Frika nga një përçarje e Evropës

109

Ivan Krastev

“Njeriu priret ta shohë rendin në të cilin jeton, si të natyrshëm”, shkruante Czeslaw Milosz në vitin 1951, duke përmbledhur përvojën tragjike të brezit të luftës në Evropë. Më tej ai shkruan: “Shtëpitë përgjatë, të cilave ai kalon rrugës për në punë duken më shumë si shkëmbinj që ngrihen nga toka sesa si produkt i dorës së njeriut … Ai nuk mund të besojë se një ditë në rrugën që ai njeh mirë, ku flenë mace dhe luajnë fëmijë, mund të shfaqet një kalorës dhe të fillojë t’i kapë kalimtarët me lak … Për ta thënë me një fjalë: ai sillet pak si Çarli Çaplini në filmin ‘Ethet e floririt’, i cili hidhet sa andej-këndej në një kasolle, që gjendet pranë buzës së një shkëmbi të rrezikshëm”.
Për evropianët Bashkimi Evropian ishte një botë e tillë natyrore. Por ajo nuk është më. Në fund të vitit 2016, të shkatërruar nga Brexiti dhe të pasigurt nga fitorja e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale amerikane, shumë evropianë ranë thellësisht në dëshpërim. Dhe u përhap bindja se ora e Bashkimit Europian në histori kishte marrë fund.

Një e çarë përmes Evropës

Tani, nëntë muaj më vonë, gjendja shpirtërore ka ndryshuar. Fitorja e Trumpit u ka rikthyer shumë evropianëve vlerësimin e tyre për projektin evropian. Dhe fitorja zgjedhore e Emmanuel Macronit në Francë mbi bazën e një platforme të qartë pro evropiane ka bërë që shumë të besojnë se BE-ja do të ketë një shans të dytë dhe se do të bëjë maksimumin e saj. Eurobarometri, i publikuar muajin e kaluar, shënon një rritje të ndjenjës publike ndaj BE dhe një monedhe të vetme. Dhe të dhënat ekonomike janë gjithashtu inkurajuese.
Por entuziazmi i verës 2017 mund të jetë po aq i shkurtër dhe çorientues si dëshpërimi në fund të vitit 2016. Megjithëse “Momenti i Macronit” e ka ndryshuar në mënyrë dramatike gjendjen shpirtërore në Evropë, ai nuk ka zgjidhur asnjë nga problemet që BE-ja ka aktualisht. Ndërkohë që mund të shpresojmë që një udhëheqje e re franko-gjermane do të ketë sukses në tejkalimin e ndarjes që u shfaq në mes të Veriut europian dhe Evropës Jugore pas krizës financiare, ka gjithnjë e më shumë shenja se kriza e refugjatëve mund të thellojë më tej ndarjen mes Lindjes dhe Perëndimit.

 

Një paradoks lindoro-perëndimor

Paradoksi i gjendjes aktuale është se edhe pse sondazhet e opinionit tregojnë një konvergjencë të qëndrimeve ndaj refugjatëve dhe emigrantëve në Lindje dhe në Perëndim (publiku perëndimor është bërë më i shqetësuar dhe skeptik, ndërsa evropianolindorët e kanë zbutur pak qëndrimin e tyre në krahasim me vitin e kaluar), ndërkohë që tensionet ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes po përshkallëzohen në BE.
Muajin e kaluar, Kryeministri hungarez, Viktor Orban ka bërë të qartë: “Njëzet e shtatë vjet më parë ne në Evropën Qendrore kemi besuar se Evropa është e ardhmja jonë – sot ne kemi përshtypjen se ne jemi e ardhmja e Evropës”. Disa javë më vonë, Presidenti francez, Emanuel Macron iu përgjigj kritikave nga Varshava për idetë e tij për reformimin e tregut të punës të BE-së me fjalët: “Qëndrimi i një vendi që ka zgjedhur për t’u vetizoluar në Evropë nuk do ta kërcënojë në asnjë mënyrë arritjen e një kompromisi ambicioz”.
Përmbledhtazi mund të thuhet se udhëheqësit populistë në Evropën Qendrore nuk mund ta shohin më BE-në dhe vlerat e saj si një model që duan të ndjekin. Nga ana tjetër, liderët perëndimorë e marrin faktin që qytetarët e vendeve të Evropës Qendrore kanë zgjedhur njerëz si Viktor Orban dhe Jaroslaw Kaczysnki, si shkak për të injoruar frikën e ligjshme të Evropës Qendrore. Ata kanë frikë se disa nga reformat e propozuara, nëse nuk shoqërohen nga iniciativa të tjera politike, mund të dëmtojnë konkurrueshmërinë e ekonomive të tyre.

Një rrezik me vonesë

Nuk është e vështirë të parashikohet se përplasja mes qeverive të Evropës Qendrore që shpërfillin standardet dhe vlerat e BE-së dhe qeveritë evropiane perëndimore që e lënë pas dore interesat e Evropës Qendrore, mund të shkaktojnë shembjen e BE-së në atë moment kur shumica e evropianëve kanë rifituar besimin tek BE-ja.
Evropianolindorët bëjnë ende pjesë tek mbështetësit më të fuqishëm të BE-së, por ata kanë dyshime në lidhje me përfitimet e integrimit evropian. Lindja dhe Perëndimi tani janë të ndarë jo vetëm prej murit të ndjeshmërisë kur është fjala për fatin e refugjatëve që vijnë në Evropë, por edhe për efektet e hapjes së kufijve brenda BE-së, kur është fjala për të ardhmen e Evropës Lindore.
Njerëzit i kanë parë gjatë kufijtë e hapur në BE si ndryshimin më të rëndësishëm pozitiv që erdhi pas vitit 1989. Sot, ndërsa nga njëra anë miliona evropianolindorë po thurin plane për të studiuar, punuar dhe jetuar në Perëndim, ata që kanë vendosur të qëndrojnë e shohin se e kanë vështirë të udhëtojnë për shkak të dallimeve në rritje të të ardhurave midis vendeve të BE-së.

Frika e evropianoqendrorëve

Të paralizuar nga frika demografike, shumë evropianolindorë fillojnë t’i shohin kufijtë e hapur si një portë për transferimin e prosperitetit nga Lindja në Perëndim. Për shembull, shumë njerëz kanë filluar të pyesin veten pse duhet të investojmë në një edukim më të mirë nëse përfituesit kryesorë të këtyre investimeve janë shoqëritë në Evropën Perëndimore.
Brukseli, Berlini dhe Parisi e kritikojnë me të drejtë autoritarizmin në disa vende të Evropës Lindore. Megjithatë, ata nuk duhet t’i përdorin Orbanin ose Kaczynskin si një justifikim për shpërfilljen e frikërave të reja të krijuara në Evropën Qendrore lidhur me të ardhmen e tyre në BE.

Ivan Krastev është drejtues i “Centre for Liberal Strategies” në Sofie. Që prej vitit 2015 ai shkruan rregullisht analiza për “New Jork Times”. Libri i tij i fundit “Perëndimi i Evropës” është botuar në vitin 2017.