Edhe “Tajlanda” e Shqipërisë me koncesion

113

Kohëve të fundit mund t’ju ketë qëlluar të shihni nëpër rrjetet sociale disa foto mbresëlënëse nga një lumë në Veri të Shqipërisë, pamjet e të cilit janë krahasuar me ato Tajlandës. Bëhet fjalë për lumin e Shalës, i cili është kthyer në atraksionin kryesor turistik të këtij viti me një frekuentim të rritje të jashtëzakonshme. Për të gjithë ata që e kanë vizituar përshtypjet janë nga më mbresëlënëset, ndërsa ata që ende nuk e kanë vizituar mirë do të ishte ta bënin këtë sa më shpejt sepse shumë shpejt do të gllabërohet nga koncesionet. Madje tashmë ka një projekt konkret me tre kompani fituese të shpallura nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë.

HEC-i mbi Shalë 100 milionë USD

Ministria e Energjisë dhe Industrisë bëri me dije se ka shpallur fituesit e koncesionit për hidrocentralin mbi lumin Shalë. Referuar vlerës së investimit, por dhe fuqisë së instaluar duket se kemi të bëjmë me një nga hidrocentralet më të mëdhenj në vend. Kompania fituese është një bashkim i përkohshëm i shoqërive “Çinar-San Hafriyat Nakliyat Insaat Turizm Sanayi Ve Ticaret LTD.STI”, “Shala Energy PLC” dhe “Falak Properties LLC” .

Të dhënat për HEC-in

Fuqia e instaluar e përcaktuar me prurjen llogaritëse parashikohet që të jetë 83,450 kW, me një prodhim të energjisë elektrike rreth 321,465,632 kWh. Vlera e Fee-së së koncesioneve të ofertuar është 2.1% (6,750,778 kWh) kurse koha e zbatimit të punimeve 36 muaj. Vlera pa TVSH është 11,239,204,263 lekë.
Interesi për shfrytëzimin hidroenergjetik është për ujërat e lumit të Shalës, midis kuotave 486 metra mbi nivelin e detit deri në 176.00 metra mbi nivelin e detit, i cili është edhe kuota maksimale e rezervuarit të Komanit, duke respektuar kushtet teknike të projektimit dhe moscenimit të objekteve që parashikohen të ndërtohen në këtë pellg ujëmbledhës.
Lumi i Shalës mbi të cilin është planifikuar të ndërtohet hidrocentrali është një nga degët e lumit Drin që furnizon kaskadën e Drinit, e cila është vepra më e rëndësishme energjetike në vend që siguron mbi 90% të energjisë në vend.

Jepen edhe HEC-i Gojan dhe Bushtrica 1

Ministria e Energjisë bëri me dije se ka shpallur edhe fituesit për hidrocentralin Bushtrica 1, e cila ishte për më shumë se dy muaj e ankimuar në Komisionin e Prokurimit Publik. Sipas njoftimit fitues për këtë koncesion është shoqëria “Doko”shpk me një vlerë investimi 506 milionë lekë pa TVSH, ndërsa fuqia e instaluar do të jetë 4220 Kw.
Për hidrocentralin e Gojanit fituese është shpallur “M.C. Inerte” shpk me një vlerë investimi 1.9 miliardë lekë.
Kompanitë fituese për tre HEC-et duhet të paraqesin pranë ministrisë dokumentet shtesë për t’i hapur rrugë nënshkrimit të kontratës finale.

“Monitor”