlamentar duke kërkuar llogari, duke propozuar politika dhe zgjidhje, duke denoncuar. Ne do të gjendemi pranë njerëzve.
Kemi ardhur në këtë pikë finale.
Kjo gjendje është e papranueshme, e paqëndrueshme dhe e padurueshme.
Nuk përfaqësoni më njerëzit, por klanet e vjedhjes dhe drogën. Të vetmit në këtë Parlament, që nuk vijmë me lekë droge dhe krimi jemi ne opozita, Partia Demokratike.
Shoqëria jonë ka ardhur para një momenti kritik. Ndryshimi është i pashmangshëm. Ai nuk mund të vijë as përmes fermaneve sulltanore dhe delireve të një kryeministri dhe një pseudomazhorance që edhe përmes milionave të drogës, korrupsionit, shitblerjes dhe shantazhit mbi qindra mijë qytetarë, vijnë këtu vetëm si përfaqësues i 22 për qind të zgjedhësve.
Fatalisht e korruptuar siç është administrata, ajo është prodhim i drejtpërdrejtë i politikës së mbrapshtë dhe të korruptuar. Nuk mundet që e njëjta politikë e korruptuar dhe e inkriminuar, tani më larg dhe më e shkëputur se kurrë më parë nga njerëzit, të reformojë shtetin.

Injorimi i realitetit sjell kryengritjen popullore

E para në rendin e ditës është reforma me themel e politikës. Për këtë duhet të ndërtojmë një sistem zgjedhor përfaqësues të vërtetë të vullnetit të lirë të njerëzve. Jo të krimit e drogës. Një lidhje të drejtpërdrejtë të vendimmarrësit me qytetarët.
Deputeti të dijë kë përfaqëson dhe qytetarët ta dinë kush i përfaqëson. Demokracia pra, si përfaqësim i njerëzve dhe si pjesëmarrje e tyre në vendimmarrje e jo si lojë dhe shfaqje për kryeministrin e radhës.
Reforma zgjedhore është rruga e vetme dhe shansi i vetëm që ndryshimi të jetë paqësor dhe institucional.
Çdo përpjekje për të injoruar realitetin do ta kthejë revoltën e heshtur të 25 qershorit përmes bojkotit, në një kryengritje të vërtetë popullore për të zbuar këtë sistem të falimentuar politik me çdo kusht e në çdo mjet.
Ky regjim, nuk mund të vazhdojë më në përditshmërinë e tij sikur nuk ka ndodhur asgjë. Brenda këtyre mureve mbahet peng vullneti i vjedhur dhe i tjetërsuar i shqiptarëve. Nuk ka asnjë çelës që ta mbajë të kyçur vullnetin e vjedhur të sovranit.
Nuk ka forcë t’ua mohojë njerëzve dëshirën për të rimarrë atë që është e tyrja. Vetëm populli mund ta pastrojë këtë gjiriz. Kemi detyrimin t’i hapim rrugë vullnetit të tij të vërtetë. Përmes një reforme të thellë zgjedhore dhe garantimit të plotë njëherë e përgjithmonë të lirisë së votës dhe zgjedhjeve të lira.
Nëse kjo nuk ndodh, nëse kjo asamble nuk i kthen sendin e vjedhur popullit, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, atëherë atij i lind e drejta t’i shqyejë dyert e gjirizit dhe ta marrë përpara këtë gjender të së keqes që ka tash sa vjet që fryhet e majmet në kurriz të një Shqipërie që mpaket e rrudhet.
Ky është shansi i fundit për ta ndryshuar me duart tona. Ndaj Partia Demokratike do të propozojë një paketë masash për reformën zgjedhore dhe të sistemit të kalbur politik.
Por nëse lojërat e kartelit politiko-kriminal do të vazhdojnë na lind jo vetëm e drejta, por edhe detyrimi t’i prijmë shembjes me çdo kusht e çdo mjet tjetër të kësaj kalbësire që nuk përfaqëson më Republikën e Shqipërisë, por Republikën e krimit, drogës, korrupsionit dhe vesit.
E ardhmja u përket qytetarëve.