Dëshmitari: Pashë Shullazin t’i vinte pistoletën në bark Ylviut

109

Prokuroria për Krimet e Rënda siguroi një tjetër dëshmi të fortë për akuzat e ngritura ndaj Emiliano Shullazit dhe katër të bashkëpandehurve të tjerë. Dëshmitari i mbrojtur, Besnik Musai, shofer i biznesmenit Ylvi Beqja, rrëfeu në seancën e të martës kërcënimet e të akuzuarve ndaj punëdhënësit të tij.
Thëniet e tij para gjykatës ishin në sinkron me dëshminë e dhënë më herët nga Ylvi Beqja. “Pashë Emiliano Shullazin t’i vërë Ylviut një pistoletë në bark. Pastaj ata u futën prapë në zyrën e noteres. Endrit Qyqja mbylli qepenin. Kur doli nga aty Ylviu ishte shumë i mërzitur. Nuk foli gjatë gjithë rrugës. Disa ditë më vonë, më tha që ata i kishin kërkuar shuma të mëdha parash”, rrëfeu Musai një nga kërcënimet e pretenduara nga ana e Beqjes.
Më tej, Musai rrëfeu për një rast ku Beqja i kishte dorëzuar Gilmando Danit një shumë prej 80 mijë euro. “Unë prita në makinë, ndërsa Ylviu takoi Gilmandon para një lokali tek ish-parku”, deklaroi ai. Në një rast tjetër, dëshmitari tha se së bashku me Beqjan ishin nisur për t’i dorëzuar Gilmando Danit një shumë prej 70 mijë eurosh, por kishin pasur një incident gjatë rrugës.
Besnik Musai tregoi për një kërcënim me jetë të marrë në fundjavën e kaluar nga persona të dyshuar si lidhje e Shullazit. Shoferi i Ylvi Beqës tha para gjykatës se, të dielën dy persona të panjohur i kanë shkuar në shtëpinë e prindërve në Durrës dhe i kanë kërcënuar me jetë nëse i biri, Besnik Musai, dëshmonte kundër Emiliano Shullazit dhe bashkëpunëtorëve të tij.
“Të dielën dy persona të panjohur më kanë kërcënuar familjen, ndaj kam bërë denoncimin dhe kërkova mbrojtje. Dy persona kanë ardhur në shtëpinë time në Durrës dhe i kanë thënë nënës sime që nëse dëshmoja kundër Emiliano Shullazit do ta kisha keq punën”, ka thënë dëshmitari.
Gjykata pranoi kërkesën e mbrojtësve për të bërë një ballafaqim mes dëshmitares Aida Spahiu dhe Besnik Musajt, si edhe ballafaqim mes saj dhe biznesmenit Ylvi Beqja. Në seancën e radhës pritet pyetja e gjashtë dëshmitarëve, mes të cilëve ish-kreu i Hipotekave, Ilirjan Muho, biznesmeni Fejzi Kodra dhe bodigardi i Beqjas, Romeo Tarja.
Për seancën e së martës, Muho justifikoi mospraninë e tij me një raport mjekësor. Emiliano Shullazi dhe katër miqtë e tij po gjykohen për “gjobëvënie” në formën e grupit të strukturuar kriminal ndaj tri biznesmenëve dhe për “kanosje”.
Në qershor të këtij viti, dëshmitari i mbrojtur, Ylvi Beqja akuzoi në sallën e gjyqit direkt Shullazin për kërcënime dhe gjobëvënie. Sipas Beqes, ai i ka paguar në disa episode të ndryshme rreth 500 mijë euro gjobë Shullazit, si dhe i ka kaluar në pronësi një pjesë të ish-Hotel Vollgës në Durrës. Po gjatë dëshmisë së dhënë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, Ylvi Beqja pati deklaruar në qershor se i ishin ofruar 7 milionë lekë për të tërhequr dëshminë e dhënë kundër Shullazit dhe bashkëpunëtorëve të tij dhe se për shkak të refuzimit ishte kërcënuar me jetë ai dhe familjarët e tij.
Në një nga seancat gjyqësore, biznesmeni Ylvi Beqja ka deklaruar para trupit gjykues se i kishin ofruar 7 milionë euro që të tërhiqte padinë ndaj Emiliano Shullazit. Beqja i tregoi gjykatës, një moment kur Elvis Martini, i kishte shkuar në shtëpi duke kërkuar të heqë dorë nga dëshmia kundër Shullazit, kundrejt 7 milionë eurove. Sipas Beqës, Martini kishte shprehur gatishmërinë të paguajë 1 milion euro në moment dhe pjesën tjetër disa ditë më pas. Këtë ofertë, Beqja tha se e kishte refuzuar, duke bërë që Martini ta kërcënojë me armë atë me vrasjen e pjesëtarëve të familjes. Por jo vetëm kaq, Beqja akuzoi edhe avokatët e të pandehurve, që sipas tij, me ndihmën e njerëzve të Shullazit kanë mbledhur disa biznesmenë të ndryshëm, të cilët i kanë kërcënuar për ta akuzuar Beqjan për mashtrim.