“Nuk e gëzoni fitoren, 2.4 milionë qytetarë i keni kundër”

900

Rama ka fituar zgjedhjet, por nuk gëzon. Ish–Kryeministri Berisha e ka konsideruar fitoren e Ramës në zgjedhjet e 25 qershorit si një dasmë ku mungon nusja. “Nuk festojnë sepse e dinë se janë të ndëshkuar nga 2.4 milionë shqiptarë që i braktisën dhe nuk votuan për ta”, tha Berisha.
Ish-Kryeministri Berisha ka paralajmëruar se, vendi po shkon drejt një rrokullisje të madhe. Ai i është referuar situatës politike dhe ekonomike në vend dhe faktit se në katër vite asnjë investitor i huaj nuk ka investuar në Shqipëri. Berisha ka denoncuar një skandal sipas të cilit Rama ka vendosur hafije edhe brenda grupit të deputetëve të PS, një shenjë kjo e mungesës së besimit dhe shfaqjes së paranojave të hapura. Ish-Kryeministri ka sfiduar hapur Ramën kur i ka kërkuar që të dy së bashku të shkojnë dhe të bëjnë testin e drogës.

Sali BERISHA

Në ligjet dhe Kushtetutën e vendit, kjo seancë mblidhet për raportin, për programin e qeverisë së 4 viteve që vijnë, mazhorancë kjo e dalë nga zgjedhjet e fundit me 74 deputetë, e transformuar në rrugë e sipër në 78 e 80. Dhe deri këtu kemi të bëjmë me një ecuri të ligjshme, ligjore, të përcaktuar nga Kushtetuta, të përcaktuar nga ligjet e vendit.
Mirëpo, cilido që vëren fytyrat e këtyre deputetëve dhe të këtyre shokëve që qëndrojnë prapa meje, konstaton menjëherë se ka zi në sytë e tyre, konstaton menjëherë se ka frikë në sytë e tyre, konstaton se ka pasiguri të madhe. Edi Rama këtu mbajti një fjalim, duhet të pranojmë se ishte i ndryshëm nga ai i katër viteve më parë, por e mbajti të diktuar nga një panik i madh. Pse, nga vjen ky panik? Ky njeri, me Kushtetutë ulet aty si kryeministri i vendit. Të tjerë ka caktuar ministra. Ka caktuar për herë të parë edhe hafijet e deputetëve brenda grupit të deputetëve. I ka bërë të gjitha këto. Por sepse ai e di mirë, e di mirë çdo deputet, e di mirë çdo qytetar, se përveç Kushtetutës në ligje, ekziston dhe kushtetuta morale e njeriut, ekziston kushtetuta morale e kombit, ekziston kushtetuta morale e burrave dhe grave, e djemve dhe vajzave, e fëmijëve që buron nga zemra dhe shpirti i tyre. Në atë kushtetutë, ju jeni fitimtarët humbës më të mëdhenj në historinë e këtij vendi.
Në atë kushtetutë morale, ju vini këtu si një pseudomazhorancë e vërtetë. Në atë kushtetutë morale të qytetarit, të burrit, gruas, fëmijës, të riut, të resë, kombit në tërësi, ju jeni të ndëshkuar. 2.4 milionë shqiptarë dhe sa përfaqësojnë të tjerët që janë në moshë jo të votimit, ju përbuzën, ju përçmuan, ju ndëshkuan. Unë nuk përdor termat që përdore ti katër vite më parë. Jo, nuk ndaj atë koncept për votën. Por e vërteta është se 2.4 milionë shqiptarë me votën kundër dhe akoma më rëndë me bojkotin, ja u shndërruan ju fitoren në një dasmë pa nuse. Po, po, ju s’e gëzoni dot. Çfarë fitoreje është kjo, kur procesit themelor, jetik për demokracinë, për liritë, nuk i besuan miliona shqiptarë, por braktisën kutitë e votimit? Normal që mund të më shtroni pyetjen: po ju ku ishit? Padiskutim që ne nuk realizuam objektivin tonë dhe patëm problemet tona, por procesi i votimit është detyrë morale e qeverisë. Detyra kryesore e opozitës është të marrë pjesë në procesin e votimit. Por një proces të besueshëm s’e bën dot kurrë opozita. Një proces të besueshëm për qytetarët e bën qeveria. Po nëse ka, që nga koha e Enver Hoxhës deri sot, kryeministër që ulet në atë vend i përçmuar nga qytetarët e tij, ti je i dyti pas Mehmet Shehut. Ndaj dhe ti nuk gëzon, ndaj dhe ti vrapoje nga qyteti në qytet me melxhise popullore. Nuk jam kundër, se edhe mexhlisi dëgjesë është. Por, kur kërcen nga sevdaja dhe nga halli, ky është problem madhor.

