Investitorët dynden në Europën Qendrore

139

Vitin e kaluar, investimet e kapitaleve private në Europën Qendrore arritën nivelin më të lartë që nga periudha e krizës financiare, shkruan “Financial Times”.
Investitorët u dyndën në Europën Qendrore përpara se të ndodhte kriza financiare, të bindur se pranimi i disa shteteve në BE do të nxiste rritjen ekonomike, por më pas ndryshuan tërësisht mendim, sidomos pas goditjes që mori tregu si pasojë e krizës financiare të viteve 2008-‘09.
Megjithatë, pas goditjes që mori në vitin 2013 duke prekur nivelin më të ulët, investimi i kapitalit privat në rajon filloi të tregojë shenja rimëkëmbjeje dhe në vitin 2016 arriti në 1.6 miliardë euro. Sipas një studimi të kryer nga Invest Europe, institucioni kryesor i industrisë për firmat europiane të kapitalit privat, edhe pse ky nivel më i lartë që nga viti 2009, vazhdon të mbetet më poshtë pikut të shënuar më 2008 prej 2.5 miliardë eurosh.
“Unë mendoj se ajo që nxit më tej interesin janë të dhënat e mira makroekonomike që dalin nga rajoni, si dhe fakti që ka pasur një seri daljesh të suksesshme me të ardhurat që u ktheheshin sërish investitorëve”, tha Robert Manz, kryetar i task forcës të Invest Europe për EQL-në dhe partner i Investitorëve të Ndërmarrjeve.
“Ne presim që 2017-a të jetë edhe më e fortë se vitin e kaluar, pasi ka disa menaxherë të fondeve të mëdha në treg që po mbledhin para”.
Aktiviteti i mbledhjes së fondeve në rajon arriti në 626 milionë euro në vitin 2016, me një rritje prej 62% nga 2015, por ende shumë më poshtë nivelit të vitit 2007, ku ai shënonte vlerën prej 4.03 miliardë eurosh.
Pjesa më e madhe e kapitalit të ngritur, 58%, erdhi nga investitorët europianë, por jo nga ata të Europës Qendrore dhe Lindore.
Ekonomitë e Europës Qendrore janë rritur me shpejtësi gjatë dy viteve të fundit, për shkak të një kombinimi të favorshëm mes kërkesës së fortë vendase, rritjes së eksporteve dhe normave të interesit në nivele të ulëta.
Të dhënat e publikuara së fundmi treguan se Rumania shënoi një rritje me 5.7% në vit në tremujorin e dytë, njëkohësisht edhe shkalla më e shpejtë e rritjes në BE. Edhe shtete të tilla si Polonia, Republika Çeke, Hungaria dhe Sllovakia gjithashtu shënuan rritje të shpejtë.
Krahas figurave të forta ekonomike, një sërë marrëveshjesh nga grupet e blerjeve kanë tërhequr vëmendjen e investitorëve, siç është blerja prej 1 miliard eurosh e zinxhirit polak të dyqaneve Zabka gjatë këtij viti dhe blerja e Allegro për 3,25 miliardë euro, platforma polake e tregtisë online, nga një konsorcium i kapitalit privat në vitin 2016.
“Ne patjetër që po shohim rritje të aktivitetit. Ka disa fonde të reja që kanë ardhur në rajon dhe në anën e kapitalit sipërmarrës ka pasur shumë aktivitete pas hyrjes së Fondit europian të Investimeve si Partner i Kufizuar”, u shpreh Kinga Stanislawska, themeluese e Fondit të Sipërmarrjes, Experior.
Pothuajse gjysma e investimit të kapitalit privat të regjistruar nga Invest Europe, 725 milionë euro, shkoi në Poloni, tregun më të madh në rajon. Republika Çeke tërhoqi 168 milionë euro, Lituania 156 milionë euro dhe Rumania 147 milionë euro.
Grupet që shënuan një interes të lartë ishin kompanitë e mallrave të konsumit, një sektor që ka përfituar teksa niveli i papunësisë ka shënuar rënie dhe rritja e pagave kanë nxitur shtimin e shpenzimeve të familjeve në disa vende të Europës Qendrore. Sektori i dytë më i shënjestruar ishte ai i energjisë.