Kasapi Mlladiç do të lirohet? E kërkon Serbia

307

Qeveria e Serbisë do të ofrojë garanci për lirimin e përkohshëm të të akuzuarit për krime lufte nga Tribunali i Hagës, Ratko Mlladiç, për shkak të nevojave shëndetësore, ka thënë ministrja e Drejtësisë në qeverinë e Serbisë, Nella Kuburoviç.
“Lirimi është kërkesë e familjes dhe avokatit të gjeneralit Mlladiç. Ministria e Drejtësisë i ka nisur procedurat, sipas të cilave, Mlladiç do të lirohej përkohësisht për mjekim të mëtutjeshëm në Serbi”, ka thënë Kuburoviç.
Ajo ka thënë po ashtu se dhënia e garancive për Mlladiçin së shpejti do të vihet në rend dite në qeverinë e Serbisë.
Mlladiç është akuzuar nga Tribunali i Hagës më 25 korrik 1995 për gjenocid, pjesëmarrje në gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve të luftës në Bosnjë e Hercegovinë. Vendimi rreth gjykimit të tij nga Shkalla e Parë e Tribunalit, pritet të merret deri në nëntor të vitit 2017.