Bllokim radarëve për drogën

Nuk do të ndalem këtu të numëroj serinë e pafundme të dështimeve dhe mashtrimeve. E kam thënë dhe e them: e fyen gënjeshtrën ta quash Edi Ramën gënjeshtar. Po do të ndalem në disa probleme madhore. Pse qytetarët shqiptarë ju ndëshkuan ju në një mënyrë ekzemplare? Pse kaq olimpikë në kthjellësinë e qëndrimit të tyre? Arsyet janë sepse filozofia jote është filozofia drogës. Duket ngaqë vetë je përdorues droge, por për këtë, për të ma provuar të kundërtën hajde shkojmë bashkë të bëjmë të dy testin e drogës ku të duash. Përderisa nuk vjen atëherë ke ndonjë problem. E fillove më 2008 me zonjën Bako. E more nënën 70-vjeçare për t’u thënë shqiptarëve se djali i saj që ka mbjellur drogë nuk ka bërë ndonjë krim dhe regjimi i Berishës po e mban barbarisht në burg. E lirove etj. Ky ishte mesazhi i drogës që u dërgoje shqiptarëve. Erdhe në pushtet dhe e mbushe Shqipërinë me drogë duke u bërë i dyti në botë që e bën këtë. Duhet ta dini se dhe në vitet ‘60 këtu ka qenë kanabisi plot dhe jo vetëm kanabisi, por na nxirrnin në ara për të mbledhur lulekuqe, opiumin derisa i nxorën kartonin e kuq Hoxhës.
U kthyem te droga, u mboll drogë në një mënyrë të paimagjinueshme. Beteja e opozitës dy rrugë kishte. Ose opozita të pajtohej me këtë dhe o burra kush ta mbështesë më shumë, ose opozita të qëndronte kundër në emër të vlerave morale të Kushtetutës ligjore të vendit. Ne qëndruam kundër, e denoncuam kudo. Ku është sot Shqipëria? Pasi ka gënjyer me dhjetëra e dhjetëra herë ky zotëri, se ka fshirë kanabisin në 99,5% të territorit etj., ju them se nga Priska deri në Kala të Dodës, nga Librazhdi deri në Frashër e Delvinë, tunelet e ushtrisë, depot e rezervave shtetërore janë të vulosura e të dyllosura me mijëra tonelata drogë që presin për t’u shitur. Kam dëgjuar se nuk kanë mbjellur më aq shumë drogë. Ështe e vërtetë, por kjo ka ndodhur se ende u ka ngelur droga pa shitur. Po lufton drogën ti? Po ti je njeriu që arrestove 22 mijë shqiptarë për faturën e energjisë elektrike, njerëz që s’kishin kafshatën e gojës, njerëz që u varën në litar në burgjet e tua. Ti je njeriu që s’ke arrestuar as pesë vetë për drogën dhe plantacionet e saj. Ti je njeriu që ke dhënë urdhër, ke bllokuar radarët dhe ke liruar transportin e drogës.

