Basha: Kurrë më një diktaturë e re

255

Kryetari i PD deklaroi dje nga memoriali i Azemit se, demokratët nuk do të lejojnë kurrë më një diktaturë të re.
“Jemi mbledhur sot si çdo 12 shtator për të përkujtuar tribunin e Lëvizjes Studentore, zemrën e kurajës demokrate, të paharrueshmin Azem Hajdari dhe mikun e bashkëluftëtarin e tij Besnik Çera.
Vit për vit, nëse dielli i demokracisë shndrin siç ka shndritur apo fshihet pas reve të zeza të krimit e të korrupsionit siç është fshehur, ne vijmë këtu jo thjesht për të nderuar e për të ndarë së bashku dramën e 12 shtatorit të para 19 viteve, por ne vijmë këtu për të celebruar kujtimin, forcën, kurajën dhe mirënjohjen, forcën e Azem Hajdarit dhe atë që ai përfaqëson përjetësisht.
Luftën pa kompromis për liri e demokraci, qëndrimin titanik kundër vesit, krimit dhe drogës në pushtet.
Bashkimin në vlerat më të mira patriotike, atdhetare, në një shoqëri dhe vëllazëri politike që e ka emrin Partia Demokratike, por edhe shumë më gjerë se kjo.
Mirënjohja dhe krenaria dhe sensi i kurajës na bashkon e do të na bashkojë përherë, edhe atëherë kur dielli i demokracisë përsëri të ndrijë e përsëri kur beteja të tjera si kjo që kemi përpara të na presin.
Vijmë këtu përulësisht, po kështu vendosmërisht për të mos e tradhtuar kurrë kujtimin e Azem Hajdarit, as vlerat për të cilat ai ra hero në altarin e përjetshëm të lirisë, demokracisë dhe mirënjohjes së një kombi të tërë të çliruar nga vargonjtë e diktaturës.
Vijmë këtu për t’u zotuar se kurrë më nuk do të pranojmë një diktaturë të re, të krimit, të drogës, pushtetit personal dhe autokracisë. Liria dhe demokracia janë vlerat tona të patjetërsueshme. Duke luftuar dhe fituar për to nderojmë përditë kujtimin e Azem Hajdarit, tribunit të demokracisë.
I paharruar kujtimi i tij!”, tha Basha në 19-vjetorin e vrasjes së Azemit.