Olsi Rama në makinën e transportit të kokainës AA 635 DM, Ruçi i ndërpret fjalën Berishës

2881

Ish-Kryeministri Berisha ka denoncuar në Parlament skandalin e përfshirjes së Olsi Ramës në makinën e transportit të kokainës, duke treguar edhe datat që i përkasin vitit 2014. Menjëherë sapo Berisha ka denoncuar skandalin, Berishës i është ndërprerë fjala nga Gramoz Ruçi. Gjithçka ka qenë e kalkuluar edhe pse Berisha nuk kishte mbushur minutazhin.
“Edi Rama je koka e krimit dhe tani më lejoni të lexoj disa dokumenta. Ekziston një makinë me targë AA 635 DM. Kjo makinë është makina e transportit të kokainës, Vasilika, shko pyet në ose thuaji kësaj asistentes tënde që është bërë ministre Drejtësie të të sjellë dokumentat që kush ka qenë brenda. Cilët kanë qenë pasagjerë të kësaj makine, të përshtatur për transport kokaine kanë qenë Genci Kasem Xhixha, djali i sponsorizueses kryesore të Edi Ramës, ndrikullës që punonte te Rama dhe mikut të tij, pasagjer tjetër ka qenë Ermal Ilir Hoxha, pasagjer tjetër Gentjan Hasan Gjonaj, dhe pasagjer i katërt, i rregullt i saj ka qenë Olsi Kristaq Rama. Datat që kanë udhëtuar janë: 08.06.2014/ 11.07.2014/ 06.06 2014/ 11.07.2014. Ti je koka e krimit, ndaj dhe krimi nuk luftohet pa luftuar kokën e tij.
Opozita po i bën gjyqin publik sundimit të krimit në Shqipëri, asaj që politologët e njohin si banditokraci, atij regjimi që është bërë fakt i kryer këto 4 vite. Në përkufizimet e diktaturave, mobokracia apo banditokracia vlerësohet si forma më e shëmtuar e të gjitha regjimeve. Nuk kam ndërmend këtu të citoj burimet e pafundme ndërkombëtare, të cilat u cituan këtu gjërësisht nga kolegët e mi në fjalën e tyre. Por unë do të ndalem vetëm në materien e kësaj toke, vetëm të dhënat për t’u faktuar shqiptarëve se Edvin Kristaq Rama është kaput meduza, koka e meduzës së krimit të organizuar në Shqipëri. Është nëna e nënave të krimit. Edvin Kristaq Rama ka instaluar këtu, atë që një ekspert i madh ndërkombëtar do ta quante narkoshteti, apo shtetin e dytë në botë pas Panamasë, shtetin e drogës.
Kurrë ndonjëherë në historinë e shtetit nuk ka ndodhur, që në 1 javë, narkobandat të godasin Policinë e Shtetit 4 herë; në Bathore, Tiranë, Elbasan dhe Lezhë. Po narkobandat janë me fletë, sepse kanë me vete më të madhin, kanë me vete Noriegën, kanë me vete kreun e meduzës së krimit të organizuar.
Hakiu ka çelësat e kashtës dhe të drogës, se çelësat e krimit i ka Edi Rama. A nuk është Edi Rama që mbushi këtë Parlament për herë të parë me kriminelë, me vrasës, përdhunues. A nuk është Edi Rama që përcolli Arben Frrokun, nga Puka jashtë 1 dite para se të merrte vendimin për jetë. A nuk është Edi Rama që doli para shqiptarëve, me një korbë në krah, nënën e një superkrimineli që kishte vrarë katër njerëz të pafajshëm, pa i adresuar një ngushëllim të vetëm nënave të viktimave, të cilat superkrimineli i partisë i veshi me të zeza brenda gjysëm ore.
A nuk është Edi Rama, ai që fshehu për muaj të tërë kërkesën për ekstradim të vrasësit horror Mark Frroku në Belgjikë. A nuk është Edi Rama që ndërseu përdhunues në këtë Parlament për të goditur deputetin e opozitës. Pse merreni me krimin?! Ja ku është krimi, ja ku është nëna e krimit, ja ku është kreu i meduzës.
Është e vërtetë që ne i kemi humbur zgjedhjet. Është e vërtetë se me bandat, me krimin dhe me paratë e krimit, ju keni këtë shumicë. Por mos harro se ne luftën do e vazhdojmë, kemi humbur betejën, por s’kemi humbur luftën. Ta dish mirë, që sot jemi 10 herë më të motivuar për luftën ndaj krimit se sa më parë. Sot është emergjencë, sot shqiptarët çdo ditë e më shumë e shohin, dhe falenderoj mediat, të cilat çdo ditë e më shumë po bëhen vokale kundër kësaj gjëme të madhe që i ka bërë Edi Rama Shqipërisë, duke vendosur këtu regjimin e krimit”.