Fitorja jote është dasmë pa nuse

Pra, shumica jote është shumicë droge, ndaj dhe Kushtetuta morale e kombit, e qytetarit dhe e njeriut nuk e pranon atë. Fitorja jote është dasmë pa nuse. Po pse? Sepse është e bazuar mbi krimin, mbi krimin e doktrinës së pari. Se krimi i dobishëm, është i mirë. Se krimi që më ndihmon në pushtet, është i mirë. Një mijë herë mund të pyesni veten se çfarë i duhet një kryeministri krimineli? Krimineli, një kryeministri që zbaton ligjin, është kundërshtari më i egër i tij. Ndërsa i një kryeministri që do të shtrijë pushtetin e tij jashtë ligjeve, instrumenti më i fuqishëm është krimineli. Në diktaturë ka patur disa ligje, të këqija, por ata që thyenin ligjet, ata ishin xhelatët më të respektuar dhe më të vlerësuar. Pse? Sepse ata merrnin përsipër të thyenin ligje, ata merrnin përsipër për të vrarë. Zotërisë i duhet krimi, për t’ja çuar kryetarit të opozitës për t’i thënë se po e nxore kokën në dritare, e kam drejt teje shënjestrën. I duhet krimi për t’i thënë X kompanie se këtu është Vilma Nushi që do të fitojë tenderin, guxo po deshe. I duhet krimi për t’i mbyllur gojën kundërshtarëve, i duhet krimi si hanxhar kundra mediave.

Asnjë investim i huaj në katër vite

Pra, kjo është shumicë që bazohet mbi krimin. Në këto kushte, a mund të jetë kjo shumicë e Kushtetutës morale të një njeriu, të një kombi?! Jo, kurrën e kurrës. Çfarë i duhet krimi? Për të përcaktuar investime. Vendi po ecën drejt një rrokullisje të madhe. Katër vite trete dhjamin e viteve të mëparshme. Për Shqipërinë investimet e huaja janë jetike sa ajri, përveçse për ata që kanë mendësinë e Enver Hoxhës. Çfarë u bë në këto vite? Merrni pak dhe shihni INDEX mundi. Në vitin 2009 Shqipëria mori 2.3 miliardë lekë investime, më 2008 Shqipëria mori 1.2 mld lekë e me radhë i keni aty çfarë thuhet. Pra, në atë kohë nuk kishte as TAP, as Devoll, as lumi i Fanit dhe investimet ishin 1.2 mld. Sot sa janë? Sot 90% e investimeve janë ende TAP, Devolli dhe Fani. Cila kompani erdhi këto katër vite? Asnjë. Lamë tre kompani të mëdha; lamë TAP, Devoll dhe OMNIX. A e dini ju që s’ka durrsak që s’e di se kush i shkaktoi 37 fraktura menaxherit të kompanisë OMNIX tek Ura e Limuthit. Çdo durrsak e di, por s’i ndodh asgjë. Edhe atë investitor e përzure. Dhe nëse ka dështim 27-vjeçar të qeverive shqiptare, ishte turizmi. Pra, edhe një që po ndërtohej këtu, i bëmë 37 fraktura, e dimë se kush ia bëri, por s’i bëjmë gjë. Po pse? Se ndrikulla dhe kumbra janë mbrapa. Edhe ata dihet se kush janë.

Ambasadori largoi investitorin gjigant: Nuk është vendi i duhur

Kush po u thotë investitorëve mos hajdeni të investoni këtu? Po u thonë rëndom ambasadat. Doni t’ju jap shembuj. Para dy muajsh, një nga gjigantët e botës në prodhim dhe eksportim erdhi i kënaqur e i gëzuar me gjithçka që të investonte në Shqipëri. I kërkoi një opinion ambasadës dhe ajo çfarë i tha? Nuk është një ambient miqësor për të investuar, i tha. U ndal dhe iku. Ka shembuj të tjerë sa të doni. Po si mund të jetë ambient miqësor kur tjetrit i bëhen 37 fraktura. Ata kanë sigurinë të parën, s’kanë miliardat. Ju ftoj të lexoni çfarë shkruhet, lexoni raportin e DASH.
Pse ju doli dasmë pa nuse kjo ju? Ju doli sepse në atë raport nuk keni një fjalë të vetme për korrupsionin, që është shtyllë kryesore e regjimit tuaj. Po pse nuk keni një fjalë të vetme për korrupsionin? Sepse megakorruptorët i ke vënë këtu, kampionë dhe mendon se këta do t’i lash me thinjat e bardha të Pandeliut. Kjo nuk ndodh, nuk e lan me asgjë Gjiknurin, as Zho Zho apo ndrikull Manasterliun. Nuk ka ujë që t’i lajë këto. Nuk e zgjidh dot problemin me tri hafije. Problemi zgjidhet duke bërë ligjin e konfliktit të interesit, ta plotësojmë atë me çdo nen, atë po bën Macron atë të bëjmë edhe ne. Po ti ke frikë nga ligjet.