Në krye të listës në Europë me 2120 vdekje nga ndotja e ajrit

321

Mbi 2100 persona humbin jetën çdo vit në vendin tonë si pasojë e ndotjes së ajrit. Specialistët e Shëndetit Publik dhanë alarmin për këtë situatë, ku përveç numrit të lartë të vdekjeve, shifra e personave të sëmurë nga problemet respiratore apo kardiake është disa herë më e lartë. “Është fakt, që Shqipëria ka një problem madhor me ajrin urban. Sipas raportimit më të fundit të Agjencisë Europiane të Mjedisit, në vitin 2016, Shqipëria ka 2120 vdekje në vit nga ndotja e ajrit. E klasifikuar teknikisht, kjo është rreth 2 mijë vdekje nga grimcat e imëta që janë dhe ndotësit kryesorë PM10, PM2,5 dhe pjesën tjetër nga oksidet e azotit dhe nga ozoni që janë po ashtu gaze që lidhen me transportin automobilistik”, sqaron specialisti Agron Deliu. Specialistët kërkojnë që të merren masa për të ulur ndotjen e ajrit, duke nisur nga pastrimi më i mirë i rrugëve brenda qyteteve dhe kontrolli i cilësisë së karburanteve. Agron Deliu: “Ëshë një gamë e gjerë masash që duhen marrë, të kontrollohet më mirë cilësia e rrugëve, cilësia e karburanteve, cilësia e motorëve të makinave, gjelbërimet e qyteteve, sepse gjelbërimi përveç faktorit estetik ka një faktor shumë të madh si filtrues i grimcave të imëta dhe i gazeve që çlirohen në qytet”.

Statistikat e OBSH

Të dhënat e reja nga Organizata Botërore e Shëndetësisë tregojnë se, vendet e Europës Lindore dhe ato të Ballkanit vuajnë shkallën më të lartë të ndotjes së ajrit dhe vdekjeve të lidhura me ndotjen e ajrit në të gjithë Evropën. Sipas statistikave të reja të OBSH, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Shqipëria dhe Ukraina, kanë normat më të larta të vdekshmërisë evropiane që i atribuohen ndotjes në shtëpi dhe ajër. Shumë nga këto vende të njëjta, duke përfshirë ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Poloninë dhe Hungarinë, kanë nivelet më të larta mesatare vjetore të ndotjes së ajrit të qytetit. Sipas të dhënave, Shqipëria është e treta në Europë për nga vdekshmëria nga ndotja e ajrit, pas Bosnjës dhe Bullgarisë. Shqipëria regjistroi me 166.1 vdekje për 100 mijë banorë. Në të dyja spektret, Bosnja dhe Hercegovina është renditur si performuesi më i keq evropian. Në vitin 2014, Bosnja kishte vetëm më shumë se 55 mikrogramë për metër kub të grimcave të ndotësve, më të vogla se gjerësia e një qime njerëzore, të aftë për të hyrë në mushkëri dhe për të shkaktuar probleme shëndetësore. Kina, e cila është e njohur për problemet me smogun mbytës dhe nivelet kronike të larta të ndotjes së ajrit urban, kishte nivele mesatare në 59.5 mikrogramë për metër kub. Niveli i lartë i ndotjes së ajrit në Bosnje nënkuptonte se në vitin 2012, vendi pësoi rreth 231 vdekje për 100,000 njerëz. Ky numër përfaqëson shkallën më të lartë të vdekjeve në botë në mesin e vendeve të listuara në raportin e OBSH. Vetëm Koreja e Veriut kishte një rezultat më të keq. Deri në 238 njerëz për 100,000 mendohet se kanë vdekur atje nga sëmundjet e lidhura me ndotjen e ajrit, tha OBSH. Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se me këto shifra, ndotja e ajrit vret më shumë se sa SIDA, tuberkulozi, aksidentet rrugore dhe tumoret të marra së bashku. Në rang global, ndotja e ajrit është rreziku i katërt më i madh për shëndetin e njeriut pas hipertensionit, risqeve dietike dhe cigares. Ajo shkaktohet nga prodhimi i energjisë, industria, transporti apo aktivitete të tjera, që çlirojnë gazrat ndotës në atmosferë. Në rastin e Shqipërisë, ndotja e madhe e ajrit është e lidhur kryesisht me mungesën e kontrollit shtetëror mbi kompanitë ndotëse. Këto të fundit madje nuk zbatojnë as detyrimet më minimale për të investuar në reduktimin e ndotjes që shkaktojnë, duke nxjerrë fitime të majme në kurriz të shëndetit të qytetarëve. Shqipëria zakonisht gjendet në fundin e klasifikimeve botërore, për mirëqenien apo treguesit e zhvillimit shoqëror. Por për fatin e saj të keq qëndron në majën botërore për treguesit katastrofikë si ky i vdekjeve nga ndotja.