Berisha: Të çojmë në vend idealet për të cilat Azemi dha jetën!

43

Ish-Kryeministri Berisha deklaroi dje gjatë ceremonisë përkujtimore në 19-vjetorin e vrasjes së liderit të dhjetorit ’90, Azem Hajdari se, Azemi është një shembull frymëzimi për të mos u mposhtur dhe për t’u ngritur sa herë rrëzohemi. Berisha bëri thirrje për të çuar në vend idealet për të cilat Azemi dha jetën.
“Sot për ne është një ditë, që ne kujtojmë me dhembje të madhe, aktin barbar të kryer nga regjimi, ekzekutimin para selisë së PD të tribunit të lirisë Azem Hajdarit, njeriut që ka bërë si individ më shumë se kushdo tjetër për lirinë e shqiptarëve. Ishte gjoksi i tij, që ngrihej më 8 dhjetor në rrugët e Tiranës përballë barrikadave të autoblindave, të batalioneve të policisë, ushtrisë, që solli çeljen e dyerve bashkë me studentët e tjerë të lirisë për shqiptarët.
Por Azem Hajdari nuk është vetëm një lider i historisë, Azem Hajdari është një burim i madh frymëzimi për çdo shqiptar, për çdo të ri, për çdo të re. Frymëzimi i tij është të qëndrojmë të pamposhtur, është të ngrihemi sa herë që rrëzohemi, është të vazhdojmë betejën dhe sot, më të vendosur se kurrë për idealet për të cilat ai flijoi jetën e tij.
Ndaj dhe thirrja ime është që, le të na frymëzojë guximi, vizioni, trimëria e tribunit tonë legjendar, për të realizuar sa më shpejt, sa më të vendosur idealet për të cilat ai ra dhe që sot janë në një vështirësi shumë të madhe. Unë kam besim se ne do t’ia dalim. I përjetshëm kujtimi i Azem Hajdarit, tribunit të lirisë së shqiptarëve, sivllaut të tij në betejë, Besim Çerjes”, tha Berisha.