OKB: Shqipëria me siguri të dobët ushqimore

206

Kur bëhet fjalë për sigurinë ushqimore dhe prevalencën e kequshqyerjes, Shqipëria nuk njeh rivalë në rajon, duke regjistruar në thuajse çdo indikator performancën më të dobët, madje edhe shumë larg mesatares së rajonit. Të paktën këtë thotë Organizata e Kombeve të Bashkuara, që i ka publikuar këto gjetje në raportin më të fundit të titulluar: “Situata e sigurisë ushqimore dhe ushqyerjes nëpër botë, edicioni 2017”. Sa i përket sigurisë ushqimore, raporti thotë se, në vendin tonë, prevalenca e pasigurisë së rëndë ushqimore në raport me totalin e popullsisë, fiksohet në 10%. Siç duket qartë edhe nga kjo tabelë, diferenca me vendet tjera të rajonit është e ndjeshme. Madje, mesatarja e Europës Jugore fiksohet në vetëm 1.6%. Për vendet fqinje ndërkohë, norma zbret nën 2%. Të dhënat i referohen periudhës 2014-2016. Një tjetër indikator, që e nxjerr Shqipërinë thuajse në fund të tabelës, është ai që i referohet kequshqyerjes. Në këtë drejtim Serbia duket se është i vetmi vend më keq se Shqipëria. Kombet e Bashkuara vlerësojnë se, 4.9% e popullsisë shqiptare ushqehet keq, çka përfshin edhe mungesën e ushqimit. Mesatarja e rajonit është nën 2.5%, ndërkohë që në Serbi norma ngjitet në 5.6%. Për Maqedoninë ndërkohë, norma fiksohet në 3.9%. Raporti i Kombeve të Bashkuara flet dhe në terma absolute për të dy nënindikatorët, dhe rezulton se në vendin tonë ka 100 mijë persona të kequshqyer, dhe 300 mijë të tjerë që vuajnë një pasiguri të theksuar të ushqimit. Në krahasim me periudhën 2004-2006, norma e personave të kequshqyer ka rënë ndjeshëm, me thuajse 200 mijë persona, nga rreth 11.1% që ishte, në 4.9% sot.