Notat e pakalueshme të turistëve të huaj

89

Turistët e huaj përgjithësisht shprehen të kënaqur me ushqimin në restorantet shqiptare, sidomos për produktet e detit, gatimin mesdhetar e italian dhe çmimet e lira.
Por, pa dyshim që ka edhe ankesa, që më së shumti janë për cilësinë dhe vonesat në shërbim, faktin që pjesa më e madhe nuk flasin anglisht apo dhe sjelljen e kamerierëve, që shpesh u vënë kushte të çuditshme, të detyrojnë të marrësh çadër ose nuk sjellin atë që duan porositësit.
Nga një kërkim të Trip Advisor, restorantet apo edhe hotelet, që kanë rishikimet më negative janë ato të jugut të vendit, kryesisht Ksamilit, Vlorës, Himarës e Dhërmiut.
Jensi nga Suedia shkruan se udhëtoi në Shqipëri për dy javë dhe nuk ka pasur në asnjë vend ushqim aq të keq sa në një restorant në Ksamil. “Midhjet ishin të mira, por çdo gjë tjetër nuk ishte fare e mirë. Dhe shërbimi ishte një shaka. Një nga më të këqijat në jetën time”, shkruan ai.
Një tjetër turist, Armando nga Ankaraja, shkruan se po në Ksamil, pas një pijeje shkuan të notonin. Por, pronarët e barit e detyruan të marrë çadër edhe pse “deshëm vetëm të notonim dhe shtriheshim në rërë, edhe kur të paktën dy metra rërë nga deti është pronë e shtetit”.
Edhe për Vlorën, Himarën e Dhërmiun nuk mungojnë pakënaqësitë, sidomos për sjelljen e personalit. Leoandi shkruan për një restorant në Himarë, se ushqimi erdhi pas një ore, ishte komplet pa shije dhe në fund pronari donte edhe bakshish. Në Dhërmi ankohen se stafi është jo miqësor, pret me shekuj për menunë dhe ushqimin. Në një tjetër restorant, po në Dhërmi, Alba ankohet se donin të hanin diçka të shpejtë, por kamerieri u solli ushqime që nuk i kishin porositur dhe kamerieri nuk i kthente mbrapsht. Dhe ata u detyruanin të hanin ushqimet pa shije dhe të paguanin.
Rishikimet negative janë të shumta edhe për hotelet në Vlorë. Maksimi nga Franca, që e ka gruan shqiptare, thotë se ishin në një hotel në Vlorë dhe gjithçka ishte e tmerrshme. “Duhet të paguanim 800 euro për dy dhoma për 8 ditë. Nëse ndizje dritën dhe ujin e ngrohtë, iknin dritat. Kishte një kuzhinë po asgjë nuk punonte. Një nga dhomat nuk kishte ujë për një problem të brendshëm. Krevatët të vrisnin kurrizin. Kur e pyeta menaxherin për zgjidhje ai tha: Jemi në Shqipëri dhe iku. Ai shtoi se kishte 10 mijë turistë të tjerë te dera. Për të marrë paratë mbrapsht as që bëhej fjalë”.
Për të njëjtin hotel, Marco nga Italia, pasi ishte lodhur me pritjen, papastërtinë dhe banjon që kishte probleme shkruan: “Asnjë ndjesë, shumë arrogancë dhe një shërbim që ta shpif. Më keq se kështu nuk kam parë kurrë”.
Për një tjetër hotel në Vlorë, Amirah, që kishte qenë me një grup me 17 persona që kishin qëndruan në 13 dhoma shkruan se ai ishte i tmerrshëm. “Paguam 70 euro në natë për plehëra. Nuk kishte standard, shërbimi ishte i tmerrshëm”.
Ankesa ka dhe për Tiranën, për stafin, cilësinë e ushqimit, madje edhe për çmimet.
Nuk mungojnë as për restorantet në Durrës. “Restoranti më i keq ku kam qenë. Shërbim kaotik. Mos e humbisni kohën. Do të hani çfarë do kamerieri, jo çfarë doni ju”, shkruan një pushues. Edhe Andrea nga Italia shkruan po për Durrësin se personali ishte komplet i papërgatitur, pothuajse askush nuk flet anglisht dhe megjithëse kishte 6 persona në kuzhinë, pritja ishte e ekzagjeruar.